Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 38 NGA 366

Mrekulli në çastin e fundit

“Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde.” (Luka 23:42)

Një nga vrasësit më të mëdhenj të shpresës është fakti që je përpjekur për shumë kohë që të ndryshosh, por nuk ia ke dalë.

Hedh vështrimin pas dhe mendon: Çfarë vlere ka kjo? Edhe nëse mund të përjetoj një mrekulli, do të mbetet fare pak kohë për të jetuar në atë mënyrë të re, saqë nuk do të sillte asnjë ndryshim në krahasim me gjithë ato vite dështim.

Ish-keqbërësi (hajduti në kryqin pranë Jezusit) jetoi ndoshta edhe një orë pas kthimit të tij në besim, pastaj vdiq. Ai ishte ndryshuar. Ai jetoi në kryq si njeri i ri me qëndrime dhe veprime të reja (nuk po mallkonte më), por 99.99 % e jetës së tij ishte çuar dëm. A kishin ndonjë rëndësi ato dy orët e fundit si njeri i ri?

Ato patën një rëndësi të pafundme. Ai që dikur ishte keqbërës, njësoj si ne, do të qëndrojë para fronit të gjykimit të Krishtit dhe do të japë llogari për jetën e tij. “Sepse ne të gjithë duhet të shfaqemi para selisë së gjykatës së Krishtit, që secili të marrë shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirë apo në të keq” (2 e Korintasve 5:10). Si do të dëshmojë jeta e tij atë ditë për lindjen e tij të re dhe për bashkimin e tij me Krishtin? Si do ta konfirmojë jeta e tij faktin që u bë një krijesë e re në Krishtin?

Orët e fundit janë ato që do ta tregojnë historinë. Ky burrë ishte bërë njeri i ri. Besimi i tij ishte real. Ai është bashkuar me të vërtetë me Krishtin. Drejtësia e Krishtit është bërë drejtësia e tij. Mëkatet e tij janë falur.

Këtë do të shpallin orët e fundit në gjyqin e fundit. Ai është ndryshuar! Ndryshimi i tij pati rëndësi. Kjo ishte dhe do të jetë një dëshmi e bukur e fuqisë së hirit të Perëndisë dhe realitetit të besimit të tij në Krishtin dhe bashkimit të tij me Krishtin.

Tani le t’i kthehemi përleshjes tonë për ndryshim. Nuk po them se besimtarët që përleshen, nuk janë të shpëtuar, sikurse ishte keqbërësi në kryq. Thjesht po them se vitet dhe orët e fundit të jetës kanë rëndësi.

Nëse në një përqindëshin e fundit të jetës mund të korrim një fitore mbi ndonjë zakon të vjetër mëkati apo mbi ndonjë defekt në personalitetin tonë, kjo do të jetë një dëshmi e bukur e fuqisë së hirit; dhe do të jetë një dëshmi shtesë (dhe jo e vetmja) në gjyqin e fundit për besimin tonë në Krishtin dhe për bashkimin tonë me Të.

Merr zemër, ti që përleshesh! Vazhdo të lutesh, vazhdo të kërkosh, vazhdo të trokasësh. Vazhdo të shohësh drejt Krishtit. Nëse Perëndia merr lavdi duke shpëtuar keqbërës në çastin e fundit të jetës së tyre, sigurisht që Ai e ka një qëllim pse priti kaq vonë për të të dhënë mrekullinë që ke pritur për vite me radhë.

Shkrimet e Shenjta

Dita 37Dita 39

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​