Ura për te MarkuShembull

Kujdes nga mësuesit e rremë
Jo çdo gjë që shkëlqen është flori! Në këtë pasazh, Jezusi na paralajmëron se mësuesit apo predikuesit që duken të rëndësishëm, mund të mos jenë gjithmonë të mirë apo të sinqertë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Kjo, veçanërisht kur jemi të rinj, pasi atëherë është më e lehtë të mashtrohemi nga ajo që shohim. Pra, në çfarë gjërash duhet të shfaqim kujdes? Si mund ta dimë kujt t’i besojmë si mësues të mirë të Shkrimeve?
Së pari, a e mëson ai person Fjalën e Zotit me besnikëri? Nëse nuk jeni i sigurt për këtë, duhet të kërkoni këshillën apo gjykimin e prindërve, kur jeni ende të rinj. Por më e rëndësishmja, gjithmonë shqyrtojeni vetë Bilën, që të siguroheni nëse dikush po jep mësim me vërtetësi.
Së dyti, a është i përulur? Disa mësues e vrasin mendjen më shumë për atë që mendojnë të tjerët për ta, sesa për faktin nëse po e transmetojnë me sinqeritet Fjalën e Zotit. Ata kërkojnë miratimin tuaj. Ata duan vërtet që të lavdërohen nga të tjerët. Nëse dikush bën lutje të gjata në kishë, në mënyrë që të tjerët të mendojnë se është i perëndishëm, por që rrallëherë lutet në fshehtësi, atëherë ai është një i krishterë i rremë. Sa ndryshe ishte Gjon Pagëzori! Ai ishte i lumtur kur të gjithë u larguan prej tij, që të ndiqnin Zotin Jezus!
Së treti, a janë lakmitarë për para dhe për nderim? Jezusi foli hapur për veprat e liga të skribëve. Duke pretenduar që ishin “shërbëtorët e Zotit”, ata i shërbenin vetvetes. Nuk shqetësoheshin kur merrnin para, madje edhe nga të vejat e varfra të cilat ishin fillikat vetëm. Nëse dikush e përdor pushtetin e tij për të përfituar nga dikush që është më i dobët, apo më i ri, ai nuk është i perëndishëm!
Mësoni të jeni të urtë! Shikoni heronjtë e kësaj bote: yjet e filmave, yjet e sporteve, biznesmenët e pasur dhe familjet mbretërore. Shumë njerëz i ndjekin ata, duke qenë të vëmendshëm ndaj çdo lëvizjeje të tyre; por a janë ata model i mirë, mësues vërtet të mirë? Përdorini tri pyetjet që sapo i kaluam në pasazhin e sotëm dhe shikoni nëse ata janë ashtu. Është marrëzi të ndiqni ose të besoni njerëz që nuk shfaqin perëndishmëri në jetët e tyre. Jezusi paralajmëron: “Ruhuni nga njerëz të tillë!”. Në vend të kësaj, ndiqni Zotin Jezus!
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al