Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Eja Ta AdhurojmëShembull

Eja Ta Adhurojmë

DITA 3 NGA 5

Si ta adhurojmë Perëndinë me diçka të veçantë: Duke Sjellë Dhurata

  • Mateu 2:2 'duke thënë: ''Ku është mbreti i judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar''.'

Mbreti Herod është shumë i lig, atë e zuri paniku kur dëgjoi se paska lindur një mbret i ri. Ai u ndje i kërcënuar dhe i gënjeu ata, “Kur ta gjeni më çoni fjalë dhe mua se ku jeton, se kam dëshirë edhe unë të shkoj për ta adhuruar.”

  • Mateu 2:9 'Dhe ata, pasi e dëgjuan mbretin, u nisën; dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara atyre derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija.'

Panë yllin dhe e ndoqën derisa e gjetën. Ne lexojmë këtë varg, por nuk e dimë se sa iu kushtoi kjo gjë atyre. Rrugë e gjatë e lodhshme. Dhe gjithë ky mundim përse? Sepse besuan që ka lindur një mbret i ri që mund të jetë Shpëtimtari.

  • Mateu 2:10 'Ata, kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh.'

Le ta shohim më nga afër këtë gëzim të madh. Nuk kishin si ta përshkruanin më shumë se kaq sesa të gëzuar ishin. Sepse ardhja e Shpëtimtarit ishte pritur me shekuj që të ndodhte. Njerëzit shpresonin që një ditë do të vinte Ai që Perëndia e ka premtuar dhe do t’i shpëtonte nga mëkatet e tyre.

Dhe kur kjo po ndodhte, ata ishin shumë, po shumë fare të gëzuar, super të gëzuar, hata fare, gëzim gjigant.

Sot me të krishterët, ka disa që janë pa gëzim fare.
Nuk ka kuptim të mos gëzohesh, kur kupton sesa shumë të do Perëndia ty, aq sa dha, aq sa solli Birin e Tij, bëri diçka që ti dhe unë nuk e meritonim, nuk e fituam kurrë vetë. Kjo është arsye e madhe për të qenë të gëzuar.
Qeshu, gëzohu, tregoje që njeh Perëndinë. Le ta shikojnë të tjerët gëzimin tënd në Zotin. Për shkak se ke njohur dashurinë e Perëndisë, ti duhet të jesh personi më i gëzuar në botë. S’ka rëndësi se çfarë vështirësish has në jetë, Perëndia ka premtuar që do të jetë me ty. Ke premtimin që gjithë gjërat do të bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan Perëndinë. Ke në anën tënde Perëndinë që është i kudo-ndodhur, i gjithë-dijshëm, i gjithë-fuqishëm.

  • Mateu 2:11 'Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë.'

Dijetarët kishin sjellë ar, temjan dhe mirrë. Ata e adhuruan, ishin të gëzuar me një gëzim të madh dhe i kishin sjellë dhurata si mënyrë adhurimi ndaj Tij, ndërkohë që ranë përmbys në gjunjë. Dhe me këtë gëzim kaq të madh ata i hapën dhuratat dhe ia dhanë Jezusit. Sepse dashuria jep, kur e do dikë, ti do që t’i dhurosh, t’i japësh gjëra.

Kush është vargu më i njohur i Biblës? Gjoni 3:16. Edhe nëse nuk e ke lexuar Biblën asnjëherë, ka mundësi e ke dëgjuar ose lexuar diku: "Sepse Perëndia aq shumë e deshi botën…" Sa e deshi? Sa dha! Perëndia nuk i dha botës thjesht disa dhurata, jo, i dhuroi Birin e Tij. Aq shumë na do Perëndia ne.

Sepse dashuria jep. Kur Perëndia pa krijimin dhe pa që mëkati e ndau njeriun nga Perëndia, e vetmja mënyrë sesi mund ta ribashkonte njeriun me Perëndinë ishte që dikush të vinte dhe të vdiste në vendin e tyre, dikush pa mëkate. Ai erdhi në mish dhe banoi ndër ne, që kushdo që do besonte tek Ai të kishte jetën e përjetshme. Dashuria jep. Ne e duam Perëndinë sepse Ai na deshi i pari.

  • Romakëve 5:8 'Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.'

Perëndia erdhi dhe e tregoi dashurinë e Tij këtu në tokë. Jezusi erdhi, Jezusi vdiq, sepse na deshi shumë.

Tani, ndërsa po flas për dhënien, ti ndoshta s’i ke qejf këto biseda. Ti thua, “Unë e dua Perëndinë, por kur vjen puna te dhënia e kam të vështirë. Dua të jap, por s’kam; kur të kem, do të jap. Dua të jap, por kam frikë se mos mbetem pa gjë. Kam frikën e varfërisë.” Por Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por frymë force dhe dashurie.

Te Fjalët e Urta, thuhet ta nderosh Zotin me pasurinë tënde, ta adhurosh Zotin duke dhënë, dhe do të bekohesh fort, shumë fort.
Adhuroje Zotin në fillim, me prodhimin e parë, jo në fund me çfarë ngelet, por dhuroja Atij së pari, që kur e merr rrogën, me frutin e parë.
Te Malakia thuhet që ne adhurojmë Perëndinë me të 1/10 tonë. Dhe kur e bëjmë këtë gjë, Perëndia hap pragjet e qiellit për ne. Prandaj e adhurojmë Perëndinë së pari me pjesën e parë.

Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.

Është e vetmja herë që Perëndia thotë: 'Më vini në provë. Më vendosni Mua të parin edhe të paratë tuaja dhe shikoni se si do të kujdesem për ju.'

Dhurata Më e Madhe…

Ne japim jetët tona, ne adhurojmë me gjithë jetën tonë. Pali, për ata që nuk e dinë, ishte person që i urrente të krishterët. Aq shumë sa iu lëshua atyre me rekomandime nga drejtuesit e asaj kohe dhe i burgoste dhe i vriste të krishterët.

Por kur takoi Jezusin, jeta e tij u transformua, u ndryshua rrënjësisht.

  • Romakëve 12:1 'O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mençur.'

Një përkthim tjetër e thotë: "Ky është adhurimi juaj i pëlqyer para Perëndisë."

Kjo është shërbesa më e bukur, më me mend që mund të bësh, kur ti dorëzon veten tënde, të gjithë në duart e Perëndisë.

Lutje: “Unë të adhuroj Ty Perëndi duke dhënë, unë po jap sepse besoj që Ti do të kujdesesh për nevojat e mia. Për shkak se kam besim te Ti Perëndi me gjithë zemër, për shkak se nuk mbështetem në gjykimin tim, unë do të të dorëzoj çdo gjë Ty. Ti më njeh, Ti e di, Ti do të më udhëzosh hap pas hapi. Unë do të të besoj Ty pjesën e parë të të ardhurave të mia dhe do të besoj që Ti do të bësh pjesën tjetër.”

Dita 2Dita 4

Rreth këtij plani

Eja Ta Adhurojmë

ja të përgatitemi për një udhëtim të jashtëzakonshëm drejt një adhurimi më të thellë dhe pasionant këtë Krishtlindje! Ky plan i veçantë quhet "Eja Ta Adhurojmë"! Ashtu si dijetarët, që udhëtuan nga larg për të kërkuar Jezusin dhe për ta adhuruar Atë, edhe ne këtë muaj kemi mundësinë të kërkojmë praninë e Tij dhe të përjetojmë një adhurim të sinqertë e të fuqishëm. Kjo Krishtlindje është një thirrje për t’u ndalur, për të kthyer sytë nga qielli dhe për të adhuruar Mbretin e mbretërve.

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al