Solid Joys ShqipShembull
Pesë shpërblime për bujarinë
“Ndihmoni për nevojat e shenjtorëve, jini mikpritës.” (Romakëve 12:13)
Çfarë shpërblimesh kemi nëse besojmë në premtimet e Perëndisë, dhurojmë me bujari dhe i hapim shtëpitë tona për njëri-tjetrin e për nevojtarët?
- Vuajtja e shenjtorëve do të lehtësohet, ose të paktën do të zvogëlohet. Këtë po thotë vargu me fjalët: “Ndihmoni për nevojat e shenjtorëve.” Ne mbartim një barrë. Ne lehtësojmë stresin. Ne japim shpresë. Dhe ky është një shpërblim!
- Lavdia e Perëndisë do të shfaqet. “Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” (Mateu 5:16). Dhënia bujare dhe shtëpitë mikpritëse shfaqin lavdinë, mirësinë dhe vlerën e Perëndisë në jetën tuaj. Arsyeja pse Perëndia na jep para dhe shtëpi, është që nga mënyra se si i përdorim ato, njerëzit të mund të shohin që ato nuk janë Perëndia ynë, por që Perëndia është Perëndia ynë. Ai është thesari ynë.
- Kështu i ofrohet më tepër falënderim Perëndisë. “Sepse kryerja e kësaj shërbese të shenjtë jo vetëm përmbush nevojat e shenjtorëve, por edhe kapërderdhet, përmes shumë falënderimesh, ndaj Perëndisë” (2 e Korintasve 9:12). Perëndia na ka dhënë para dhe shtëpi, jo thjesht që të na bëjë ne mirënjohës, por që përmes bujarisë dhe mikpritjes sonë t’i bëjë njerëzit e tjerë mirënjohës ndaj Tij.
- Kështu konfirmohet dashuria jonë për Perëndinë dhe dashuria e Tij për ne. “Dhe, nëse njëri ka të mirat e botës dhe sheh të vëllanë e tij në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij para tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë?” (1 e Gjonit 3:17). E thënë ndryshe, kur ne japim bujarisht dhe i hapim shtëpitë tona, dashuria e Perëndisë konfirmohet në jetët tona. Ne jemi të vërtetë. Nuk jemi të krishterë hipokritë.
- Përfundimisht, ne grumbullojmë thesare në qiell. “Shitni ç’të keni tuajën dhe jepni lëmoshë! Bëni për vete kuleta që nuk vjetrohen, një thesar të pashtershëm në qiejt...Sepse atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj” (Luka 12:33-34).
Dhënia bujare dhe shtëpitë mikpritëse janë shumë afër qendrës së jetës në Krishtin. Arsyet pse nuk e hapim kuletën—librin e çeqeve—dhe shtëpitë tona, aq shpesh sa duhet, janë të rrënjosura në skllavërinë e frikës dhe lakmisë. Kura për këtë është kënaqësia e pranisë së Krishtit dhe siguria e premtimit të Tij: “Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:19).
Shpërblimi ynë është shfaqja e lavdisë së Perëndisë, e mira e të tjerëve dhe gëzimi i çmuarjes së Krishtit së bashku përgjithmonë. Prandaj, unë ju nxis: “Ndihmoni për nevojat e shenjtorëve, jini mikpritës.”
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione