Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Çdo ditë me radhëShembull

Çdo ditë me radhë

DITA 358 NGA 366

«Kush qëndron në të nuk mëkaton; kush mëkaton nuk e ka parë dhe as nuk e ka njohur» (1 Gjonit 3:6).

Dje konsideruam një pjesë që është shpesh shqetësuese për të krishterë të sinqertë. Sot do të shohim tre vargje në letrën e parë të Gjonit që i shqetësojnë gjithashtu besimtarët që janë tepër të vetëdijshëm për mëkatshmërinë e tyre. Kemi vargun tashmë të cituar në fillim të faqes. Më pas kemi 1 Gjonit 3:9 - «Kush lindi nga Perëndia nuk kryen mëkat, sepse fara e Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë sepse lindi nga Perëndia». Dhe 1 Gjonit 5:18 - «Ne dimë se kushdo që ka lindur nga Perëndia nuk mëkaton; ai që ka lindur nga Perëndia e ruan veten e tij, dhe i ligu nuk e prek atë». Të marra si janë, këto vargje mund ta bëjnë lehtë ndonjë prej nesh të dyshojë nëse është një besimtar i vërtetë.

Dhe, prapëseprapë, ka vargje të tjera në po këtë letër që pranojnë se një besimtar mëkaton, për shembull 1:8-10; 2:1b.

Problemi ka të bëjë kryesisht me përkthimin. Në gjuhën origjinale të Dhiatës së Re ka një dallim midis kryerjes rastësore të akteve të mëkatshme dhe praktikimit të mëkatit si një mënyrë e jetës. I krishteri kryen vërtet akte të mëkatshme, por mëkati nuk është ajo që e karakterizon jetën e tij. Ai është çliruar që të mos zotërohet më prej mëkatit.

Versioni «Ndërkombëtar i Ri» tregon se foljet në këto vargje janë në atë që mund ta quajmë koha e tashme e vazhdueshme, siç vijon: «Askush që jeton në të nuk vazhdon të mëkatojë. Askush që vazhdon të mëkatojë nuk e ka parë, as nuk e ka njohur atë» (3:6). «Askush që është lindur nga Perëndia nuk vazhdon të mëkatojë, sepse fara e Perëndisë qëndron në të; ai nuk mund të vazhdojë të mëkatojë, sepse ai ka lindur nga Perëndia» (3:9). «Ne e dimë se kushdo që ka lindur nga Perëndia nuk vazhdon të mëkatojë; ai që ka lindur nga Perëndia e ruan veten të sigurt dhe i ligu nuk e prek atë» (5:18).

Cilido i krishterë që thotë se nuk mëkaton ka pikëpamje jo të plota se çfarë është mëkati. Siç duket ai nuk kupton se çdo gjë që nuk e arrin standardin e përsosur të Perëndisë është mëkat. Fakti është se ne kryejmë vërtet akte të mëkatshme çdo ditë me mendime, fjalë dhe vepra.

Por Gjoni bën një dallim midis asaj që është e rastësishme dhe asaj që është e zakonshme. Për shenjtorin e vërtetë, mëkati është i huaj dhe drejtësia është karakteristike.

Kur e kuptojmë këtë nuk kemi pse ta torturojmë veten me këto vargje që na bëjnë të dyshojmë shpëtimin tonë. Faktet e thjeshta janë këto: Vullneti i Perëndisë është që ne nuk duhet të mëkatojmë. Fatkeqësisht, ne mëkatojmë. Por mëkati nuk është më forca mbizotëruese në jetën tonë. Ne nuk e praktikojmë më mëkatin siç bënim para se të shpëtoheshim. Nëse mëkatojmë, ne gjejmë falje përmes rrëfimit dhe braktisjes së mëkatit tonë.

Shkrimet e Shenjta

Dita 357Dita 359

Rreth këtij plani

Çdo ditë me radhë

Kjo është mënyra si duhet ta jetoni jetën: Çdo ditë me radhë. Por ajo që e bën tërë ndryshimin është se si e jetoni çdo ditë. Një mënyrë për t’u siguruar që ditët tona mbi tokë kanë vlerë për Perëndinë është ta mbushim mendjen dhe zemrën tonë me “Fjalën e rrënjosur” që të mund të rritemi me anë të saj. Ky është një libër me përsiatje gjallëruese mbi vargjet e Biblës nga shkrimet e freskëta dhe që e lartësojnë Krishtin nga autori William MacDonald.

More

Ky plan leximi u krijua nga Willian MacDonald. http://asamblejabiblike.al