Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

TrashëgimiaShembull

Trashëgimia

DITA 5 NGA 5

Bëj Çdo Gjë Me Qëllim!

Si t’u japim TRE gjëra me qëllim brezit tjetër, që të kenë sukses në anën frymërore? Nëse nuk u japim diçka me qëllim, ka gjasa që do marrin diçka tjetër, padashje. Ja tre gjëra që ua japim padashje (e nisim me dëshirën e mirë, por rrugës bëjmë më shumë dëme sesa mirë):

1. U japim merita që s’u takojnë
2. U japim gjëra që nuk i kanë fituar
3. U japim liri që s’dinë si ta menaxhojnë

Dua të shikojmë tri gjëra unike nga libri i pestë i Biblës. Si të jemi të qëllishëm, që t’i japim brezit të ri tri gjëra me qëllim:

1 - T’u Japim Një Komunitet Për Së Mbari
Ligji i Përtërirë 6:4' Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm.'
I drejtohet kombit, që do të thotë, ky ishte besimi i një kombi, i të gjithëve si popull. S’ishte vetëm besim i pesë familjeve, por i të gjithë kombit. Të gjithë bashkë si komunitet besonin të njëjtën gjë, kishin vlera të njëjta të gjithë.
Për ne si të krishterë ungjillorë, kisha jonë është familja jonë, fisi ynë, komuniteti ynë dhe kisha tjetër ungjillore është një familje tjetër, një komunitet tjetër, por të gjithë bashkë, bëjmë kishën e madhe, trupin e madh të Krishtit. Dhe bashkë bëjmë mbretërinë e Perëndisë, ku mbret është Krishti.

2 - Një Standard Për Së Mbari
Ligji i Përtërirë 6:5 'Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.'
Cili është standardi ynë? Sipas këtij vargu, nuk është, “Hajt mo, sa për sy e faqe”, por do ta duam Perëndinë me gjithë zemër, me gjithë shpirt, me gjithë forcën tonë. Ta duam me 100% tonë.
Jezusi kur erdhi nuk e uli standardin, Ai e ngriti më shumë atë. Te Dhjata e Vjetër thuhet: “Mos vrit”, por Jezusi, e ngriti standardin: “As mos e urre dikë”, fike që në mendim.
Te Dhjata e Vjetër thuhet: “Mos kryej tradhëti bashkëshortore”, Jezusi e ngriti standardin: “As mos e dëshiro në mendje”, fike që kur të vjen si epsh.

Nëse je ndjekës i Krishtit, ti je “zjarr” aty ku je! Nëse je në punë, ti je 100% në punë dhe jep maksimumin tënd sepse e ke standartin e lartë, e bën punën si për Zotin. Nëse je në shkollë, je 100% aty, sy e veshë në mësim, je “zjarr” me notat dhe vëmendjen. Nëse je i martuar, ti je super partner, mendon për të më shumë sesa për vete. Jezusi e ngriti shumë lart standartin! Këtë na thotë dhe ne: “Atë që bën, bëje me 100% pasion. Ti nuk e njeh fjalën “Ndoshta”, as “P-jo”.
Kur i flet vetes ose fëmijëve, mos u thuaj: “Shkoni në shkollë, mundohuni të jeni si të tjerët, jini njerëz të mirë si të gjithë. Ose në punë, jini si të gjithë.”
Jo, ngrije standartin: “Kur të shkosh në shkollë/ në punë, mos harro se je ti drita e botës, ti je kripa, shija e bisedave. Krishti banon në ty. Sill ndikim aty ku je. Ti s’je viktimë, ti sjell ndikim aty ku je. Nuk bëhesh ti si ata, ata bëhen si ty, nga ndikimi yt.”
Ngrije standartin. Jo thjesht “pak më mirë” se shumica. Jo, jo, shumë më lart nga shumica!

Sa më lodh ajo thënia gjoja motivuese: “Të rinjtë janë e ardhmja”. Jo!
Të Rinjtë Janë e Sotmja.
Ti je “flakë”, ti ke çdo gjë që të duhet për të nderuar emrin e Zotit Jezus sot! Ngrije standartin për vete dhe për familjen tënde dhe shiko se çfarë do të ndodhë.
Pra, duam t’i japim vetes dhe ta pasojmë te brezi i ri një komunitet për së mbari, një standart për së mbari dhe ….

Një Besim Për Së Mbari Që Shumëfishohet
Do ia ngulisim mendjes tonë së pari dhe familjes tonë. Kur mund të flasësh për këto gjëra?
Ligji i Përtërirë 6:7 ' do t'ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.'
Do të flasim kur hamë darkë, do flasim kur i vëmë në gjumë, do të lutemi me ta. Do flasim në mëngjes, kur i përcjell te furgoni i shkollës, çdo lloj momenti.
Do flasim rrugës për te kursi i muzikës, sportit, anglishtes, matematikës, baletit, kitarës… Do ua tregojmë sesi jetohet besimi në çdo copëz të ditës.

Të jesh vetja është më e veçantë sesa të hiqesh.
Brezi i ri të ka qejf nëse je i qetë, i shtruar, të ka qejf edhe kur je i zjarrtë. Por nuk i duan gjërat e vakëta, një herë ashtu, një herë kështu.

Le të lutemi!

Perëndi, lutem që komuniteti im do të të njohë Ty si Perëndi të vetëm, të vërtetë. Më mëso të jetoj me standartin Tënd, të jem kripë dhe dritë kudo ku jam. Lutem që besimi im të jetë i zjarrtë, dhe i tillë të përcillet te brezi tjetër. Amen!

Shkrimet e Shenjta

Dita 4

Rreth këtij plani

Trashëgimia

Kur mendojmë për momentin kur do të largohemi nga kjo jetë, një nga pyetjet e para që na vjen në mendje është: "Çfarë dëshirojmë të lëmë pas? Çfarë trashëgimie do të krijojmë?" Çdo njeri ka dëshirën e natyrshme për të lënë pas diçka të vyer, diçka që pasqyron jetën dhe vlerat e tij. Të ftojmë të lexosh planin "Trashëgimia" për të mësuar më shumë.

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://icf.al/