Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 39 NGA 366

A je i gëzuar që nuk je Perëndi?

“Jepini ZOTIT, o familje të popujve, jepini ZOTIT lavdi dhe forcë.” (Psalmi 96:7)

Këtu shohim një pjesë të përjetimit të cilit psalmisti i referohet kur thotë: “Jepini Zotit lavdi dhe forcë.” Çfarë bëjmë kur “i japim Zotit forcë”?

Së pari, me hirin e Perëndisë, ne i kushtojmë vëmendje Perëndisë dhe shohim që Ai është i fortë. I kushtojmë vëmendje forcës së Tij. Pastaj, ne japim aprovimin tonë për madhështinë e forcës së Tij. Ne tregojmë konsiderimin e duhur ndaj vlerës së Tij.

Ne zbulojmë se forca e Tij është e mrekullueshme. Sidoqoftë, çfarë e bën mahnitjen që përjetojmë të jetë një mahnitje “dhënëse”—“Jepini ZOTIT lavdi dhe forcë!”—është gëzimi ynë që madhështia e forcës i takon Atij dhe jo neve.

Ne ndiejmë se fakti që Ai është pafundësisht i fortë dhe ne nuk jemi të tillë, është shumë domethënës. Ne e duam faktin që Ai është i tillë. Nuk kemi smirë ndaj Perëndisë për forcën e Tij. Nuk e lakmojmë fuqinë e Tij, por jemi të mbushur plot me gëzim që forca i takon Atij.

Gjithçka brenda nesh ngazëllon për t’u distancuar nga vetja dhe për të soditur këtë fuqi—sikur të merrnim pjesë në festimin e fitores së një vrapuesi të distancave të gjata, i cili na ka mundur në garë, dhe të gjenim kënaqësi më të madhe te admirimi i forcës së tij, dhe jo te hidhërimi për humbjen tonë.

Ne e gjejmë kuptimin më të thellë të jetës, kur zemrat tona e largojnë vështrimin lirisht nga vetja dhe admirojnë fuqinë e Perëndisë, në vend që të përqendrohemi përbrenda dhe të mburremi me forcën tonë—apo madje të mendojmë për forcën tonë. Ne zbulojmë diçka të jashtëzakonshme: Është thellësisht e kënaqshme të mos jesh Perëndi, dhe të heqësh dorë nga të gjitha mendimet e dëshirat për të qenë Perëndi.

Kur i kushtojmë vëmendje forcës së Perëndisë, brenda nesh ngjallet ndërgjegjësimi që Perëndia krijoi gjithësinë për këtë qëllim: që ne të përjetonim kënaqësinë e plotë e të mos qenët Perëndi, por të admirojmë Mirësinë e Perëndisë—forcën e Perëndisë. Në ne zë vend ndërgjegjësimi paqësor, se admirimi i të pafundmes është qëllimi përfundimtar dhe plotësisht i kënaqshëm i të gjitha gjërave.

Ne dridhemi edhe nga tundimi më i vogël për të deklaruar se ka ndonjë fuqi që vjen prej nesh. Perëndia na ka bërë të dobët, për të na mbrojtur nga kjo: “Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte, që epërsia e pashoqe e kësaj fuqie të jetë e Perëndisë dhe jo prej nesh” (2 e Korintasve 4:7).

Oh, çfarë dashurie është kjo, që Perëndia të na mbrojë nga zëvendësimi i lartësive të përjetshme të admirimit të fuqisë së Tij me përpjekjet e kota për t’u mburrur në fuqinë tonë! Është gëzim i madh të mos jesh Perëndi, por përkundrazi ta shohësh Perëndinë!

Shkrimet e Shenjta

Dita 38Dita 40

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​