Ura për te MarkuShembull
Jezusi psherëtiu
Sa gjë e mrekullueshme është të kesh miq të mirë si ky burrë! Miqtë e sollën atë te Personi më i mirë. Askush tjetër nuk mund ta shëronte; ai kishte qenë i shurdhër për një kohë të gjatë – mbase gjatë gjithë jetës së tij. Përveç kësaj, ai as nuk mund të fliste mirë. Ky njeri pasqyron gjendjen tonë frymërore. Tamam si ai, ne shpesh jemi të shurdhër ndaj “zërit të Perëndisë”. Brenda nesh është një “zë i vogël”, që ne e quajmë ndërgjegje. Na flet: “Mos i thuaj ato gjëra; ndalo së bëri këtë gjë; nuk është mirë ta shikosh këtë”. Por, edhe pse e “dëgjojmë” atë zë, shpesh veprojmë sikur të ishim të shurdhër. Nëse vazhdojmë ta shpërfillim ndërgjegjen tonë, pa kaluar shumë kohë do të jemi tërësisht të shurdhër ndaj zërit të saj.
Perëndia flet edhe përmes Fjalës së Tij. Mbase e dëgjojmë çdo të diel, ndërsa lexojmë Dhjetë Urdhërimet. A e dëgjojmë vërtet atë që po na thotë Perëndia? Kur e dëgjojmë Biblën teksa lexohet, a mund të dallojmë çfarë po na thotë Perëndia?
Gjuha jonë u krijua për të lavdëruar Perëndinë dhe për ta lartësuar Atë; u dha gjithashtu për t’u përdorur për të mirën e të afërmve tanë. A nuk e shikoni që edhe ju jeni si ai njeri, i cili kishte një defekt në të folurën e tij? Na duket e lehtë të flasim për gjërat e jetës sonë ose për njerëzit e tjerë. Por, kur na kërkohet të themi diçka rreth Perëndisë, bëhemi shumë të heshtur.
Përpara se Zoti Jezus ta shëronte këtë burrë, Ai psherëtiu. Edhe ne psherëtijmë. Nganjëherë psherëtijmë sepse nuk kemi dëshirë të bëjmë punën tonë, se jemi të lodhur, ose se duam që të tjerët të dinë që nuk dëshirojmë të bëjmë atë që na është kërkuar. Por Jezusi nuk psherëtiu për asnjë prej këtyre arsyeve. Ai psherëtiu sepse ndjeu dhimbje dhe keqardhje për këtë njeri në nevojë. Sa e çmuar është kjo psherëtimë e Jezusit! Në vend që të ishte i zemëruar apo i lodhur për shkak të pasojës së rëndë të mëkatit tonë, Zoti psherëtiu për mjerimin që pa përpara Vetes.
Çfarë nxitjeje është kjo për ne, që ta kërkojmë këtë Shpëtimtar! Ai është i njëjtë edhe sot. A ju shqetëson fakti që nuk e dëgjoni Atë siç duhet? A ju rëndon fakti që goja dhe gjuha juaj shpesh përdoren për të mëkatuar? A keni dhimbje kur mendoni për të gjitha rastet që keni çnderuar Perëndinë? Zoti Jezus erdhi në këtë tokë për të shpëtuar dhe shëruar mëkatarët. Ju mund të vraponi tek Ai për veten tuaj – por sigurohuni që të merrni me vete edhe miqtë tuaj.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al