Solid Joys ShqipShembull
Efektet radikale të ringjalljes
"Në qoftë se shpresojmë në Krishtin vetëm në këtë jetë, ne jemi më të mjerët e të gjithë njerëzve.” (1 e Korintasve 15:19)
Nga rreziku i tij i vazhdueshëm, nga përballja e tij e përditshme me vdekjen, nga përleshja e tij me bishat e egra, Pali del në përfundimin se jeta që ai ka zgjedhur për të ndjekur Jezusin është marrëzi dhe për të ardhur keq, nëse ai nuk do të ringjallet prej së vdekurish.
Nëse vdekja do të ishte fundi i gjithçkaje, thotë ai: “le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim” (1 e Korintasve 15:32). Kjo nuk do të thotë: Le të bëhemi të gjithë grykës dhe pijanecë, nëse nuk ka ringjallje. Pijanecët janë për të ardhur keq—me apo pa ringjallje. Pali po thotë se, nëse nuk ka ringjallje, ajo që ka kuptim është maturia e shtresës së mesme të shoqërisë për t’i maksimizuar kënaqësitë tokësore.
Pali nuk zgjodhi këtë. Ai zgjodhi vuajtjen, për shkak se zgjodhi bindjen. Anania erdhi te Pali pasi ai u përball me Krishtin rrugës për në Damask dhe i përcolli fjalët e Zotit Jezus: “Sepse unë do t’i tregoj atij se sa shumë i duhet të vuajë për emrin tim” (Veprat 9:16). Pali e pranon vuajtjen e tij si pjesë të thirrjes së tij.
Si mund ta bënte Pali këtë? Cili ishte burimi i bindjes së tij radikale dhe të dhimbshme? Përgjigjja jepet te 1 e Korintasve 15:20: “Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe u bë fryti i parë i atyre që kanë fjetur.” E thënë ndryshe, Krishti ishte ringjallur dhe unë do të ringjallem bashkë me Të. Prandaj, asnjë vuajtje për Jezusin nuk është e kotë (1 e Korintasve 15:58).
Shpresa e ringjalljes e ndryshoi rrënjësisht stilin e jetës së Palit. Ajo e çliroi nga materializmi dhe konsumerizmi. I dha atij fuqinë që të vazhdonte pa rehatitë dhe kënaqësitë që shumë njerëz mendojnë se duhet t’i kenë në jetën e tyre. Për shembull, edhe pse ai kishte të drejtë të martohej (1 e Korintasve 9:5), ai e refuzoi atë kënaqësi, për shkak se ishte thirrur për të duruar aq shumë vuajtje.
Kjo është mënyra se si Jezusi tha që shpresa e ringjalljes duhet ta ndryshojë sjelljen tonë. Për shembull, ai na tha të ftojmë në shtëpitë tona njerëz që nuk mund të na e shpërblejnë dot në këtë jetë. Si duhet të motivohemi që ta bëjmë këtë? “Por shpërblimi do të të jepet në ringjallje të të drejtëve” (Luka 14:14).
Kjo është një thirrje radikale që ta hetojmë thellë jetën tonë të tanishme për të parë, nëse ajo është e formuar nga shpresa e ringjalljes. A marrim ne vendime mbi bazën e fitimit në këtë botë, apo mbi bazën e fitimit në botën tjetër? A ndërmarrim rreziqe për hir të dashurisë, të cilat mund të shpjegohen si të mençura vetëm nëse ka një ringjallje?
Perëndia na ndihmoftë që ta përkushtojmë sërish veten tonë që gjatë gjithë jetës ta lejojmë ringjalljen të ketë efektet e saj radikale në ne.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione