Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Si të Fitoj në Arenën e Madhe?Shembull

Si të Fitoj në Arenën e Madhe?

DITA 3 NGA 5

Si Të Kaloj Në Nivelin Tjetër?

Romakëve 12:2 'Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, '

Mos mendo siç mendon bota, mos bëj si ata, mos u sill siç sillet bota. Mos u konformo, mos u përshtat me modelin e tyre, por transformohu, ndryshohu, përtërihu. Po si bëhet kjo gjë?

Me anë të ripërtëritjes së mendjes tënde!
Mendja jonë është arenë e madhe me mijëra mendime që kalojnë çdo ditë. Çfarëdo qofshin fortesat dhe gënjeshtrat e të ligut që i mendon aq shumë saqë të janë bërë bindje të forta, mund t’i shkatërrosh vetëm duke i ballafaquar me të vërtetën, atë që thotë Perëndia për ty, për ne.

Pse kanë rëndësi mendimet që kalojmë në kokë? Sepse:

Çfarë Mendon Njeriu, Ashtu Është.

Nuk mund të kesh jetë pozitive me mendje negative! Sot do të shikojmë disa hapa praktikë se si t’i trajnosh mendimet e tua duke krijuar rrugë apo shtigje të reja.

Filipianëve 4:8 'Së fundi, vëllezër (dhe motra), të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt (vlerë) dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni.'

Pali nuk thotë: “Përgatituni për ditë të vështira, të zinjtë ju”, as nuk thotë: “Mendoni më të keqen”, as “Mendoni të hakmerreni për mua, se më kanë bërë njëqind të zezat në burg”.

Jo! Mendoni gjëra që kanë ndonjë virtyt, ndonjë vlerë. Jo hakmarrje, jo gjë tjetër, vetëm këto tetë gjërat, këto mendoni, këto të keni në mendje, këto të meditoni.
Çfarë është meditimi?

Meditim—Ushtrim i mendjes, të fokusohesh në një mendim.
Ta ushtrosh, ta fokusosh mendjen në diçka dhe ta përtypësh atë mendim dhe ta mbash mendjen aty.
Pali thotë të mos mendojmë shqetësimet, por këto tetë gjëra. Sa shumë shembuj ka Bibla se si njerëz të perëndishëm meditonin!

Meditimi i krishterë: Mbush mendjen me të vërtetën (Mbush, fokuso mendjen tek e vërteta)

Fokusimi i mendjes është aftësi që do përvetësuar, sepse ka shumë, shumë gjëra që kërkojnë vëmendjen tënde dhe shumica janë negative. Prandaj do trajnuar mendja që të mbushet dhe të përtypë, të meditojë mbi Fjalën e Perëndisë. Ti lexon Fjalën e Perëndisë dhe merr një fjalë, një varg dhe e mendon, e përtyp atë varg. Ti ke një hall, ose një sfidë dhe mediton mbi atë se çfarë ka bërë Perëndia për ty së pari dhe mediton se si Ai është kujdesur për ty. Sepse ndryshe mendja do të devijojë.

Devijim i Mendjes—Zakonisht drejt gënjeshtrave: "S’kam, S’di, S’bëj”.
Nëse nuk mediton me qëllim, do meditosh mbi shqetësimet dhe gënjeshtrat e të ligut. Sepse natyrshëm devijon drejt gënjeshtrave, jo drejt së vërtetës, nëse nuk je i qëllimshëm.

Cilat janë dy gjërat në trajnimin e mendjes tonë?

Cila Fortesë Po Të Pengon?
Cila është fortesa që po të pengon ty më shumë? Mund të jetë një gënjeshtër që ke besuar që i vogël. Çfarë është një fortesë që po të pengon, sepse e ke stërvitur trurin duke e përsëritur aq shpesh saqë e di përmendësh tani?

Cila e Vërtetë e Shkatërron Atë Fortesë?
Çfarë thotë Shkrimi për atë gjë? Fjala e Perëndisë është e gjallë, është vepruese, më e mprehtë se shpata me dy tehe, ajo e trasformon mendjen tonë. Jo vetëm kaq, por bëj një model të tillë: Shkruaje—Mendoje—Rrëfeje—Derisa ta besosh.

Krijo një shteg të ri në mendjen tënde—Përtërije mendjen me të vërtetën. Shkruaje diku, te “Notes” apo në letër premtimin e Perëndisë që shkon me situatën që e kundërshton fortesën tënde. Pastaj mendo për këtë të vërtetë, rrëfeje: Më fal Perëndi që e kam lodhur veten me këtë gënjeshtër”, derisa kur? Derisa ta besosh të vërtetën që të ka thënë Perëndia.

Gjeje cila është fortesa jote, gënjeshtrën që ke besuar dhe çfarë të vërtetash e shkatërrojnë atë.

Unë Deklaroj se:

· Unë jam i fortë, unë mundem. E njëjta fuqi që ringjalli Krishtin nga vdekja banon në mua. Unë jam drejtësuar nga Krishti para Perëndisë për të përfaqësuar Atë në këtë botë.

· Unë nuk banoj në të shkuarën. Ajo që bëra atëherë është falur dhe larë me gjakun e Krishtit. Sot jam bir/bijë e Perëndisë. Jam i falur, jam i blerë me çmimin më të lartë, jam i shpenguar, jam i lirë.

· Unë nuk jam i burgosur nga mendime të liga dhe të pashëndetshme. Armët që luftoj nuk janë të kësaj bote, por janë të fuqishme për të shkatërruar fortesat që i ligu ka ndërtuar në mendjen time. Unë kam fuqi nga Perëndia për t’i shkatërruar ato.

· Unë kam mendjen e Krishtit, Ai m’i drejton mendimet e mia. Unë kam Fjalën e Perëndisë që më drejton hapat e mia si llambë në shtegun tim dhe si dritë në rrugën time.

· Unë nuk jam peng i shqetësimeve. Unë i besoj Perëndisë për ditën sot dhe për të nesërmen time. Paqja e Tij e ruan zemrën dhe mendjen time. Fryma e Tij më mbush dhe lehtëson sfidat e mia.

· Perëndia im nuk më ka dhënë frymë frike, por frymë fuqie, dashurie dhe vetëkontrolli.

· Zoti është ndihma ime. Unë s’do të kem frikë.

· Unë nuk jam rob i zakoneve të mia, i varësive të mia. Unë jam shpëtuar nga fuqia e errësirës dhe jam sjellë në mbretërinë e dritës së Perëndisë.

· Unë do të bekohem nga Perëndia me bollëkun e Tij, që duke patur, të jem bekim për të tjerët që Ai sjell në jetën time.

· Asgjë nuk më ndan mua nga dashuria e Perëndisë. As vdekja, as i ligu, as e shkuara, as e tashmja. Nuk ka pushtet në këtë qiell dhe tokë që të më ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Krishtin Jezus, Zotin tim.

Jeta Jote Shkon Pas Mendimeve Më Të Forta.

Kështu që fokusoje mendjen te të vërtetat e Perëndisë për jetën tënde. Mendo ato që janë të vërteta, të ndershme, të drejta, të pastra, të dashura, që kanë famë të mirë, kanë virtyt, kanë lëvdim.

Le të lutemi:“Atë, të kërkoj në emrin Jezus, me anë të fuqisë Sate, e njëjta fuqi që ringjalli Krishtin nga vdekja dhe me anë të fjalës Sate, ma përtëri mendjen. Më ndihmo të gjej gënjeshtrën, fortesën që më pengon. Ma zbulo. Dhe pastaj më jep Shkrimin, që ta shpall mbi atë gënjeshtër, që ta shkatërroj atë fortesë. Në emrin e Jezusit, amen."

Dita 2Dita 4

Rreth këtij plani

Si të Fitoj në Arenën e Madhe?

Çdo ditë kalojmë nëpër mijëra mendime, shumica të mbushura me negativitet. Por ka shpresë! Fjala e Perëndisë ka fuqinë të përtërijë mendjen tonë, duke e mbushur atë me të vërtetat e Tij të jetës dhe dritës. Ky plan do të ndihmojë në identifikimin e mendimeve negative dhe zëvendësimin e tyre me premtimet e Perëndisë, për të fituar betejën në arenën e mendjes dhe për të jetuar një jetë plot paqe dhe qëllim.

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al