Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Informacion rreth planit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 18 NGA 366

Kura për krenarinë

Ejani tani, ju që thoni: “Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrimë atje një vit, dhe do të tregtojmë dhe do të fitojmë”, ju që nuk dini për të nesërmen. Sepse ç’është jeta? Është avull, në fakt, që duket për pak, dhe pastaj zhduket. Në vend që të thoni: “Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë.” Por tani, mburreni në fodullëkun tuaj, çdo mburrje e tillë është e keqe. (Jakobi 4:13-16)

Jakobi është duke folur për krenarinë dhe arrogancën, dhe se si ato shfaqen në mënyra dinake. “Por tani, mburreni në fodullëkun tuaj, çdo mburrje e tillë është e keqe.”

Kur i bashkon tre kategoritë e tundimi për t’u mbështetur te vetja—urtësinë, fuqinë dhe pasuritë—ato formojnë një shtysë të fuqishme drejt formës përfundimtare të krenarisë; që është, ateizmi. Mënyra më e sigurt që të mbetemi supremë në vlerësimin tonë është duke mohuar gjithçka sipër nesh.

Kjo është arsyeja pse njerëzit krenarë janë të zënë me përbuzjen e të tjerëve. C.S. Lewis tha: “Njeriu krenar gjithmonë i përbuz gjërat dhe njerëzit; dhe, sigurisht, që për sa kohë je duke përbuzur, nuk mund ta shohësh dot diçka që qëndron sipër teje” (Libri Mere Christianity).

Sidoqoftë, për ta ruajtur krenarinë, mund të jetë më e thjeshtë të shpallësh se nuk ka asgjë sipër për ta parë. “I pabesi, me arrogancën e fytyrës së vet, nuk e kërkon ZOTIN; tërë mendimet e tij janë: ‘Perëndia nuk ekziston’” (Psalmi 10:4). Në fund të fundit, krenarët duhet ta bindin veten e tyre që nuk ka Perëndi.

Një arsye për këtë është që realiteti i Perëndisë është jashtëzakonisht ndërhyrës në të gjitha hollësitë e jetës. Krenaria s’mund ta tolerojë përfshirjen intime të Perëndisë në qeverisjen e gjithësisë, për të mos folur pastaj për gjërat e hollësishme të jetës së zakonshme.

Krenaria nuk e pëlqen sovranitetin e Perëndisë. Për pasojë, krenaria nuk e pëlqen ekzistencën e Perëndisë, për shkak se Ai është sovran. Ajo mund ta shprehë këtë duke thënë: “Nuk ka Perëndi.” Ose mund ta shprehë duke thënë: “Do të shkoj me makinë në Atlanta për Krishtlindje.”

Jakobi thotë: “Mos jini kaq të sigurt.” Në vend të kësaj, duhet të thoni: “Në dashtë Zoti, do të jetojmë dhe do të arrijmë në Atlanta për Krishtlindje.”

Ideja e Jakobit është që Perëndia sundon mbi faktin nëse do të arrish në Atlanta, dhe nëse do të jetosh deri në fund të këtij leximi devocional. Kjo gjë është jashtëzakonisht ofenduese për vetëmjaftueshmërinë e krenarisë—që të mos kesh kontroll as mbi përfundimin e një leximi devocional pa pësuar një goditje në tru!

Jakobi thotë që të mos besuarit në të drejtat sovrane të Perëndisë për të qeverisur hollësitë e të ardhmes tënde është arrogancë.

Mënyra për ta luftuar këtë arrogancë është që t’i dorëzohesh sovranitetit të Perëndisë në të gjitha hollësitë e jetës, dhe të prehesh në premtimet e Tij të sigurta për ta treguar forcën e Tij ndaj nesh (2 i Kronikave 16:9), për të na shoqëruar me mirësi dhe mëshirë çdo ditë (Psalmi 23:6), për të vepruar për ata që kanë shpresë tek Ai (Isaia 64:4), dhe për të na pajisur me gjithçka që na nevojitet për të jetuar për lavdinë e Tij (Hebrenjve 13:21).

E thënë ndryshe, kura për krenarinë është besimi i palëkundur në hirin e ardhshëm dhe sovran të Perëndisë.

Shkrimet e Shenjta

Dita 17Dita 19

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë