Stinët e zemrësShembull

Një Mik deri në vdekje
Sepse vetë Perëndia ka thënë: "Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis". - Hebrenjve 13:5
Mos u brengos se ke mbetur vetëm, apo se ke pak miq me të cilët mund të hapësh zemrën, sepse Zoti yt i dashur, Jezusi, nuk do të të lërë dhe nuk do të të braktisë kurrë, Ai është një Mik që është më i ngushtë se një vëlla. Ti ke pasur përvojën e ëmbël të miqësisë së Krishtit që kur u njohe për herë të parë me Të, dhe dashuria e Tij ndaj teje, kujdesi i Tij për ty dhe fuqia e Tij për të të shpëtuar janë ende aq të mëdha sa kurrë më parë. Koha nuk e ka ndryshuar zemrën e Krishtit, jo, as të gjitha dobësitë dhe provokimet që Ai ka parë te ty, por duke të dashur lirisht dhe plotësisht, Ai do të të dojë përjetësisht. Jezusi yt, Miku yt më i mirë që është kujdesur për ty gjatë gjithë kohës, nuk do të të flakë jashtë kurrë. Ai të ka gdhendur në pëllëmbët e duarve të Veta dhe muret e tua janë vazhdimisht përpara Tij. Krijesat mund të harrojnë, por Jezusi yt, me dhembshuritë e Tij të pakufishme, nuk do të, dhe nuk mundet të të harrojë. Ai do ta kujtojë shpirtin tënd në fatkeqësi, kur të mos kesh strehim dhe kur askush nuk do të kujdeset për shpirtin tënd.
Zoti e dinte mirë se populli i Tij do t’i nënshtrohej ndonjëherë frikës. Ai do t'i braktiste ata për shkak të dobësisë dhe padenjësisë së tyre dhe të shfaqjes së vështirësive të reja. Ai gjithashtu e dinte se ata do të ishin të shqetësuar se si do ta kalonin pjesën tjetër të rrugës nëpër shkretëtirë. Prandaj Ai thotë: “Dëgjomëni, o shtëpi e Jakobit, dhe tërë mbetja e shtëpisë së Izraelit, që ju kam përkrahur që kur keni lindur, që jeni mbajtur nga unë qysh në bark të nënës: Deri në pleqërinë tuaj unë do të mbetem po ai, unë do t'ju mbaj derisa të thinjeni. Unë ju kam bërë dhe unë do t'ju përkrah; po, do t'ju mbaj dhe do t'ju shpëtoj” (Isa. 46:3–4). Zoti nuk lodhet kurrë së ndihmuari popullin e Tij. Ai tashmë e ka ndihmuar aq shumë atë, saqë duke u nisur nga kjo gjë, Ai nxitet të bëjë akoma më shumë për të. Oh, motra ime e dashur, ka hir në të gjitha sprovat e tua të pranishme, madje deri në vdekje dhe deri në lavdi. Prandaj, ki besim përgjithmonë te Zoti, sepse në Zotin Jahve gjendet forca e përjetshme; dhe ji e lirë në Të, Mikun tënd gjithnjë të gjallë dhe gjithnjë të dashur.
Anne Dutton
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një vit devocionesh nga një brez grash në tjetrin
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al