Devocional i Përditshëm i Falenderimit nga Paul TrippShembull
Është një element në secilën prej skicave tona teologjike, por në të vërtetë nuk jetojmë sikur ta besojmë. Të gjithë themi se besojmë se kjo nuk është gjithçka që ekziston. Ne themi se me të vërtetë besojmë se ka jetë pasi të mbarojë kjo. Teologjia jonë zyrtare përmban faktin e një parajse të re dhe një toke të re që do të vijë. Por ne priremi të jetojmë me ankthin dhe shtytjen që vijnë kur besojmë, se gjithçka që kemi është ky moment.
Këtu është çështja e jetës reale, në nivelin e rrugës: nëse nuk i mban sytë e zemrës tënde të përqendruar në parajsën që do të vijë, do të përpiqesh ta kthesh këtë botë të varfër dhe të rënë, në parajsën që nuk do të jetë kurrë. Në zemrën e çdo personi të gjallë, është dëshira për parajsën. Thirrja e një vogëlushi që sapo është rrëzuar, është një britmë për parajsën. Lotët e fëmijës në moshën e shkollës fillore që refuzohet në oborrin e lojrave, janë lotët e atij që zgjat dorën për parajsën. Dhimbja e vetmisë që ndjen një person pa miq ose familje, është dhimbja e një malli për parajsën. Lëndimi që çifti ndjen ndërsa martesa e tyre shpërbëhet, është lëndimi i atyre që thërrasin për parajsën. Trishtimi që plaku ndjen ndërsa trupi i tij dobësohet, është trishtimi i atij që dëshiron parajsën. Të gjithë e kemi këtë dëshirë, edhe kur nuk jemi të vetëdijshëm për të, sepse u vendos aty nga Krijuesi ynë. Ai e ka vendosur përjetësinë në secilën nga zemrat tona ( Ekl. 3:11 ). Të qarat tona janë më shumë se thirrjet e dhimbjeve; ato janë gjithashtu thirrje malli për më shumë dhe më mirë sesa do të përjetojmë ndonjëherë në këtë botë të rënë.
Kur e harron këtë, ti përpiqesh shumë ta kthesh këtë moment në parajsën që nuk do të jetë kurrë. Martesa jote nuk do të jetë një parajsë. Puna jote nuk do të jetë parajsa që dëshiron. Miqësitë e tua nuk do të jenë parajsa që dëshiron zemra jote. Bota përreth teje nuk do të funksionojë si parajsa. Fëmijët e tu nuk do të të dorëzojnë parajsën. Madje edhe kisha jote nuk do të jetojë në përputhje me standardin e parajsës. Nëse je bir i Zotit, parajsa është garantuar për ty, por nuk do të jetë pikërisht këtu, në këtë moment. Të gjitha gjërat që të zhgënjejnë tani, janë për të të kujtuar se kjo nuk është gjithçka që ekziston, dhe për të të bërë të dëshirosh parajsën që do të vijë. Ëndrrat që vdesin të kujtojnë se kjo nuk është parajsa. Lulet që veniten, do të të kujtojnë se kjo nuk është parajsa. Mëkati që të rrëmben, duhet të të kujtojë se kjo nuk është parajsa. Sëmundjet që të infektojnë, duhet të të kujtojnë se kjo nuk është parajsa. Jeto me shpresë sepse parajsa po vjen me siguri, dhe ndalo së kërkuari që kjo botë e rënë të jetë parajsa që nuk do të jetë kurrë.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Festa e Falenderimit (*Thanksgiving), është një kohë për të kujtuar të gjitha gjërat e mira që Zoti na ka dhënë me mirësi. Por nganjëherë çmenduria e sezonit, mund të na ndalojë të marrim kohë, për të falënderuar Zotin për dhuratat e tij të shumta. Me devocionale inkurajuese nga Paul David Tripp, këto devocionale të shkurtra kërkojnë vetëm 5 minuta për t'u lexuar, por do të të inkurajojnë të meditosh për mëshirën e Zotit gjatë gjithë ditës. (*Thanksgiving - është festa e falenderimit që festohet në SHBA të enjten e katërt të Nëntorit).
More