Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Si të Fitoj në Arenën e Madhe?Shembull

Si të Fitoj në Arenën e Madhe?

DITA 1 NGA 5

Shumica e betejave janë humbur ose fituar në arenën e mendjes.

Po lexoja një studim për mendjen që thoshte se në një ditë normale kemi mbi 6000 mendime dhe 80% e tyre janë negative.

Por lajmi i mirë është se Fjala e Perëndisë është e fuqishme, jo thjesht për të na ndihmuar ne, por për të na transformuar dhe për të na përtërirë mendjen tonë me të vërtetat e Saj.

Do të shikojmë se çfarë thotë Pali, një ndër apostujt e parë, misionari më i njohur i krishtërimit, ai që ishte i mësuar dhe i përgatitur në shumë fusha të jetës. Por edhe ai vetë e kishte këtë tension, këtë betejë të vazhdueshme në mendje. Ja si thotë te Romakëve 7:19 'Në fakt të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s'dua, atë bëj.'

Këtë betejë kishte Pali, madje shumë prej nesh e kemi këtë lloj beteje: “Gjërat që nuk dua, ato bëj, gjërat që dua, që e di se duhen bërë, ato s’i bëj”.

Si arriti Pali ta fitonte këtë betejë në mendje? Ja si tha ai te 2 e Korintasve 10:3-4 'Sepse, edhe pse ecim në mish (jetojmë në këtë botë), nuk luftojmë sipas mishit, (nuk luftojmë siç bën kjo botë) sepse armët e luftës sonë nuk janë prej mishi (nuk janë të kësaj bote), por të fuqishme në Perëndinë për të shkatërruar fortesat,'

Armët tona janë të fuqishme dhe fjala “fuqi” te ky varg vjen nga fjala “dinamit”. Dunamis—Dinamit. Armët që kemi për shkak se i takojnë Perëndisë, janë si “Dinamit”, si “Tritol”, që shkatërrojnë fortesat, bindjet e forta që na nguliten në kokë.

“Fortesat” ka kuptimin e vendeve ku jetonin njerëzit në atë kohë, është fjala: Okuroma-kështjellë/kala. I ligu do që të ndërtojë bindje të forta, fortesa të tilla në mendjen tonë, kala, që të themi me siguri, “JO, është kështu si mendoj unë dhe PIKË”.

Mik i dashur, Krishti e mundi djallin duke vdekur në kryq. Fitoi mbi të. Çdo person që i përket Jezusit është fitimtar mbi të ligun. Ai nuk mund të na sulmojë në forma të tjera, përveç se na hedh mendime në kokën tonë.

Dhe duke i menduar këto ide shumë herë, ti thua, “Janë mendimet e mia, këto bindje kam patur gjithmonë, që në kopsht”. Mendime të tilla si:

“Mos i beso askujt, të gjithë janë mashtrues. Unë s’do arrij gjë në jetë. Unë s’do shoh ndonjëherë mirë, s’do kem ndonjëherë familje, s’do kem ndonjëherë lekë në portofol, s’do kem ndonjëherë lidhje të saktë, unë do lidhem vetëm me ‘gomerë’ të trashë që nuk do më duan siç dua unë, s’do më kuptojnë ndonjëherë. Perëndia nuk i dëgjon lutjet e mia. Perëndisë nuk i bëhet vonë për mua. Jeta ime copë-copë do jetë…”

Si të merremi me këto mendime, fortesa, bindje të çimentuara dhe të forta? Shkrimi thotë tek 2 e Korintasve 10:5 'që të hedhim poshtë mendimet (shkatërrojmë çdo mendim) dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë dhe t'ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit,'

Si Të Fitoj Në Arenën e Madhe? Si të fitoj në mendjen time?

Lutje: “Atë, në emrin Jezus, kërkoj që Fjala jote e gjallë, vepruese dhe e fuqishme do të më përtërijë mendjet. Më çliro nga çdo lloj mendimi që më vjedh gëzimin, qetësinë dhe thirrjen që ke për mua. Më bëj të lirë në mendjen time, siç thotë Fjala jote, “E vërteta do t’ju bëjë të lirë”. Në emrin Jezus, amen.”

Dita 2

Rreth këtij plani

Si të Fitoj në Arenën e Madhe?

Çdo ditë kalojmë nëpër mijëra mendime, shumica të mbushura me negativitet. Por ka shpresë! Fjala e Perëndisë ka fuqinë të përtërijë mendjen tonë, duke e mbushur atë me të vërtetat e Tij të jetës dhe dritës. Ky plan do të ndihmojë në identifikimin e mendimeve negative dhe zëvendësimin e tyre me premtimet e Perëndisë, për të fituar betejën në arenën e mendjes dhe për të jetuar një jetë plot paqe dhe qëllim.

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al