Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 20 NGA 366

Beteja për të rikujtuar

“Këtë dua të sjell në mendje dhe prandaj dua të shpresoj. Është hiri i ZOTIT që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht.” (Vajtimet 3:21-22)

Një nga armiqtë e mëdhenj të shpresës është harrimi i premtimeve të Perëndisë. Rikujtimi është një shërbesë e rëndësishme. Pjetri dhe Pali, që të dy thanë se i shkruan letrat e tyre për këtë arsye (2 e Pjetrit 1:13, Romakëve 15:15).

Ndihmësi kryesor për të na rikujtuar atë që kemi nevojë të dimë është Fryma e Shenjtë (Gjoni 14:26). Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se ju duhet të jeni pasivë. Ju jeni vetë përgjegjës për shërbesën tuaj të rikujtimit. Personi i parë të cilit keni nevojë t’ia rikujtoni, jeni ju.

Mendja e ka këtë fuqi të madhe: Ajo mund t’i flasë vetes përmes rikujtimit. Mendja mund “të sjellë në mendje,” sikurse thotë edhe teksti: “Këtë dua të sjell në mendje dhe prandaj dua të shpresoj: sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht” (Vajtimet 3:21-22).

Nëse ne nuk “sjellim në mendje” atë që Perëndia ka thënë për veten e Tij dhe për ne, do të lëngojmë. Oh, këtë e di vetë nga përjetimet e dhimbshme! Mos u zhgërryej në llucën e mesazheve të paperëndishme në mendjen tënde, mesazhe si: “Nuk mundem...”, “Ajo nuk do të...” “Ata kurrë nuk do të...”, “Nuk ka funksionuar kurrë...”.

Ideja nuk është që këto janë të vërteta apo të rreme. Mendja juaj do të gjejë gjithmonë një mënyrë për t’i bërë të vërteta, nëse nuk “sillni në mendje” diçka më të madhe.Perëndia është Perëndia i të pamundurës. Përpjekja jote për të dalë nga një situatë e pamundur, përmes arsyetimit tënd, nuk është aq e efektshme sa t’i kujtosh vetes që Perëndia bën gjëra të pamundura.

Pa i rikujtuar vetes madhështinë e hirit, fuqisë dhe urtësisë së Perëndisë, ne do të zhytemi në një pesimizëm brutal. “Unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë” (Psalmi 73:22).

Kthesa e madhe nga dëshpërimi në shpresë, në Psalmin 77, vjen me fjalët: “Do t’i kujtoj veprat e ZOTIT; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara, do të përsias për gjithë veprat e tua dhe do të marr parasysh bëmat e tua” (Psalmi 77:11-12).

Kjo është beteja e madhe për jetën time. Mendoj se është edhe beteja juaj gjithashtu. Beteja për t’i rikujtuar së pari vetes dhe pastaj të tjerëve.

Shkrimet e Shenjta

Dita 19Dita 21

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​