Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Eja Ta AdhurojmëShembull

Eja Ta Adhurojmë

DITA 4 NGA 5

Hape zemrën para Perëndisë, sepse kjo gjë është adhurim.

Nuk e adhurojmë Perëndinë vetëm me mendje (e di se kush është, e di çfarë thotë Shkrimi për Të), por dhe me thellësinë e shpirtit. Nuk ka rëndësi se si është gjendja e zemrës sate, i ke gjërat në vijë, po kalon sfida, je trazuar, apo po kalon një fundvit të vështirë. Dua shumë që sot ti të hapësh zemrën si adhurim ndaj Perëndisë, sepse Ai është besnik, është gjithmonë aty me ty.

Nëse je në ndonjë lloj situate të vështirë, sot dua që ta hapësh zemrën para Perëndisë sepse Ai kujdeset për ata që e kanë zemrën e thyer. Ai është pranë atyre që kanë nevojë për Të.

Le të shikojmë se çfarë thotë Shkrimi se si adhurohet duke i hapur zemrën Perëndisë. Te Psalmet, Davidi ka momente që është në situata jo të mira në jetën e tij.

Psalmet 142:2,5 'Para tij (Perëndisë) paraqes vajtimin tim, para tij parashtroj fatkeqësinë time. Unë të këlthas ty, o Zot, dhe të them: "Ti je streha ime, pjesa ime në tokën e të gjallëve.'

Davidi po ia hap zemrën Perëndisë.

Psalmet 62:8 'Ki besim tek ai (Zoti) vazhdimisht, o popull, hap zemrën tënde para tij; Perëndia është streha jonë. (Sela)'

Ja ça thotë Davidi: Hape Zemrën Para Tij.
Pse? Sepse Ai është streha jonë.

Kur ishe fëmijë, a kishte një vend ku strukeshe që të mos të të gjente njeri, një vend që vetëm ti e dije dhe ndiheshe i sigurt aty? Dhe ndërkohë që rritesh, ai vendi që ndihesh i sigurt, nuk është më një vend. Është një person që të jep siguri kur je me të.

A e mban mend kur ishe fëmijë, kur vinin prindërit në dhomë, iknin gjithë fantazmat dhe lugetërit. Por sa iknin prindërit nga dhoma, çdo hije e zezë të ngjante si fantazmë.

Pse po i them këto gjëra? A nuk është si lidhja jonë me Perëndinë? Perëndia është streha jonë, strehimi ynë. Streha dhe siguria jonë nuk është një vend, është person, është Perëndia ynë. Kështu që thirri Atij. Hape zemrën para Tij. Ai është vendi i sigurt. Dhe ndërsa hap zemrën dhe i thërret Atij, ky është adhurim. Ti je duke e adhuruar Atë.

Kur hap zemrën para Perëndisë, atëherë së pari…

  1. Kujto Besnikërinë e Tij në të Shkuarën

Kujto se si ka qenë besnik Perëndia me ty në të shkuarën, sepse nganjëherë të duket e zymtë e sotmja, të vë para, dhe nuk adhuron dot. Hape zemrën, adhuro duke kujtuar besnikërinë e Tij në të shkuarën.

Psalmet 42:3 'Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".'

A ndihesh si Davidi? Je aq i lënduar, saqë e njom jastikun me lot, je lënduar keq, ndihesh vetëm. Me fjalë të tjera, nëse ti i shërben Perëndisë, pse Perëndia ka lejuar të ndodhin gjëra të tilla në jetën tënde? Disa herë ndihesh, “Ku është Perëndia?”

Psalmet 42:5 'Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brenda trupit tim? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij.'

Lutu kështu, duke i thënë Perëndisë çdo lloj gjëje që mbart zemra: “Zot, çfarë po ndodh, gjithë kjo ngarkesë, gjithë këto tensione, pse nuk po bën ashtu siç mendoj unë se duhet të bësh, dhe se është e drejtë sipas meje të bësh? Ku je, Perëndi?”

