Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Informacion rreth planit

Ura për te MarkuShembull

Ura për te Marku

DITA 90 NGA 99

Heshtja e Jezusit

Ka shumë zëra që flasin në këtë pasazh. Së pari, janë drejtuesit judenj që duhet të sajonin një histori të mirë për të bindur Pilatin. Ai nuk do të dënonte dikë me vdekje pa arsyen e duhur! Drejtuesit judenj e dinin që po gënjenin, por ata shqetësoheshin vetëm për veten dhe për të pasur sukses me planet e tyre.

Sa e lehtë është që edhe ne ta bëjmë këtë! Nganjëherë flasim për të tjerët vetëm e vetëm që ne të dukemi më mirë. Ndodh që i ndryshojmë fjalët e tjerëve në mënyrë që ata të duken keq dhe ne të dukemi mirë. Perëndia dëshiron që të jemi të pastër dhe të drejtpërdrejtë në të gjithë të folurën tonë.

Pilati i dëgjoi zërat e kryepriftërinjve. Ai e dinte që ata nuk po thoshin të vërtetën. Kur Pilati e pa Zotin Jezus, ai nuk pa një njeri të rrezikshëm. Vetë ndërgjegjja e Pilatit ishte gjithashtu duke folur, por ai nuk dëshironte që ta dëgjonte. Pilati ishte në gabim. Ai duhet të kishte vepruar si një gjykatës i drejtë dhe ta kishte liruar Jezusin. Ai e dinte të vërtetën, por kishte frikë nga njerëzit dhe dëshironte miratimin e tyre, në vend që të bënte drejtësi ndaj Zotit Jezus.

A nuk është e lehtë që të jesh si Pilati? A i bëni zgjedhjet tuaja bazuar në çfarë do të jetë e pranueshme nga miqtë tuaj, apo dëgjoni ndërgjegjen tuaj? A jeni të ndikuar nga opinionet e miqve tuaj për rrobat që blini, muzikën që dëgjoni, temën që zgjidhni për të diskutuar, ose përpjekjen që bëni për t’i përfshirë të tjerët në klasën tuaj? A e dëgjoni “zërin e Perëndisë”, apo i bindeni “zërit të zemrës suaj mëkatare”? Është e lehtë të jesh si Pilati. Ne dëshirojmë që të pëlqehemi nga të tjerët, edhe nëse kjo do të thotë që duhet të sillemi në mënyrë mëkatare.

Jezusi i dëgjoi të gjithë këta zëra. Ai e dinte që ata po gënjenin. Ai madje e dinte betejën që po ndodhte në zemrën e Pilatit. Dhe sërish, Ai nuk iu përgjigj asnjërit prej tyre. Ai madje as nuk i kujtoi Pilatit që duhet të bënte gjënë e duhur. Pse nuk foli Zoti Jezus? Ai nuk foli, sepse Zoti Jezus ishte si një qengj që po shkonte drejt therjes. Shumë vite më parë, Isaia profetizoi që Zoti Jezus do të ishte “Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin, nuk e hapi gojën”. Ai ishte i heshtur, sepse po merrte vendin e fajtorit; Ai do të vdiste për ata që meritonin të vdisnin. Jezusi e dinte që ishte vullneti i Atit të Tij, që Ai duhet të vuante në këtë mënyrë. Heshtja e Tij tregonte që Ai kishte rënë dakord për këtë gjë.

Në këtë mesazh për heshtjen e Jezusit, Perëndia na flet neve sot. Ai na kujton atë që Biri i Tij bëri për mëkatarët. A jeni ndier ndonjëherë që jeni mëkatarë dhe që meritoni vdekjen? Ju keni nevojë që Zoti Jezus të përballet me Gjykatësin në vendin tuaj! Pa Atë, edhe ju duhet që të jeni të heshtur përpara gjykimit të Perëndisë. Prandaj jemi thirrur të vendosim besimin tonë në Zotin Jezus. Ai erdhi që të jetë Shpëtimtari i mëkatarëve.

Shkrimet e Shenjta

Dita 89Dita 91

Rreth këtij plani

Ura për te Marku

Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje....

More

Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë