Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 55 NGA 366

Perëndia e hap zemrën

"Dhe një grua, me emër Lidia, që ishte tregtare të purpurtash, nga qyteti i Tiatirës dhe që e adhuronte Perëndinë, po dëgjonte. Dhe Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar ato që thoshte Pali.” (Veprat 16:14)

Kudo që predikonte Pali, disa besonin dhe disa nuk besonin. Si ta kuptojmë arsyen pse disa nga ata që ishin të vdekur në shkelje dhe mëkate (Efesianëve 2:1, 5) besuan dhe disa të tjerë jo?

Arsyeja pse disa nuk besuan është që ata “e hodhën poshtë” fjalën e Perëndisë (Veprat 13:46), sepse mesazhi i ungjillit ishte “marrëzi për [ta], dhe nuk mund” ta njihnin (1 e Korintasve 2:14). Mendja e mishit “është armiqësi ndaj Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet” (Romakëve 8:7).

Kushdo që e dëgjon dhe e refuzon ungjillin “e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij” (Gjoni 3:20). Ata qëndrojnë të “errësuar në mendje...për shkak të padijes që është në ta dhe të ngurtësimit të zemrës së tyre” (Efesianëve 4:18). Kjo është një padije fajtore. E vërteta është e arritshme. Sidoqoftë, ata e “mbysin të vërtetën në padrejtësi” (Romakëve 1:18).

Pse, pra, disa besojnë, përderisa të gjithë janë në këtë ngurtësim rebel të zemrës dhe të vdekur në shkelje dhe mëkate? Libri i Veprave na e jep përgjigjen të paktën në tri mënyra të ndryshme. Njëra përgjigje është që ata janë caktuar për të besuar. Kur Pali predikoi në Antioki të Pisidisë, johebrenjtë u gëzuan dhe “të gjithë sa ishin të caktuar për jetën e përjetshme, besuan” (Veprat 13:48).

Një mënyrë tjetër për t’iu përgjigjur pse disa besuan, është që Perëndia u dha pendimin. Kur shenjtorët në Jerusalem dëgjuan se johebrenjtë, dhe jo vetëm judenjtë, po reagonin ndaj ungjillit, ata thanë: “Perëndia, pra, edhe kombeve u dha pendesën për t’u dhënë jetën” (Veprat 11:18).

Gjithsesi, përgjigjja më e qartë te Veprat për pyetjen pse një person e beson ungjillin, është se Perëndia është Ai që e hap zemrën. Lidia është shembulli më i mirë. Pse besoi ajo? Veprat 16:14 thotë: “Dhe Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar ato që thoshte Pali.”

Nëse beson në Jezusin, të gjitha këto të ndodhën edhe ty: Ti ishe caktuar për të besuar; t’u dha pendimi; dhe Zoti të hapi zemrën. Pjesën tjetër të jetës tënde ti duhet të gufosh me falënderim për mrekullinë që je një besimtar.

Shkrimet e Shenjta

Dita 54Dita 56

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​