Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 46 NGA 366

Çdo hap drejt Kalvarit ishte dashuri

“Në këtë e kemi njohur dashurinë; ai e dha jetën e tij për ne.” (1 e Gjonit 3:16)

Në vdekjen e Tij, dashuria e Krishtit për ne ishte po aq e vetëdijshme, sa edhe vuajtjet e Tij të qëllimshme. Nëse Ai u tregua i qëllimshëm kur e la jetën e Tij, këtë e bëri për ne. Kjo ishte dashuri!

“Jezusi, duke e ditur se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund” (Gjoni 13:1).

Çdo hap në shtegun e Kalvarit përcillte fjalët: “Të dua.”

Prandaj, për ta ndier dashurinë e Krishtit pikërisht te dhënia e jetës së tij, na duhet të shohim se ajo ishte krejtësisht e qëllimshme.

Shikoni çfarë tha Jezusi pas atij çasti të dhunshëm kur Pjetri u përpoq t’ia hiqte kokën shërbëtorit, por në fakt i preu vetëm veshin.

Atëherë Jezusi i tha: “Ktheje shpatën tënde në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të humbasin. A kujton, vallë, se nuk mund t’i lutem tani Atit tim, dhe ai të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?” (Mateu 26:52-54)

Është një gjë të thuash se hollësitë e vdekjes së Jezusit ishin parashikuar në Dhiatën e Vjetër, por është akoma më me vlerë të thuash se Ai vetë po i bënte qëllimisht zgjedhjet e Tij, për t’u siguruar që Shkrimet të përmbusheshin.

Jezusi tha se po bënte pikërisht këtë te Mateu 26:54: mund t’i shpëtoja këtij mjerimi, “po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?”

Me fjalë të tjera: nuk po zgjedh rrugëdaljen që mund ta zgjedh, sepse i njoh Shkrimet. E di se çfarë duhet të ndodhë që populli im të shpëtohet. Është zgjedhja ime që ta përmbush gjithë sa është parashikuar për mua në fjalën e Perëndisë. Është zgjedhja ime—në çdo hap përgjatë këtij shtegu—që t’i dua njerëzit e mi deri në fund. Dhe dua që ata ta ndiejnë këtë. Dua që të jenë plotësisht të sigurt, të lirë dhe krejtësisht të ndryshëm nga bota.

Shkrimet e Shenjta

Dita 45Dita 47

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​