Virusi Korona Dhe KrishtiShembull
Shkëmbi është i drejtë
Nëse Perëndia do të jetë Shkëmbi ynë, Ai duhet të jetë i drejtë. Një Shkëmb i padrejtë është një mirazh. Një pandemi globale trondit vetë sigurinë tonë se Perëndia është i drejtë, i shenjtë, i mirë.
Mirësia e Perëndisë nuk është identike me shenjtërinë apo drejtësinë e Tij. Por është e ndërthurur me faktin që shenjtëria e Tij derdhet në mirësi dhe drejtësia e Tij është ajo e cila qeveris dhënien e saj. Ato nuk bien kurrë ndesh me njëra-tjetrën.
Mirësia e Perëndisë është prirja e Tij për të qenë bujar - për të bërë atë që i bekon qeniet njerëzore. Plotësia dhe përsosmëria transhendente e Perëndisë, d.m.th. shenjtëria e Tij, është si një burim që gufon. Kjo është arsyeja pse Ai është i prirur të jetë bujar. Perëndia nuk është nevojtar. Prandaj, Ai nuk i shfrytëzon kurrë të tjerët për të përmbushur ndonjë mangësi në veten e Tij. Përkundrazi, impulsi i natyrës së Tij është që të japë, jo të marrë.
“Dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë” (Veprat 17:25).
Por mirësia e Tij nuk është e shkëputur nga drejtësia e Tij. Ajo nuk jepet në një mënyrë që mohon vlerën, bukurinë dhe madhështinë e Tij të pafundme. Kjo është arsyeja pse drejtësia e Perëndisë përfshin ndëshkimin final sikurse dhe mirësinë. Kur Perëndia i ndëshkon të papenduarit në ferr, Ai nuk po vendos mirësinë e Tij mbi ta. Por Ai nuk pushon nga të qenët i mirë. Shenjtëria dhe drejtësia e Tij qeverisin dhënien e mirësisë së Tij.
Të gjithë jemi mëkatarë. Pa përjashtim. Të gjithë e kemi shkëmbyer lavdinë e vlerës, bukurisë dhe madhështisë së Perëndisë me gjëra me të cilat kënaqemi më tepër (Romakëve 1:23, 3:23). Ky është një çnderim i turpshëm që i kemi bërë Perëndisë, dhe nuk ka rëndësi, nëse e ndiejmë apo jo.
Prandaj meritojmë ndëshkim. Çnderimi që i bëjmë lavdisë së Perëndisë na bën objekte të denja të zemërimit të Tij të shenjtë. Bibla thotë se jemi “prej natyre bij të zemërimit” (Efesianëve 2:3), që do të thotë se Perëndia tregohet i shenjtë dhe i drejtë, kur na refuzon mirësinë e Tij.
Mëkatarët e fundmë dhe krejtësisht të varur nuk mund të fitojnë dot asgjë nga Perëndia. Mirësia e Perëndisë ndaj mëkatarëve është gjithmonë falas dhe e pamerituar. Prandaj virusi Korona nuk vë në pah pashenjtërinë, padrejtësinë apo mungesën e mirësisë te Perëndia.
Shkëmbi ynë në këto ditë shqetësimi nuk është i padrejtë. Ai nuk është i pashenjtë: “Nuk ka asnjë të shenjtë si Zoti... nuk ka asnjë shkëmb si Perëndia ynë” (1 e Samuelit 2:2). Shkëmbi ynë nuk është një mirazh.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Kjo është një kohë, kur ndihet brishtësia e kësaj bote. Ato themele që dukeshin si të palëkundshme, po tronditen. Pyetja që duhet të bëjmë është kjo: A janë vendosur këmbët tona mbi një Shkëmb? Mbi një Shkëmb që nuk mund të lëkundet kurrë?
More
Ne dëshirojmë të falënderojmë Qendrën IGNIS në Shqipëri për përgatitjen e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi të
vizitoni: https://dritez.al/virusi-korona-dhe-krishti/