Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Eja Ta AdhurojmëShembull

Eja Ta Adhurojmë

DITA 5 NGA 5

Përulemi Para Pranisë së Perëndisë.

Nëse do të përmblidhej e gjithë Bibla në një fjali, do të ishte:
"Duaje Perëndinë tënd me gjithë zemër, shpirt, forcë, duaje tjetrin si veten." - Urdhërimi i madh!
Nëse në jetën e përditshme do të kemi këtë radhë gjithmonë, jeta do të jetë më e qetë, më e bukur, do të ketë më pak stres.

Perëndia i pari, pastaj vetja ime, pastaj të tjerët.

Sepse normalisht si është radhë: vetja ime së pari, unë, për vete, e imja. Po më ngeli kohë ose po ngeli diçka për të tjerët, për Perëndinë…
Por kjo lloj radhe krijon shumë tension. Ti je krijuar të duash Perëndinë të parin, sepse duke dashur Atë, ke vetëvlerësimin e duhur, je më i qetë, më i sigurt, dhe duke pasur këtë lloj sigurie, të del koha dhe energjia për të bërë për të tjerët.

Ne e adhurojmë Perëndinë kur përkulemi në gjunjë.
Përkulja në gjunjë është adhurim në formë dorëzimi para Perëndisë.

Mateu 2:10-11 'Ata, kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh. Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë.'

Pse ishin kaq të gëzuar? Sepse ishte pritur shekull pas shekujsh, ishin lutur, kishin besuar që një ditë Perëndia do të dërgonte Mesian, Shpëtimtarin e botës, dhe dijetarët besuan që fëmija i sapo lindur ishte Ai.

Këtë dua të ndaj me ty sot: Përulemi Para Pranisë së Perëndisë.

Kur vjen puna te Perëndia, kur e kupton se kush është Ai, sa i dashur, sa i mirë, sa i shenjtë, kur e kupton që Ai e mban jetën tënde, natyrshëm të vjen të përkulesh para Tij.

Një gjë interesante është se askund në Bibël Perëndia nuk ka kërkuar që ne të përkulemi para Tij. Duket sikur Ai e hamendëson, sepse kur njeriu e kupton se kush është Perëndia dhe çfarë ka bërë Ai për të, natyrshëm do përkulet para Tij.
E vetmja gjë që Perëndia thotë në Shkrim është: Mos u përulni para diçkaje tjetër.
Mos u përul para idhujve, gjërave që ti mendon se janë të rëndësishme, gjërave që ti mendon se të japin siguri.
Perëndia thotë: Mos vendos asgjë tjetër para Meje.

Perëndia vetë e përuli veten, erdhi në formë njeriu. Jo vetëm kaq, por madje kur e solli Birin e Tij në tokë, Maria nuk e lindi te ndonjë spital me kushte të mira, por e lindi në një kasolle, sepse nuk kishte vend në hotel, në han.
Ja sa e përuli veten Perëndia për të na thënë se sa na do, sa shumë është gati të bëjë për ne.

Përkulem Si Shenjë KËRKIMI

Përkulem si shenjë kërkimi, sepse dua ta njoh Atë.
Te Marku 10 është një histori interesante e një djali të pasur. Ai kishte gjithçka që i duhej, por përsëri nuk ishte i plotësuar, i ngopur.

Marku 10:17 'Tani kur po bëhej gati për rrugë, i doli përpara dikush me vrap; u gjunjëzua para tij (Jezusit) dhe e pyeti: ''Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?''.'

Është në gjunjë para Jezusit. Ishte kaq i dëshpëruar. Ai kishte çdo gjë që i donte qejfi, por nuk ndihej i plotësuar, prandaj dëshpërimisht vjen te Jezusi për të kërkuar.

Ndoshta ti je në këtë pikë: ke jetuar jetën si ke dashur vetë dhe Perëndia nuk figuron fare në asnjë drejtim.
Por edhe pse ke bërë çfarë ke dashur, përsëri ndjen një boshllëk brenda vetes. Ndoshta të mungon Perëndia në jetën tënde. Dhe nëse e kërkon Atë, Ai do të vijë të banojë në jetën tënde, në momentin që ti ia hap zemrën Atij.

Nëse kjo është situata jote, ja se çfarë duhet të bësh. Lutju Perëndisë me fjalë zemre: “Eja në jetën time dhe mbushe atë, largo gjithë frikërat dhe meraqet e mia. Unë e kuptoj që jam krijuar prej Teje dhe për Ty, më ngop me praninë Tënde, sepse të dua Ty së pari.”
Dhe nëse ke dëshirë të biesh në gjunjë, bjer në gjunjë.

Nëse je i paqartë në lidhje me besimin te Perëndia, sepse kjo që po lexon nuk përputhet me sfondin tënd fetar, lutju Perëndisë: 'Dua të të njoh më shumë, mu shfaq, më fol, më drejto.'

