Solid Joys ShqipShembull
Ne do të sundojmë mbi gjithçka
“Atij që fiton do t’i jap të ulet me mua në fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim në fronin e tij.” (Zbulesa 3:21)
Për çfarë e ka fjalën Jezusi kur ia thotë këto fjalë kishës në Laodice?
Të ulemi me Jezusin në fronin e Tij? Vërtet?
Ky është premtimi për këdo që fiton, domethënë, për ata që këmbëngulin në besim deri në fund (1 e Gjonit 5:4), pavarësisht çdo dhimbjeje kërcënuese dhe kënaqësie joshëse mëkatare. Prandaj, nëse je një besimtar i vërtetë në Jezusin, do të ulesh në fronin e Birit të Perëndisë, i cili ulet në fronin e Perëndisë Atë.
“Fronin e Perëndisë”, unë e marr si diçka që simbolizon të drejtën dhe autoritetin për të sunduar gjithësinë dhe atje ulet Jezusi. Pali tha: “Duhet që ai të mbretërojë, derisa t’i vërë të gjithë armiqtë nën këmbët e veta” (1 e Korintasve 15:25). Prandaj, kur Jezusi thotë: “do t’i jap të ulet me mua në fronin tim,” Ai na premton se do të bëhemi pjesë në sundimin e të gjitha gjërave.
A është kjo, ajo që Pali ka në mendje tek Efesianëve 1:22-23? “Dhe vuri gjithçka nën këmbët e tij [Krishtit], edhe përmbi çdo gjë ia dha për krye kishës, e cila është trupi i tij, plotësia e atij që mbush gjithçka, në të gjitha.”
Ne, kisha, jemi “plotësia e atij që mbush gjithçka.” Çfarë do të thotë kjo? Këtë unë e marr me kuptimin që gjithësia do të mbushet me lavdinë e Zotit (Numrat 14:21). Dhe një dimension i asaj lavdie do të jetë shtrirja e plotë dhe e pakundërshtuar e sundimit të Tij kudo.
Prandaj, Efesianëve 1:23 merr këtë kuptim: Jezusi, përmes nesh, mbush gjithësinë me sundimin e Tij të lavdishëm. Duke marrë pjesë në sundimin e Tij, ne jemi plotësia e atij sundimi. Ne sundojmë për llogari të Tij, me pushtetin e Tij dhe nën autoritetin e Tij. Në këtë kuptim, ne ulemi me Të në fronin e Tij.
Asnjëri prej nesh nuk e ndien këtë gjë ashtu sikurse duhet. Kjo është tepër madhështore—tepër e mirë, tepër e mahnitshme. Kjo është arsyeja pse Pali lutet për ndihmën e Perëndisë që “t’ju ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij” (Efesianëve 1:18).
Pa një ndihmë të gjithëpushtetshme, tani nuk mund ta ndiejmë dot mahnitjen e asaj që jemi destinuar të bëhemi. Por nëse na jepet aftësia për ta ndierë atë, ashtu siç është në realitet, të gjitha reagimet tona emocionale ndaj kësaj bote, do të ndryshojnë. Urdhërimet e çuditshme dhe radikale të Dhiatës së Re, nuk do të jenë aq të çuditshme sa na u dukën dikur.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione