Si të Fitoj në Arenën e Madhe?Shembull
Jeta Jote Shkon Pas Mendimeve Më Të Forta.
Jeta merr formën e mendimeve më të forta, bindjeve më të forta që ke ti.
Në një studim ka dalë se shumica e problemeve që ke me veten, ka lidhje me diçka që po mendon keq në mendjen tënde. Streset që mund të kesh, shqetësimet, ankthet apo varësitë, kanë lidhje me mendime të helmuara. Prandaj shkrimi thotë tek Fjalët e urta 23:7a 'sepse, ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai…'
Jeta që bëjmë përditë reflekton atë që ndodh në mendjen tonë.
Nëse ke ndjenja viktimizimi, “Të gjithë ma kanë me të keq, të gjithë s’më duan, të gjithë me mua e kanë”, ka shumë gjasa që do ndihesh si viktimë në çdo grup njerëzish që rri. Por, ndryshimin e bën fuqia e Krishtit në ty për t’i kaluar, për t’i mundur këto mendime dhe për të jetuar jetën që Zoti ka për ty.
Ndalo një moment për të bërë një test të mendimeve që ke patur sot ose këtë javë, në tri kategori. (Do të shohim 2 kategori sot, dhe 1 nesër.)
I shqetësuar apo i qetë?
Si ka qenë dita, java? E gjen veten duke u shqetësuar më shumë, apo duke ia lënë shqetësimet Perëndisë? Çfarë ndodh kur ia lë shqetësimet Atij?
Ndien qetësi dhe çlodhje, sepse e di që Ai është i mirë, Ai është në kontroll, Fryma e Tij banon në ty.
Mendime negative apo pozitive?
A je gjithmonë ankues? Apo je pozitiv edhe kur gjërat shkojnë lëmsh dhe ti thua:“Krishti në mua është forcë, do ia dal me Të!”
Mendon gjëra të botës apo gjëra të përjetshme? A i ke sytë vetëm te gjërat që ke dhe sa më shumë gjëra ke, aq më i sigurt ndihesh? A e ke mendjen çfarë mendojnë të tjerët për ty, a të rritet vetëvlerësimi vetëm kur të bëjnë komplimente?
Apo i ke sytë nga gjërat e përjetshme, “Këto që kam m’i ka dhënë Perëndia dhe do i adminstroj sikur do t’i jap llogari Atij. Dhuntitë që kam, aftësitë që kam, janë prej Tij dhe do i përdor që të marri nderim Ai”. A je bujar me ato që të jep Perëndia?
Ajo që hyn në mendje, reflektohet në jetën e përditshme. Nëse nuk e fikson këtë gjë, nuk do ketë rëndësi se çfarë bën, çfarë ke, kë njeh, çfarë blen, ku jeton, ku shkon me pushime, sepse…
Nuk Mund të Kesh Një Jetë Pozitive Nëse Ke Mendje Negative!
A je i kënaqur me drejtimin që kanë mendimet e tua tani?
Kjo është lutja ime kur e shoh që peshorja merr për nga ana negative: “Perëndi, ma përtëri mendjen, m’i zëvendëso mendimet negative me të vërtetat e Tua.”
Dy gjëra që dua të të nxis të bësh sot:
Së pari: Gjej fortesat e mëdha, ato që po të pengojnë.
Fortesa është ajo bindja e fortë që të është ngulitur në mendje dhe që është gënjeshtër.
Kur ti e mendon shpesh diçka, çfarëdo që të jetë, pozitive ose negative, ajo krijon një si rrugë, si shteg në kokë. Ato mendime që mendon më shumë, aty është bërë rruga e gjerë, është shkelur mirë, është bërë “autostradë” fare.
Cila është “autostradra” jote, ajo që të pengon, gënjeshtra që po beson? Kërkoji Frymës ta zbulojë që tani, nëse nuk ishte ndonjëra nga ato që përmenda.
Për të menduar ndryshe: Krijo një shteg të ri në mendje.
Kjo është detyra, puna dhe përgjegjësia jote për sot dhe këto ditë: Gjej një, vetëm një fortesë që të pengon. Mos i gjej të gjitha për një ditë, sepse nëse sulmon 100 fortesa përnjëherësh, asnjërën s’do të shkatërrosh.
E dyta: Gjej të VËRTETËN që e shkatërron atë fortesë.
Jezusi tha te Gjoni 8:32 'do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t'ju bëjë të lirë''.'
Gënjeshtra të skllavëron, kurse e vërteta të bën të lirë.
Ka gjasa, që dikush po jeton në bazë të një gënjeshtre që i është thënë. Edhe unë kam gënjyer, e them publikisht, por shiko, është gënjeshtër e falur.
Te Efesianëve kapitulli 6, radhitet armatimi frymëror. Të gjitha janë armatime për t’u mbrojtur. Vetëm një është për të sulmuar. E di cili është?
Shpata, që është Fjala e Perëndisë. Ajo është më e mprehtë se shpata me dy tehe dhe i pret, i copëton gënjeshtrat e armikut. Lejoje Fjalën e Perëndisë që t’i nënshtrojë gënjeshtrat e të ligut.
2 Pjetrit 1:3 'Duke qenë se fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet,'
Personalizoje këtë varg. Ti je ashtu siç thotë Fjala e Perëndisë!
Le të lutemi: “Atë i dashur, faleminderit për Fjalën Tënde. Lutem që të më kujtosh të nënshtroj çdo mendim negativ, dhe ta ballafaqoj me atë që thotë Shkrimi. Lutem dhe kërkoj që të shkatërrosh çdo fortesë të armikut, dhe ta zëvendësosh me të vërtetën Tënde. Amen!”
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Çdo ditë kalojmë nëpër mijëra mendime, shumica të mbushura me negativitet. Por ka shpresë! Fjala e Perëndisë ka fuqinë të përtërijë mendjen tonë, duke e mbushur atë me të vërtetat e Tij të jetës dhe dritës. Ky plan do të ndihmojë në identifikimin e mendimeve negative dhe zëvendësimin e tyre me premtimet e Perëndisë, për të fituar betejën në arenën e mendjes dhe për të jetuar një jetë plot paqe dhe qëllim.
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al