Ura për te MarkuShembull
Mos i prekni njerëzit e mi
Gjoni ndihej shumë i trishtuar. Veprimet dhe fjalët e Jezusit për fëmijën e vogël në meditimin e fundit i kujtuan atij diçka që sapo kishte bërë! Zoti mësoi që duhet t’i pranojmë besimtarët e tjerë me butësi dhe përulësi. Gjoni dëshironte të dinte nëse veprimet e tij kishin qenë të duhurat apo kishte gabuar. Nuk kishte kaluar shumë kohë që kur Gjoni i kishte dhënë dikujt një qortim të ashpër. Personi në të vërtetë nuk po bënte ndonjë gjë të gabuar; ai po i çlironte ata njerëz të cilët ishin të pushtuar nga demonët. Por, Gjoni ndihej i bindur që duhet ta ndalonte atë njeri, që të mos e bënte më, sepse ai nuk ishte pjesë e grupit të dishepujve.
Në të vërtetë Jezusi duhej ta korrigjonte Gjonin. Ishte sikur Ai i tha: “Gjon, cilido që bën diçka të mirë për Mbretërinë e Zotit, ai njeri ka nevojë për mbështetjen tonë. Sepse, nëse ata nuk janë kundër Meje dhe Fjalës Sime, atëherë ne u përkasim atyre dhe ata na përkasin neve”.
Sa e rëndësishme është ta kujtojmë dhe t’i referohemi asaj dite! Ka shumë njerëz që bëjnë vepra të mira për Mbretërinë e Perëndisë. Disa të krishterë janë duke ndihmuar të varfrit; të tjerë ofrojnë kujdesin e tyre për jetimët. Ka të krishterë që po përpiqen të ndihmojnë ata që janë të varur nga droga. Ne nuk duhet të përpiqemi t’i ndalojmë dhe as t’i kundërshtojmë, vetëm sepse nuk i përkasin kishës sonë.
Jezusi do që ne t’i kundërshtojmë mësimet e gabuara, por jo veprat e mira të bëra në emër të Perëndisë! Ne duhet të jemi falënderues për ndihmën që të krishterët përpiqen t’i japin njëri-tjetrit. Mbase ata mund të mos na ndjekin ne gjithmonë, por a po e ndjekin Zotin? Nëse ata e ndjekin Zotin, atëherë tregohuni të kujdesshëm që të mos i lëndoni apo shkurajoni; nëse e bëni këtë gjë, atëherë ju mund të pengoni një nga njerëzit e Jezusit!
Jezusi tregoi se sa e rëndë ishte një gjë e tillë, duke dhënë imazhin e dikujt që po mbytej në det. Paralajmërimi i Tij është i qartë: mos i trazoni ata që më shërbejnë Mua! Mos i tundoni, mos i shkurajoni nga të bërët e veprave të mira. Nëse e bëni këtë gjë, do të ishte më mirë për ju që të mbyteni në det!
Ne shpresojmë që Gjoni të jetë kthyer për t’i kërkuar falje atij burri!
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al