Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fushëbeteja e Mendjes - DevocioneShembull

Fushëbeteja  e Mendjes - Devocione

DITA 9 NGA 14

Qëndrim Pozitiv 

Ai[Abrahami,me arsye njerëzore], duke shpresuar kundër çdo shprese, besoi për t’u bërë ati i shumë kombeve sipas asaj që i ishte thënë: «Kështu [e panumërt] do të jetë pasardhja jote. Dhe, duke mos qenë i dobët në besim, nuk e mori parasysh trupin e tij, i bërë tashmë i vdekur (ishte pothuaj njëqind vjeç) as[kur ai konsideroi] barkun e vdekur të Sarës. Madje nuk dyshoi me mosbesim (me pyetje dyshuese) në premtimin e Perëndisë, por u forcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë, plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte . -Romakëve 4:18–21 

Historia e Abrahamit më mahnit pavarësisht se sa herë e kam lexuar. Nuk është vetëm lindja e një djali kur ai ishte njëqind vjeç. Kjo është një mrekulli. Por po aq mahnitës është edhe informacioni që ai priti njëzet e pesë vjet për përmbushjen e premtimit. Ai ishte shtatëdhjetë e pesë vjeç kur Perëndia i premtoi atij një bir. 

Pyes veten se sa prej nesh do të besonin Perëndinë dhe do të jetonin në pritje për njëzetë e pesë vjet. Shumica prej nesh me shumë mundësi do të thonin, “Unë kam dëgjuar vërtetë nga Perëndia.” “Oh, ndoshta Perëndia nuk donte të thoshte këtë.” Ose, “Më duhet të shkoj diku tjetër për të marrë një fjalë të freskët nga Zoti.” 

Sara dhe Abrahami patën probleme në mbajtjen tek ai premtim. Si një mjet dhe përpjekje për të marrë atë që dëshironin, ata kishin shërbëtoren e Sarës, Agarin, që i lindi një djalë, por Perëndia i bëri të ditur që nuk ishte ajo mënyra se si do të ndodhte. Unë besoj që veprimet e tyre e vonuan mbërritjen e birit të premtuar nga Perëndia. 

Në padurimin tonë, ne shpesh i marrim gjërat në duart tona. Unë them që kemi “ide të shkëlqyera” - plane tonat, të cilat shpresojmë se Zoti do t’i bekojë. Këto plane hapin derën e konfuzionit dhe kaosit. Më pas duhet të merremi me rezultatet e tyre, gjë që shpesh vonon mrekullinë tonë. 

Kur Moisiu zbriti nga Sinai pasi mori dhjetë Urdhërimet nga Zoti, Ai pa ligësinë e izraelitëve të cilët ishin bërë të padurueshëm në pritje. Në zemërim, ai i theu pllakat mbi të cilat Perëndia kishte shkruar urdhërimet. Megjithëse mund ta kuptojmë zemërimin e Moisiut, duhet të kujtojmë se kjo nuk ishte inicuar nga Zoti. Prandaj, Moisiu duhej të ngjitej përsëri malin Sinai dhe përsëri të kalonte procesin e marrjes së Dhjetë Urdhërimeve. Moisiu mund të ketë përjetuar një çlirim emocional të momentit, por kjo i kushtoi atij punë shtesë. Ky është një mësim i mirë për të gjithë ne. Ne duhet të lutemi së pari dhe të biem dakord me planin e Perëndisë dhe jo të planifikojmë dhe pastaj të lutemi që plani ynë të funksionojë. 

Shpesh është e vështirë të besosh Zotin dhe të presësh vit pas viti.

Ndonjëherë pas takimeve të mia, njerëzit vijnë tek unë dhe më thonë shumë histori të trishta. Unë i inkurajoj ata të jenë pozitivë dhe optimistë. Disa njerëz dëgjojnë çdo fjalë që them, pohojnë me kokë, madje edhe mund të buzëqeshin, dhe më pas thonë fjalën më negative nga të gjitha: “Por . . .” Me atë fjalë të vetme, ata po mohojnë gjithçka që kam thënë. Kjo nuk është fryma e Abrahamit. 

