Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Virusi Korona Dhe KrishtiShembull

Virusi Korona Dhe Krishti

DITA 4 NGA 12

Sovran mbi gjithçka

Të thuash që Perëndia qeveris gjithçka do të thotë që Ai është sovran. Sovraniteti i Tij do të thotë që Ai mund të bëjë dhe në fakt bën gjithçka që Ai zgjedh vendosmërisht që ta bëjë. Nuk ka asnjë forcë jashtë Tij që mund ta prishë apo pengojë vullnetin e Tij. Kur Ai vendos që një gjë të ndodhë, ajo ndodh. Ose e thënë ndryshe, gjithçka ndodh sepse Perëndia vendos që të ndodhë. Isaia mëson që kjo është pjesë e vetë thelbit e të qenët Perëndi:

 Unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër; jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua, që shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: “Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen.”(Isaia 46:9-10)

Të jesh Perëndi do të thotë të bësh që plani yt të realizohet - gjithmonë. Perëndia nuk deklaron thjesht se cilat ngjarje do të ndodhin në të ardhmen; Ai i bën ato të ndodhin. Ai flet fjalën e Tij dhe pastaj shton: “Unë vigjëloj mbi fjalën time që të ketë efekt” (Jeremia 1:12).

Me fjalë të tjera, sovraniteti i Perëndisë përfshin gjithçka dhe depërton gjithçka. Ai ka sundim absolut mbi këtë botë. Ai qeveris erën (Luka 8:25), vetëtimën (Jobi 36:32), borën (Psalmi 147:16), bretkosat (Eksodi 8:1-15), mushkonjat (Eksodi 8:16-19), mizat (Eksodi 8:20-32), karkalecat (Eksodi 10:1-20), shkurtat (Eksodi 16:6-8), krimbat (Jona 4:7), peshqit (Jona 2:10), harabelat (Mateu 10:29), barin (Psalmi 147:8), bimët (Jona 4:6), zinë e bukës (Psalmi 105:16), diellin (Jozueu 10:12-13), dyert e burgut (Veprat 5:19), verbërinë (Eksodi 4:11; Luka 18:42), shurdhësinë (Eksodi 4:11; Marku 7:37), paralizat (Luka 5:24-25), ethet (Mateu 8:15), çdo sëmundje (Mateu 4:23), planet e udhëtimit (Jakobi 4:13-15), zemrat e mbretërve (Fjalët e Urta 21:1; Danieli 2:21), kombet (Psalmi 33:10), vrasësit (Veprat 4:27-28), dhe mbi vdekjen frymërore (Efesianëve 2:4-5) - të gjitha këto bëjnë vullnetin e Tij sovran.

Prandaj, virusi Korona u dërgua nga Perëndia. Kjo nuk është një stinë për pikëpamje sentimentale rreth Perëndisë. Kjo është një stinë e hidhur. Perëndia është Ai që e caktoi. Perëndia sundon mbi të. Ai do t’i japë fund asaj. Asnjë çast i saj nuk është jashtë kontrollit të Tij.

Ja pse, ndërsa mendojmë rreth të ardhmes tonë me virusin Korona - apo me çfarëdo situate tjetër kërcënuese për jetën - Jakobi na thotë se si të mendojmë dhe të flasim:

Në vend që të thoni: ‘’Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë.’’ (Jakobi 4:15)

Nëse Ai vendos, ne do të jetojmë. Nëse jo, nuk do të jetojmë. Perëndia vendos. A është ky lajm i mirë? Po! 


Shkrimet e Shenjta

Dita 3Dita 5

Rreth këtij plani

Virusi Korona Dhe Krishti

Kjo është një kohë, kur ndihet brishtësia e kësaj bote. Ato themele që dukeshin si të palëkundshme, po tronditen. Pyetja që duhet të bëjmë është kjo: A janë vendosur këmbët tona mbi një Shkëmb? Mbi një Shkëmb që nuk mund të lëkundet kurrë?

More

Ne dëshirojmë të falënderojmë Qendrën IGNIS në Shqipëri për përgatitjen e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi të
vizitoni: https://dritez.al/virusi-korona-dhe-krishti/