Stinët e zemrësShembull

Le të afrohemi me guxim
Le t'i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohën e duhur. - Hebrenjve 4:16
Guximi dhe besimi janë të pandara; ndërsa frika dhe mosbesimi shkojnë së bashku. Gjithmonë është mungesa e besimit ajo që fshihet pas gjithë frikës. ‘Pse frikësohesh?’ është pyetja për ata që kanë pak besim. Pra, në vend që të vijmë me guxim dhe si rrjedhim me gëzim, ajo që kemi nevojë është më shumë besim te Kryeprifti i Madh i Cili ulet në fronin e hirit. Tani, mos rënko: “Ah, sikur të kisha më shumë besim!” Besimi nuk do të vijë tek ty me anë të vajtimeve të ligështa për mungesën tënde të besimit. Besimi është dhuratë e Perëndisë. Dhe po ta njihje këtë dhuratë të Perëndisë dhe se kush është Ai që pret t’ia kërkosh për të ta dhënë, me siguri do ta kërkosh nga Ai! Ai u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar – pa marrë parasysh gjithashtu të gjithë neglizhencën tënde ndaj Tij dhe ndaj dhuratave të Tij. Kërko – dhe Ai thotë se do të të jepet. Ti nuk ke, sepse nuk kërkon.
Njerëzit nuk vijnë për gjërat që nuk duan. Derisa Fryma e Shenjtë të na tregojë nevojën tonë për mëshirë dhe ta vërë në realitet lutjen “Ki mëshirë për ne mëkatarët e mjerë”, ne kurrë nuk do të vijmë te froni i hirit për të marrë mëshirë. Pra, nëse nuk e ke ndjerë kurrë se mund të thuash me sinqeritet, “O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj meje mëkatares” dhe kurrë nuk je ndjerë veçanërisht në ankth për të ardhur në fronin e hirit që ta marrësh atë, unë do të të përgjërohesha me shumë urgjencë që të lutesh, “Zot, ma bëj të njohur veten!” Kur Fryma e Shenjtë t'i përgjigjet kësaj lutjeje, ti do të jesh mjaft e etur për të ardhur dhe për të marrë mëshirë. Atëherë kjo do të jetë e vetmja gjë për të cilën do të jesh veçanërisht e interesuar. Në fillim vjen marrja e mëshirës, dhe pastaj gjetja e hirit për të pasur ndihmë në kohë nevoje. Ti nuk mund ta ndryshosh urdhrin e Perëndisë. Ti nuk do të gjesh hir ku të mbështetesh në kohë nevoje derisa të kërkosh dhe të gjesh mëshirë për t'u shpëtuar. Ti nuk ke të drejtë të mbështetesh në ndihmën, mbrojtjen, udhëzimin e Perëndisë dhe tek të gjitha privilegjet e tjera të shkëlqyera që Ai u premton bijve të Perëndisë me anë të besimit në Jezus Krishtin, derisa të marrësh këtë bekim të parë, mëshirën e Zotit në Jezus Krishtin; sepse është në Jezus Krishtin që të gjitha premtimet e Perëndisë janë po dhe amen.
Frances Ridley Havergal
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një vit devocionesh nga një brez grash në tjetrin
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al