Agimi i Gëzimit të pashkatërrueshëmShembull
Ai erdhi për të shërbyer
Jezusi pret që dishepujt e Tij veprojnë radikalisht ndryshe nga mënyra e zakonshme e veprimit të njerëzve. Ata duhet t’i shërbejnë njëri-tjetrit dhe jobesimtarëve. Në atë shërbim, ata duhet të pinë kupën e çfarëdo lloj vuajtjeje që do t’iu kërkohet. Sigurisht që do t`u kushtojë.
Gjithsesi, nëse ky do të ishte i vetmi mesazh i krishterimit, nuk do të ishte lajm i mirë. Nuk do të kishte ungjill. Kam nevojë për shumë më tepër sesa dikë, që të më thotë kush duhet të jem dhe çfarë duhet të bëj.
Kam nevojë për ndihmë që të jem dhe të veproj. Kjo është arsyeja pse Jezusi thotë te Marku 10:45: “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si shpërblesë për shpengimin e shumë vetave.” Sa gabim i tmerrshëm do të ishte, nëse do ta dëgjonim thirrjen e Jezusit për të qenë shërbëtor i të gjithëve, në vargun 44, si një thirrje për t’i shërbyer Atij.
Kjo nuk është një thirrje e tillë.
Është një thirrje për të mësuar se si të shërbehemi prej Tij. Mos e humbisni këtë, kjo është zemra e Krishterimit. Kjo është ajo çka e veçon besimin tonë nga të gjitha fetë e tjera të mëdha. Perëndia ynë nuk ka nevojë për shërbimin tonë, Ai as nuk përlëvdohet prej rekrutëve që dëshirojnë ta ndihmojnë Atë. Perëndia ynë është aq i plotë dhe aq i vetëmjaftueshëm, aq i bollshëm në fuqi, jetë dhe gëzim, saqë e përlëvdon Veten duke na shërbyer ne.
Ai e bën këtë gjë duke marrë mbi vete natyrën njerëzore, duke na kërkuar ne dhe pastaj duke na thënë se nuk erdhi që të merrte shërbimin tonë, por që të ishte shërbëtori ynë.
Ja një e vërtetë e përgjithshme që duhet menduar dhe besuar: Sa herë që Jezusi na urdhëron që të bëjmë diçka, kjo është mënyra e Tij për të na thënë se si Ai dëshiron të na shërbejë. Më lejoni ta them në një mënyrë tjetër: Shtegu i bindjes është shtegu, ku Krishti na takon si shërbëtori ynë për të mbartur barrët tona dhe për të na dhënë fuqinë e Tij.
Kur ju bëheni i krishterë, një dishepull i Jezusit, nuk bëheni ndihmësi i Tij, Ai bëhet ndihmësi juaj. Ju nuk bëheni shërbëtori i Tij, Ai bëhet shërbëtori juaj. Jezusi nuk ka nevojë për ndihmën tuaj; Ai ju urdhëron të bindeni dhe ju ofron ndihmën e Tij.
Kjo është Krishtlindja! Ai erdhi për të shërbyer dhe jo për t’i shërbyer. Ai erdhi për të na ndihmuar të bëjmë gjithçka që Ai na thërret të bëjmë.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Gëzimi që Jezusi po sillte në botë ishte si asnjë gëzim tjetër në histori. Sapo ta kemi marrë këtë gëzim, asgjë nuk mundet ta shkatërrojë...Veçoni kohë dhe qetësi për veten tuaj këtë stinë Krishtlindjeje dhe kërkoni për këtë përjetim.
More
Ne dëshirojmë të falënderojmë IGNIS Ministry Albania për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/tematika/agimi-i-gezimit/