Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 16 NGA 366

Fjalë si era

Mos keni ndërmend vallë të qortoni ashpër fjalët e mia dhe fjalimet e një të dëshpëruari, që janë si era?” (Jobi 6:26)

Në vajtim, dhimbje dhe dëshpërim, shpesh njerëzit thonë gjëra, të cilat në rast të kundërt nuk do t’i thoshin. Ata e ngjyrosin realitetin me penela më të errëta nga sa do ta ngjyrosin ditën e nesërme kur të dalë dielli. Ata këndojnë me nota minore dhe flasin sikur ky të ishte lloji i vetëm i muzikës. Ata shohin vetëm re dhe flasin sikur të mos kishte qiell.

Ata thonë: “Ku është Perëndia?” Ose: “Nuk ka kuptim të vazhdoj më tej.” Ose: “Asgjë nuk ka kuptim.” Ose: “Për mua nuk ka shpresë.” Ose: “Nëse Perëndia do të ishte i mirë, kjo nuk mund të ndodhte.”

Çfarë të bëjmë me fjalë të tilla?

Jobi thotë se nuk ka nevojë që t’i qortojmë. Këto fjalë janë si era, apo fjalë për fjalë “për erën”. Ato shumë shpejt do t’i marrë era. Rrethanat do të ndryshojnë kur personi i dëshpëruar do të zgjohet nga nata e errët dhe do t’i vijë keq për fjalët e thëna nxitimthi.

Prandaj, ideja është kjo: le të mos e harxhojmë kohën dhe energjinë duke qortuar fjalë të tilla. Ato do t’i marrë era. Nuk ke pse t’i presësh gjethet në vjeshtë. Kjo është përpjekje e kotë. Shumë shpejt gjethet do të bien vetë.

Oh, sa shpejt priremi për ta mbrojtur Perëndinë, ose ndonjëherë të vërtetën, nga fjalë të cilat janë thjesht për erën. Nëse do të kishim aftësi dalluese, do ta bënim dallimin mes fjalëve me peshë dhe fjalëve që janë si era.

Ka fjalë me peshë me gabim dhe ligësi të thellë, por jo të gjitha fjalët gri e marrin ngjyrën e tyre nga një zemër e zezë. Disa prej tyre janë ngjyruar thjesht nga dhimbja dhe dëshpërimi. Ajo që dëgjon, nuk është gjëja më e thellë që ndodhet përbrenda. Ka diçka reale dhe të errët brenda, prej nga dalin këto fjalë, por ajo është e përkohshme—si puna e një infeksioni kalimtar—ato janë reale, të dhimbshme, por nuk përfaqësojnë personin e vërtetë.

Prandaj, le të mësojmë të dallojmë nëse fjalët që janë shqiptuar kundër nesh, kundër Perëndisë, ose kundër të vërtetës, janë thjesht fjalë për erën—ato nuk burojnë nga shpirti, por nga plaga. Nëse ato janë fjalë për erën, le të presim në heshtje dhe të mos qortojmë. Ripërtëritja e shpirtit, jo qortimi i plagës, është synimi i dashurisë tonë.

Shkrimet e Shenjta

Dita 15Dita 17

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​