Dhe ndërkohë që i hap zemrën, kujto besnikërinë e Tij.

Mos mendo që mërzitet Perëndia, sepse Ai e di se çfarë ke në zemër. Mëshira, dashuria, falja që ka Perëndia për ne fillon nga fillimi çdo ditë.

2. Besoja Të Ardhmen Perëndisë

Besoja të ardhmen Perëndisë, besoji fuqisë së Tij. Ja si thotë psalmisti te Psalmi 102, duket e njëjta situatë si më parë:

Psalmet 102:1-2 'O Zot, dëgjo lutjen time dhe britma ime arriftë tek ty. Mos ma fshih fytyrën tënde ditën e fatkeqësisë sime. Zgjate ndaj meje veshin tënd; kur unë të kërkoj, nxito të më përgjigjesh.'

Psalmet 102:5,7-8 'Duke vajtuar vazhdimisht, lëkura ime po u ngjitet kockave të mia. Jam pa gjumë dhe si harabeli i vetmuar mbi çati. Armiqtë e mi tallen me mua tërë ditën; ata që më përqeshin flasin kundër meje.'

Psalmet 102:12,17 'Por ti, o Zot, mbetesh përjetë, dhe kujtimi yt zgjat brez pas brezi. Ai do të dëgjojë lutjen e njerëzve të braktisur dhe nuk do ta përbuzë lutjen e tyre.'

Por Ti, o Zot. Unë për vete nuk po kuptoj asgjë se çfarë po ndodh. Por Ti, o Zot. Por Ti je besnik. Unë vetëm nuk ia dal dot, por Ti, o Zot, je i fuqishëm.

Pasi të kesh hapur zemrën, të kesh qenë i sinqertë me gjërat që po kalon, ta kesh nxjerrë gjithë vrerin, pelinin, hidhërimin, lëndimin nga vetja, t’ia kesh thënë çdo gjë Atij, kthehu dhe lavdëro Perëndinë: Por Ti, o Zot…

Disa herë në jetë duhet lavdëruar Perëndia para se të ndodhë ajo që ti po kërkon. Ti nuk e di se kur do të ndodhë, por ti e di që Ai është i mirë dhe Ai do të veprojë. Dhe mes dhimbjes çel adhurimi. Jo sepse jeta jote u bë fushë me lule tani, por sepse ti e di që Perëndia është i mirë, prandaj ti fillon e lavdëron Atë.

Lutje: "Zot, merre gjithë ngarkesën time, lehtësoma shpinën dhe pastaj më bëj të ngre të dyja duart lart dhe të them: Por ti, o Zot, Ti je besnik, Ti je i dashur, Ti je në kontroll. Të adhuroj Perëndi, edhe pse jam lënduar. Zot, hap dyer, krijo mundësi, lëviz male, shëro me dorën tënde, pajto me fuqinë tënde, bëj mrekulli në jetën time. Unë zgjedh të pranoj mirësinë tënde, o Perëndi. Të falënderoj që përpara, sepse e di që po vepron. E di që mënyrat e Tua nuk janë mënyrat e mia. Dhe Ti ke plane të mira për jetën time. Unë zgjedh të të besoj Ty, jetën time, situatën time specifike."

Dita 3Dita 5

Rreth këtij plani

Eja Ta Adhurojmë

ja të përgatitemi për një udhëtim të jashtëzakonshëm drejt një adhurimi më të thellë dhe pasionant këtë Krishtlindje! Ky plan i veçantë quhet "Eja Ta Adhurojmë"! Ashtu si dijetarët, që udhëtuan nga larg për të kërkuar Jezusin dhe për ta adhuruar Atë, edhe ne këtë muaj kemi mundësinë të kërkojmë praninë e Tij dhe të përjetojmë një adhurim të sinqertë e të fuqishëm. Kjo Krishtlindje është një thirrje për t’u ndalur, për të kthyer sytë nga qielli dhe për të adhuruar Mbretin e mbretërve.

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al