Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Virusi Korona Dhe KrishtiShembull

Virusi Korona Dhe Krishti

DITA 2 NGA 12

Një themel i paqëndrueshëm

Për sa i përket virusit Korona - apo ndonjë gjëje tjetër, ka pak rëndësi mendimi im, ama ka rëndësi të përjetshme se çfarë mendon Perëndia. Ai nuk hesht për atë që mendon. Zor se gjen një faqe të vetme në Bibël që të mos ketë lidhje me këtë krizë.

Zëri im është si bari. Zëri i Perëndisë është si shkëmb graniti. “Bari thahet dhe lulja bie, por fjala e Zotit mbetet përjetë” (1 e Pjetrit 1:24-25). Jezu Krishti tha se fjalët e Perëndisë në Shkrim “nuk mund të bien poshtë” (Gjoni 10:35). Ajo që Perëndia thotë është “e vërtetë dhe plotësisht e drejtë” (Psalmi 19:9). 

Si rrjedhim, fjala e Tij është një themel i palëkundshëm për jetën. “Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë.” (Psalmi 119:152). Të dëgjosh Perëndinë, t’i besosh Atij, është sikur ta ndërtosh shtëpinë tënde mbi një shkëmb dhe jo mbi rërë (Mateu 7:24). Fjala e Tij është këshilla, të cilës do të duash t’ia vësh veshin.

“Zoti i ushtrive, që është i mrekullueshëm në këshillat e Tij dhe i madh për nga dituria.” (Isaia 28:29). “Zgjuarsia e Tij është e pafund” (Psalmi 147:5). 

Kur Ai jep këshilla për virusin Korona, ato janë të drejta, të palëkundshme dhe të përjetshme. 

“Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së Tij për çdo brez” (Psalmi 33:11). “Udha e Tij është e përsosur” (2 e Samuelit 22:31).

Prandaj fjalët e Tij janë të çmuara dhe të ëmbla. “Janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ar i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet” (Psalmi 19:10). Ato janë vetë ëmbëlsia e jetës së përjetshme: “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme” (Gjoni 6:68).

Prandaj, në kohët më të mira dhe në ato më të këqija, fjalët e Perëndisë sjellin paqe dhe gëzim. Mbaj mend: ëmbëlsia e fjalës së Perëndisë nuk ka humbur në këtë çast historik provanie të hidhur… 

“Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër” (Psalmi 94:19). “Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar. Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha” (Psalmi 34:18-19). 

Askush nuk mund ta ngushëllojë dot shpirtin tonë në këtë pandemi ashtu si Perëndia. Ngushëllimi i Tij është i palëkundshëm. Është ngushëllimi i një Shkëmbi madhështor dhe të lartë mes një deti të stuhishëm. Ky ngushëllim vjen prej fjalës së Tij, Biblës.


Shkrimet e Shenjta

Dita 1Dita 3

Rreth këtij plani

Virusi Korona Dhe Krishti

Kjo është një kohë, kur ndihet brishtësia e kësaj bote. Ato themele që dukeshin si të palëkundshme, po tronditen. Pyetja që duhet të bëjmë është kjo: A janë vendosur këmbët tona mbi një Shkëmb? Mbi një Shkëmb që nuk mund të lëkundet kurrë?

More

Ne dëshirojmë të falënderojmë Qendrën IGNIS në Shqipëri për përgatitjen e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi të
vizitoni: https://dritez.al/virusi-korona-dhe-krishti/