TrashëgimiaShembull
Besim i Zjarrtë!
Sot do shikojmë si të kemi në vete një “Besim të Zjarrtë”, që brezi tjetër ta shikojë dhe ta dëshirojë atë që kemi ne.
Psalmi 112:2 “Pasardhësit (fëmijët)e tij do të jenë të fuqishëm mbi tokë, brezat e njerëzve të drejtë do të jenë të bekuar.”
Ajo që është e rëndësishme për ne, si ndjekës të Krishtit, është ta shikojmë me kujdes: Çfarë do të thotë të jesh i fuqishëm, i suksesshëm? Si matet kjo gjë? A ka lidhje me atë që thotë shumica? Çfarë thotë shumica?
Të jesh i “suksesshmi” i lagjes, “i fuqishmi” i lagjes, do të thotë se ti ke shumë gjëra dhe ke një familje të lumtur gjithmonë, fëmijë të lumtur gjithmonë dhe me nota të mira në të gjitha lëndët.
Tani pyetja është, a ka të tillë? I kanë të gjitha? Janë të lumtur gjithmonë? I kanë të gjitha 10-ta dhe çdo gjë ju shkon vaj? Po nëse janë me 10-ta, por s’kanë ndërtuar karakter dhe s’kanë integritet, a quhen më të suksesshmit dhe më të mirët? Duket sikur po adhurohet lumturia, veç të jemi të lumtur: “S’ka gjë, me çfarëdo çmimi do e paguajmë, veç të jemi të lumtur. Pesë punë do bëjë mami, vetëm që ti të jesh i lumtur.”
Por Perëndia nuk na ka thirrur që të jemi të lumtur, por na ka thirrur: Të Jemi Të Shenjtë, Siç Është Ai I Shenjtë.
Lumturia nuk mund të jetë synimi ynë përgjithmonë, sepse gëzimi dhe lumturia janë produkte kur e jetojmë jetën me synime që e nderojnë Perëndinë. Do e kemi mendjen jo vetëm tek lumturia e sotme, por edhe te gatishmëria për të nesërmen, që brezi ynë dhe brezi pas nesh ta kenë synim parësor: Si Të Nderojnë Emrin e Zotit Së Pari.
Po mirë, si ta përkufizojmë suksesin? Ndjekësit e Krishtit, ne vetë dhe brezi pas nesh e përkufizojmë kështu: Jezus Krishti, Zot dhe Shpëtimtar. Dhe kjo e vërtetë është e rrënjosur thellë tek ne.
Si Shpëtimtar, ne e dimë, brezi tjetër e di dhe ata pas tyre e dinë gjithashtu. Vetëm Jezusi shpëton, nuk ka rrugë tjetër.
Si Zot, ne i bindemi dhe e nderojmë atë në çdo gjë. E dimë që vetëm Ai na shpëton.
Vetëm Jezusi Është Zot dhe Shpëtimtar. Le ta falenderojmë Perëndinë dhe t'i lutemi Atij:
Ati ynë qiellor, faleminderit që më ke thirrur të jem i shenjtë, siç Ti je i shenjtë. Më mëso të të vendos Ty të parin në jetën time, dhe kështu do të shoh lumturinë dhe gëzimin në jetën time si produkt. Dua të nderoj emrin Tënd së pari. Amen!
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Kur mendojmë për momentin kur do të largohemi nga kjo jetë, një nga pyetjet e para që na vjen në mendje është: "Çfarë dëshirojmë të lëmë pas? Çfarë trashëgimie do të krijojmë?" Çdo njeri ka dëshirën e natyrshme për të lënë pas diçka të vyer, diçka që pasqyron jetën dhe vlerat e tij. Të ftojmë të lexosh planin "Trashëgimia" për të mësuar më shumë.
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://icf.al/