Bibla na jep premtime, shpresë dhe inkurajim. Perëndia premton gjëra të mira për ata që i shërbejnë Atij. Pavarësisht vështirësive të rrethanave tona —dhe disa njerëz kanë absolutisht situata të tmerrshme—Perëndia sërisht premton më të mirën. Megjithatë, ndjenja jonë e mirësisë mund të mos jetë e njëjtë me atë të Perëndisë. Marrja menjëherë e asaj që duam mund të mos jetë më e mira për ne. Ndonjëherë pritja është gjëja më e mirë sepse ndihmon në zhvillimin e karakterit të Perëndisë tek ne. 

Zoti zgjedh të na bëjë të mirën dhe të na bëjë të lumtur; djalli zgjedh të na bëjë keq dhe të na bëjë të mjerë. Ne mund të qëndrojmë të duruar dhe të vazhdojmë të besojmë premtimet e Perëndisë, ose ne mund të lejojmë të ligun të na pëshpërisë në veshët tanë dhe të na çojë në humbje. 

Shumë prej nesh e kanë injoruar faktin që Perëndia është autori i mrekullive. Ai është i specializuar për të bërë të pamundurën: ai i dha një djalë Sarës shterpë; Ai hapi Detin e Kuq që izraelitët të ecnin përmes tij në tokë të thatë; Ai shkatërroi Goliathin vetëm më një goditje guri nga një llastik. Këto janë mrekulli. Këtu Fryma e Shenjtë po vepron, duke sfiduar ligjet e natyrës (Ai i bëri ligjet, dhe Ai mund t’i thyejë ato). 

Hebrenjve 11 është një kapitull rreth besimit dhe popullit të Perëndisë që guxuan të besojnë premtimet. “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet [domosdoshmërisht] të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblyesi i atyre që e kërkojnë atë.” (vargu. 6). 

Ndërsa e konsideroj këtë varg, unë mund të shoh se si hyn djalli. Ai na thotë, “Po,kjo është e vërtetë. Ata ishin njerëz të veçantë. Ti nuk je askush. Perëndia nuk do të bëjë asgjë të veçantë për ty. Pse duhet ta bëjë Ai?” 

Kjo është një gënjeshtër satanike—që shumë vetë e pranojnë lehtësisht. Perëndia e do secilin prej nesh, dhe Bibla thotë që Ai është Ati ynë. Çdo baba i mirë dëshiron të bëjë gjëra të mira për fëmijët e tij. Perëndia dëshiron të bëjë gjëra të mira për ty dhe për mua. Prit një mrekulli në jetën tënde. Prit shumë mrekulli në jetën tënde. 

Qëndrimi pozitiv në premtimet e Perëndisë sjell rezultate të mira sepse Ai i Miri i dërgon ato për ne. Refuzoni të dorëzoheni, dhe do të shihni rezultatet e qëndrimit tuaj pozitiv. 

I dashur At’ qiellor, më fal mua për mungesën e besimit. Më fal mua që kam lejuar Satanin të më mashtrojë dhe të më bëjë të mendoj që jam i pavlerë për të patur mrekullitë e Tua. Unë vlej shumë sepse Ti më ke bërë të denjë. Ti je Perëndia i të pamundurës, dhe unë të kërkoj Ty të më ndihmosh të pres në Ty dhe të mos dorëzohem kurrë. Në emrin e Jezus Krishtit Zotit tim, unë lutem. Amen.

Shkrimet e Shenjta

Dita 8Dita 10

Rreth këtij plani

Fushëbeteja  e Mendjes - Devocione

Këto devocione do t'ju pajisin me frymëzime shprese për të mposhtur inatin, konfuzionin, dënimin, frikën, dyshimin…quajeni si të dëshironi. Këto njohuri do t'ju ndihmojnë të zbuloni komplotet e armikut për t'ju konfuzuar dhe gënjyer, të përballeni me modelet shkatërruese të mendimit, të gjeni fitoren në transformimin e të menduarit tuaj, për të fituar forcë, inkurajim dhe, më e rëndësishmja, fitore mbi çdo betejë në mendjen tuaj.

More

Ne dëshirojmë të falënderojmë Ministritë Joyce Meyer për sigurimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://tv.joycemeyer.org/shqip/