Afrohu te Perëndia dhe Ai do të të afrohet ty.
Nëse ti i afrohesh Perëndisë, Ai do të të afrohet më shumë, duke parë dëshirën tënde të pastër, të çiltër, dëshirën e mirë për ta njohur Atë. Nëse kjo është ajo që ti do, atëherë vendos si ai djali i pasur: 'Unë do e kërkoj, unë do të përulem, për ta kërkuar Atë me shpirt.'

Përkulem Si Shenjë PENDESE

Luka 5:8 'Simon Pjetri, kur pa këtë, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: ''Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar''.'

1 Gjonit 1:9 'Po t'i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.'

Përkulem Si Shenjë DORËZIMI

Çfarë është një zonë e jetës tënde që ti nuk po e lëshon, nuk po heq dorë, sepse do ta kontrollosh vetë? Ndoshta është sot momenti për t'ia dorëzuar Perëndisë dhe do të jesh më i qetë. Sepse e ke lënë në duar të sigurta, nëse ia ke besuar Perëndisë.

Jezusi pati një moment të tillë gjithashtu. Ne festojmë Krishtlindjen; Ai erdhi i lindur nga një virgjëreshë në një grazh, por erdhi që të vdiste në kryq për ne. Jezusi ishte Perëndia i mishëruar dhe e dinte për çfarë kishte ardhur. Ai nuk mëkatoi kurrë, por përsëri përjetoi agoni një natë para se të kryqezohej. Sepse kur të kryqëzohej, do të binin mbi Të të gjithë mëkatet, ligësitë, sëmundjet dhe vuajtjet e njerëzve.

Dhe ai moment ishte aq i zymtë, kur gjithë mëkatet ranë mbi Jezusin në kryq, saqë Shkrimi thotë se Perëndia ktheu shpinën sepse nuk e shikonte dot. Dhe Ai përjetoi tmerr dhe dhimbje kur po vdiste në kryq dhe ishte duke vdekur i vetëm, pa praninë e Perëndisë, atë praninë që i kishte dhënë forcë ditë pas dite në tokë. Jezusi e dinte se çfarë po vinte dhe ja se çfarë ndodhi një natë para kryqëzimit:

Luka 22:41-42 'Dhe u largua prej tyre, aq sa mund të hidhet një gur, dhe ra në gjunjë dhe lutej, duke thënë: ''O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti''.'

Ra në gjunë dhe lutej me lutje dorëzimi.

Kjo mund të jetë lutja jote sot: ti dorëzohesh, bie në tapet si shenjë dorëzimi. 'Unë dorëzohem, jo vullneti im, por i Yti u bëftë.'

Mund Të Përkulesh Tani Ose Mund Të Përkulesh Më Vonë

Një ditë, ti dhe unë, dhe çdo njeri e çdo krijesë, do të bjerë në gjunjë para Perëndisë. Mund të përkulesh tani, për një prej këtyre tre arsyeve: ose sepse po e kërkon Atë, ose sepse po pendohesh para Tij, ose sepse po dorëzohesh para Tij. Ose një ditë, nuk do të jetë më zgjedhja jote, do të biesh në gjunjë gjithësesi.

Filipianëve 2:10-11 'që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë.'

Perëndia nuk na ka kërkuar të biem në gjunjë para Tij, sepse Ai e di që në momentin që ti dhe unë do ta kuptojmë se kush është Ai, herë pas here do të biem në gjunjë duke e adhuruar Atë. Aq i mirë është Ai.

Lutje: “Atë i dashur, Perëndi, vij para Teje në gjunjë. Jam në gjunjë sepse të dua aq shumë, saqë dua të të adhuroj me gjithë qenien time. Jam duke të kërkuar Ty, dhe dua të të them: 'Dua të të njoh më shumë Ty.' Jam në gjunjë sepse ka diçka për të cilën dua të të kërkoj falje dhe të pendohem. Jam në gjunjë sepse dua të të dorëzoj Ty gjithçka. Amen.”

Dita 4

Rreth këtij plani

Eja Ta Adhurojmë

ja të përgatitemi për një udhëtim të jashtëzakonshëm drejt një adhurimi më të thellë dhe pasionant këtë Krishtlindje! Ky plan i veçantë quhet "Eja Ta Adhurojmë"! Ashtu si dijetarët, që udhëtuan nga larg për të kërkuar Jezusin dhe për ta adhuruar Atë, edhe ne këtë muaj kemi mundësinë të kërkojmë praninë e Tij dhe të përjetojmë një adhurim të sinqertë e të fuqishëm. Kjo Krishtlindje është një thirrje për t’u ndalur, për të kthyer sytë nga qielli dhe për të adhuruar Mbretin e mbretërve.

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al