Ura për te MarkuShembull
Mbretëria e bekimeve
Dishepujt po bënin të njëjtin gabim që kishin bërë farisenjtë. Ata u dhanë njerëzve përshtypjen e gabuar në lidhje me kush ishte Perëndia. Me anë të veprimeve të tyre dishepujt bënë që të dukej sikur Zoti Jezus nuk kishte interes për fëmijët, ose sikur Ai ishte tepër i zënë për t’u bezdisur me praninë e tyre. Por, Zoti Vetë nuk mendonte kështu! Prandaj, Ai u zemërua me veprimet e dishepujve. Zoti është i gatshëm t’i presë dhe t’i bekojë fëmijët me hirin e Tij. Menjëherë Ai i ftoi fëmijët që të vinin tek Ai.
Çfarë bekimi është nëse keni prindër si këta prindër! Mbase edhe përpara se të kishit ardhur në këtë jetë, prindërit ju kanë përmendur në lutje para Jezusit. Mbase herët në jetën tuaj, ata ju kanë çuar në kishë që të pagëzoheni. Prindërit më të mirë janë ata që shqetësohen për shpirtin tuaj.
Nëse jeni pagëzuar, në pagëzimin tuaj, Zoti Jezus vuri dorën e Tij mbi ju dhe ju bekoi, sikurse Ai bëri me fëmijët në këtë histori. Çfarë simbolizon kjo gjë? Do të thotë që Ai është i gatshëm t’ju japë bekimet e Mbretërisë. Këto bekime përfshijnë faljen e mëkateve dhe një zemër të re që e do Atë. Zoti e shfaqi gatishmërinë e Tij për t’ua dhënë këto bekime edhe fëmijëve, kur Ai e mori secilin prej këtyre fëmijëve në krahët e Tij dhe i bekoi.
Nga ana tjetër, mbase keni prindër që ju pengojnë që të vini te Zoti, duke mos ju mësuar në lidhje me Të ose duke mos ju çuar në kishë. Kjo është e trishtueshme, por mos harroni atë që Zoti Jezus na mësoi përmes kësaj historie. Ai kujdeset për fëmijët. Ai tha që në Mbretërinë e Tij ka edhe fëmijë. Kurrë mos mendoni që jeni tepër të vegjël për bekimet e Tij! A jeni tepër të vegjël për të mëkatuar? A jeni shumë të rinj për t’u shpëtuar nga mëkati? Meqenëse përgjigjja është “Jo”, atëherë, kurrë mos ngurroni t’i përkulni gjunjët tuaj përpara këtij Mbreti.
Madje, Jezusi thotë që duhet të jemi si fëmijë kur vijmë në Mbretërinë e Tij. Le të mendojmë për domethënien e këtyre fjalëve. Kur ishim të vegjël, ne besonim çdo gjë që na thuhej nga prindërit tanë. Shpeshherë kemi pyetur “Pse?”, dhe u besuam përgjigjeve që ata na dhanë. Gjithashtu, u zinim besë prindërve tanë. Nëse na thoshin që ishim të sigurt, atëherë ne ndiheshim të sigurt. Kjo, sepse ishim të vegjël, por edhe të gatshëm për t’u zënë besë prindërve. Shpesh, ndërsa rritemi, vëmë në dyshim atë që që na thonë të tjerët dhe tregohemi më të kujdesshëm në mendimet tona. Kjo nuk është gjë e gabuar – përveçse nëse bëhemi këmbëngulës dhe krenarë. Atëherë nuk jemi më njerëz të gatshëm për të mësuar, e në vend që të mbështetemi te Perëndia, mbështetemi te vetvetja.
Zoti e përfundon këtë mësim me një paralajmërim të prerë: nëse nuk e besojmë Fjalën e Tij dhe nuk i besojmë Atij, ashtu siç do t’i besonte një fëmijë i vogël prindërit e tij, asnjëherë nuk do t’i shijojmë bekimet e familjes së Mbretërisë së Tij. Nga veprimet e Jezusit mund të shohim se sa i gatshëm ishte Ai për t’i pritur fëmijët!
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al