Mësime për Besimin PersonalShembull
Dhuntitë e fshehta
Gjithësecili le ta vërë në shërbim të tjetrit dhuntinë që ka marrë, si kujdestarë të mirë të hirit të shumëfarshëm të Perëndisë. (v.10)
Unë e njihja vetëm si manaxher të “Burger King”-ut. Shpeshherë, kur shkoja me prindërit atje për të ngrënë, ai dilte nga kuzhina dhe bisedonte me ne. Duke e ditur që isha i krishterë dhe shkruaja devocione, ai më pyeti nëse dëshiroja një pikturë të Krishtit të cilat i punonte me laps. Unë pranova.
Atij iu deshën disa muaj që ta vizatonte për mua, sepse për të krijuar një portret i duheshin 100 orë punë. Kur e përfundoi, më paraqiti një vizatim të bukur në kornizë të Shpëtimtarit tim me kurorën me gjemba dhe me vështrimin për nga qielli. Jam mirënjohës që ai e ndau dhuntinë e tij të artit me mua.
Kur e dëgjojmë fjalën dhunti në Bibël, me shumë gjasa mendojmë për dhuntitë frymërore te 1 Korintasve 12. Ndërsa Perëndia padyshim që i përdor dhuntitë e Frymës, Ai dëshiron që të përdorë edhe aftësitë e tjera që kemi. Pjetri thotë që duhet të përdorim dhuntitë që kemi marrë për t’u shërbyer të tjerëve. Çfarëdo talentesh që të kemi, Perëndia do që t’i përdorim për lavdinë e Tij.
Pa e marrë dhuratën e tij, unë nuk e kisha idenë që manaxheri i “Burger King”-ut ishte një artist aq i talentuar. Bekohem çdo herë që e shikoj Jezusin që vizatoi ai. A e dinë të tjerët çfarë mund të bëni ju shumë mirë? Apo aftësitë që keni i mbani të fshehura prej tyre? Nuk ka shumë rëndësi cilat janë aftësitë tona. Nëse i përdorim ato, do të bekojmë të tjerët dhe do të nderojmë Perëndinë, që na i dha ato dhunti. – Steven Laman
Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’i përdorë dhuntitë tuaja për të bekuar njerëzit dhe për ta përlëvduar Atë!
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Stiven Lamani ndan Mësime për Besimin Personal nëpërmjet historive nga jeta e tij dhe lidhjeve që bën me pasazhet nga Bibla. Këto histori do t’ju frymëzojnë të shikoni veprën e Perëndisë në jetën tuaj dhe të pranoni dhuratën e shpëtimit nga Jezusi. Stiven Lamani është një shkrimtar dhe folës, i cili ka vuajtur nga paraliza cerebrale që kur lindi në vitin 1970. Stiveni është shkrimtar i frytshëm devocionesh për “Fjalët e Shpresës” dhe ndihmësmësues.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Words of Hope Albania për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://fjaleteshpreses.org/