Ura për te MarkuShembull
Besimi i madh
Kjo grua besonte atë që shumë judenj nuk e besonin: që vetëm Zoti Jezus mund ta ndihmonte. Kur e mori vesh që Zoti do të ishte në atë zonë, ajo erdhi tek Ai, sepse vajza e saj ishte e pushtuar nga një frymë e ligë. Sa e rënduar duhet të ketë qenë zemra e kësaj nëne për shkak të vajzës së saj! Mbase mendoni që përgjigjja e Jezusit ndaj gruas ishte e pasjellshme. Por Zoti nuk është asnjëherë i tillë. Ai po e vinte në provë dhe po e forconte besimin e saj. Që t’ju ndihmoj ta kuptoni këtë, më lejoni të përdor një shembull. Mendoni për qëndrimin e saj përpara derës, duke i rënë derës. Në vend që të hapë derën, Zoti pret – jo sepse nuk shqetësohet për të apo se nuk e dëgjon, por sepse Ai po e vë në provë për të parë sa i fortë është besimi i saj.
Besimi i gruas ishte shumë i fortë. Si e dimë këtë gjë? Së pari, kjo nënë nuk u dorëzua, sepse ajo e dinte që vetëm Jezusi mund ta ndihmonte. Edhe pasi Ai tha që kishte ardhur për popullin e Izraelit (pjesë e të cilit ajo nuk ishte), ajo refuzoi të hiqte dorë. Ajo besonte që Jezusi ishte e vetmja shpresë që kishte, dhe ajo nuk mund të largohej prej Tij pa marrë ndihmën e Tij. Ajo gjithashtu besonte që Ai ishte mjaft i fuqishëm për ta ndihmuar bijën e saj, edhe pse nuk ishin izraelite.
Së dyti, ajo e përuli veten e saj. Që të krahasohesh me një qen nuk është një gjë kaq e keqe sot, por në kohërat e Biblës ishte. Në ato ditë qentë nuk ishin kafshë shtëpiake, por ishin kafshë që përçmoheshin. Por sërish, gruaja nuk u ofendua. Në zemrën e saj ajo ndjeu që nuk ishte e denjë as për mëshirën më të vogël.
Së treti, edhe pse gruaja ndihej e padenjë, ajo sërish i kërkoi Jezusit që ta ndihmonte. Ku e gjente ajo guximin? Ajo kishte dëgjuar se çfarë kishte bërë Jezusi për të tjerët, që ishin të sëmurë ose të pushtuar nga demonët. Ajo besonte që ishte e mundur edhe për atë, edhe pse e dinte që nuk i meritonte bekimet e Tij.
Arsyeja e vërtetë pse kjo nënë nuk mund të hiqte dorë nga lutjet e saj ndaj Zotit, ishte sepse Perëndia ia dha asaj atë besim. Edhe ne kemi nevojë që Perëndia të na japë besim dhe të na largojë mosbesimin. Le t’i kërkojmë Perëndisë dhuratën e besimit, ashtu siç e kishte ajo grua.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al