Si të Fitoj në Arenën e Madhe?Shembull
Si T’i Mposhtësh Mendimet Negative?
Ajo që dua të theksoj sot, është se si një…
Përjetim i Keq Dje—Filtër Në Mendje Sot
Një përjetim i keq, diçka jo fort e mirë, kthehet në filtër se si i shikojmë gjërat sot. Dhe…
Filtri që ke ndikon se si e shikon jetën.
Nëse kur ke qenë duke u rritur të ka ndodhur diçka e keqe, pasi rritesh ajo gjë të ndikon se si shikon situatat, njerëzit, jetën në përgjithësi.
P.sh., nëse je rritur me meshkuj abuzues, filtri yt thotë se të gjithë burrat janë të dhunshëm, janë si gjë e egër.
Ose nëse ta ka thyer zemrën një vajzë, filtri yt thotë se të gjitha gocat janë të pabesa.
Ose, nëse je rritur me prindër që të kanë thënë se ata që kanë lekë janë njerëz të këqij, dhe ty po të ecin gjërat, ke filluar një punë të mirë dhe merr rrogë shumë të mirë, ti ndihesh keq, sepse filtri yt thotë se tani që ke lekë, je njeri i keq.
E sigurt që shumicën e herëve kur ti poston diçka, ti përdor filtrat e social medias ose të celularit tënd.
Edhe në jetë, ti i lidh situatat e tua me filtrat që ke marrë nga jeta. Prandaj dy njerëz të ndryshëm reagojnë ndryshe para një situate të njëjtë.
Nuk Kanë Ndyshuar FAKTET - Është ndikimi i FILTRIT
Tek libri i Numrave, Moisiu dërgoi 12 vëzhgues për të parë tokën e premtuar. Ata panë të njëjtën gjë dhe raportimi ishte i ndryshëm.
2 prej tyre thanë, “O sa e mirë që është ajo toka që na ka premtuar Perëndia, sa e bukur, sa prodhimtare, sa mrekulli, nuk ka si të bëhet më e mirë dhe më e bukur.”
10 thanë, “Është vend i rrezikshëm, po shkuam atje do vritemi, pamë njerëz gjigandë, para atyre ne dukeshim si karkaleca. Obobo, nuk duhet të shkojmë.”
Faktet nuk kishin ndryshuar, panë të njëjtën tokë, por me çfarë filtri e panë, kjo është çështja. Ndikohesh nga filtri, por edhe nga ku po fokusohesh.
Fokus i Ri
Ajo që po përbuz ti sot dhe do të heqësh dorë, një tjetër e shikon si super mundësi. Ti përbuz shkollën, punën, familjen, lidhjen, por një tjetër thotë, “Ah, ta kisha unë atë që ke ti, shtëpinë, punën, familjen…”
Çfarë ka ndryshuar, po fokusohesh se çfarë nuk shkon, apo çfarë të mire ka aty? Shiko, në jetë…
Nuk e kontrollojmë dot se çfarë mund të na ndodhë. Por mund ta kontrollojmë se ku do fokusohemi.
A je afruar ndopak me pritjet e tua, synimet që i ke vënë vetes? Ndoshta ti ke pritur, po deri tani s’kanë ndodhur. Ti mendon kështu,“Unë duhet të kisha këtë e atë, duhet të isha këtu e aty. Kisha pritje të tjera nga shkolla, martesa, puna, lidhja.” Dhe ndoshta mendon, "Po si përfundova unë kështu? Çfarë synimesh e dëshirash kisha, e çfarë kam sot?"
Pali besoi që Perëndia e kishte thirrur për të shkuar në Romë, për të predikuar Lajmin e Mirë, sepse Roma ishte kryeqyteti i botës në shekullin e parë dhe besoi që duke ungjillizuar Romën, e gjithë bota do të ndikohej. Kjo ishte dëshira e tij e madhe. Dhe gjërat shkuan shumë keq. Pali shkoi në Romë, por jo si misionar, si i burgosur në pritje për t’u ekzekutuar. Çfarë donte ai, çfarë priste të merrte dhe çfarë mori! Pali mund ta fokusonte mendjen në dy gjëra, ose t’i jepte ngjyra negative, ose ngjyra pozitive. Ja si thotë ai tek Filipianëve 1:12-13 'Tani, vëllezër dua ta dini, se gjërat që më kanë ndodhur ndihmuan më shumë për përhapjen e ungjillit, aq sa gjithë pretoriumi dhe të tjerët mbarë e dinë se unë jam në vargonj për Krishtin;'
Ajo që duket e keqe + fokusimi i duhur = Doli si mundësi e mirë!
Filipianëve 1:14 'dhe pjesa më e madhe e vëllezërve në Zotin,të inkurajuar nga vargonjtë e mia, kanë marrë meshumë guxim në shpalljen e fjalëssë Perëndisë pa frikë.'
Nuk kanë ndryshuar faktet, por ku po fokusohet. Si ta bëjmë sa më praktike këtë gjë?
Fokus i Ri Për Jetën dhe Marrëdhëniet
1) Falenderoje Perëndinë për ato që s’të kanë ndodhur.
Mos u fokuso te negativja, te ajo që s’ka ndodhur, por te pozitivja.
2) Praktikoje fokusimin e ri.
Çfarëdo nofke që mund të të kenë vënë njerëzit, rifokusoje pozitivisht, dhe beso që Perëndia do e përdorë pozitivisht. Kërko për të dalluar mirësinë e Perëndisë. Nëse kërkon gabime, ke për të gjetur shumë. Nëse kërkon për të dalluar mirësinë e Perëndisë, dorën e Tij në jetën tënde, ke për ta gjetur.
E njëjta gjë për ne, nëse do kërkosh gabime, dështime, kalbësira, do gjesh sa të duash. Do gjesh atë që kërkon. Por nëse do të kërkosh se ku po punon Perëndia, ku po vepron, çfarë po bën, çfarë të mirash ka familja jote, puna, martesa, lidhja, shkolla, ke për ta gjetur atë që kërkon.
Do kërkojmë për të dalluar mirësinë e Perëndisë apo do kërkojmë çfarë nuk shkon?
Nëse Perëndia thotë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për mirë, atëherë le të mos lejojmë mendimet negative të na mbushin kokën,“Ti s’di, ti s’ke, ti s’bën.” Por të fokusohemi ndryshe, sipas mirësisë së Perëndisë. Ai ka premtuar dhe e mban fjalën.
Lutje: "Faleminderit Perëndi për gjërat që s’kanë ndodhur, sepse Ti je Ati im, Ti do më të mirën për mua, unë nuk e shoh sot, por i besoj dashurisë Sate. Dua të fokusohem ndryshe, t’i interpretoj gjërat sipas mirësisë Sate o Perëndi, sepse Ti ke premtuar dhe e mban fjalën. Më ndihmo të mos e lejoj të ligun të më fusë në robërinë e gënjeshtrave, por të kapem tek e vërteta, sepse e vërteta më bën të lirë. Dua të fitoj në Arenën e Madhe në mendjen time betejë pas beteje. Amen!"
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Çdo ditë kalojmë nëpër mijëra mendime, shumica të mbushura me negativitet. Por ka shpresë! Fjala e Perëndisë ka fuqinë të përtërijë mendjen tonë, duke e mbushur atë me të vërtetat e Tij të jetës dhe dritës. Ky plan do të ndihmojë në identifikimin e mendimeve negative dhe zëvendësimin e tyre me premtimet e Perëndisë, për të fituar betejën në arenën e mendjes dhe për të jetuar një jetë plot paqe dhe qëllim.
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al