Solid Joys ShqipShembull
Më i mirë se paraja, seksi dhe pushteti
“Mos e hidhni tej guximin tuaj, që ka një shpërblim të madh.” (Hebrenjve 10:35)
Ne kemi nevojë të përsiatim mbi epërsinë e Perëndisë si shpërblimi ynë i madh mbi gjithë sa bota ka për të na ofruar. Nëse nuk e bëjmë këtë, do ta duam botën si gjithë të tjerët dhe do të jetojmë si gjithë të tjerët.
Prandaj, merr parasysh gjërat që e motivojnë botën dhe medito mbi faktin që Perëndia është më i mirë dhe më i qëndrueshëm se gjithçka. Merr parasysh paranë, seksin ose pushtetin dhe mendo si lidhen ato me vdekjen. Vdekja do të na i rrëmbejë të gjitha. Nëse jeton për këto gjëra, nuk do të marrësh shumë dhe atë që merr, do ta humbasësh.
Gjithsesi, thesari i Perëndisë është pafundësisht më i çmuar, dhe ai mbetet përjetë. Ai thesar shkon përtej vdekjes. Është më i mirë se paraja, për shkak se Perëndia zotëron të gjithë paranë dhe Ai është Ati ynë. Ne jemi trashëgimtarët e Tij. “Të gjitha janë tuajat. Dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë” (1 e Korintasve 3:22-23).
Thesari i Perëndisë është më i mirë se seksi. Jezusi nuk pati kurrë marrëdhënie seksuale dhe Ai ishte njeriu më i plotë që ka ekzistuar ndonjëherë. Seksi është një hije, një imazh, për një realitet më të madh, për një marrëdhënie dhe një kënaqësi që do ta bëjë edhe seksin më të jashtëzakonshëm të duket si diçka tepër e mërzitshme.
Shpërblimi i Perëndisë është më i mirë se pushteti. Nuk ka pushtet më të madh njerëzor sesa të jesh fëmijë i Perëndisë së plotfuqishëm. “A nuk e dini ju se ne do të gjykojmë engjëj?” (1 e Korintasve 6:3). “Atij që fiton do t’i jap të ulet me mua në fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim në fronin e tij” (Zbulesa 3:21).
Kështu mund të vazhdojmë me çdo gjë tjetër. Perëndia është më i mirë dhe më i qëndrueshëm se gjithçka që bota ka për të na ofruar.
Perëndia është i pakrahasueshëm. Ai fiton çdo herë mbi botën. Pyetja është: A do ta marrim Atë si thesarin tonë? A do të zgjohemi nga dalldisja trullosëse e kësaj bote dhe ta shohim, ta besojmë, ta duam dhe të gëzojmë në atë që është me të vërtetë reale, pafundësisht e çmuar dhe e përjetshme?
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione