Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 13 NGA 366

Urdhri që krijon

Kurse të gjitha gjërat, kur dalin në dritë, bëhen të dukshme, sepse çdo gjë që shfaqet është dritë. Prandaj Shkrimi thotë: “Zgjohu, ti që fle, dhe ngrihu prej së vdekurish, dhe Krishti do të të ndriçojë.” (Efesianëve 5:13-14)

Si iu bind Llazari urdhrit të Krishtit, që të ngrihej prej së vdekurish? Gjoni 11:43 thotë: “Dhe mbasi tha këto, thirri me zë të lartë: ‘Llazar, dil jashtë.’” Ky urdhër iu dha një të vdekuri. Vargu tjetër thotë: “Atëherë i vdekuri doli, me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure” (Gjoni 11:44).

Si e bëri Llazari këtë? Si i bindet i vdekuri urdhrit për të jetuar sërish? Përgjigjja duket se është kjo: Vetë urdhri mbart fuqinë për të krijuar jetë të re. T’i bindesh urdhrit do të thotë të bësh atë që njerëzit e gjallë bëjnë.

Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Urdhri i Perëndisë: “Ngrihu prej së vdekurish!”, mbart me vete fuqinë, e cila na nevojitet për t’iu bindur atij urdhri. Ne nuk i bindemi urdhrit duke e krijuar atë jetë, por i bindemi duke bërë atë që njerëzit e gjallë bëjnë—Llazari doli jashtë. Ai u çua, doli dhe shkoi te Jezusi. Thirrja e Perëndisë krijon jetë. Ne reagojmë me fuqinë e asaj që thirrja krijon.

Tek Efesianëve 5:14, Pali thotë: “Zgjohu, ti që fle, dhe ngrihu prej së vdekurish, dhe Krishti do të të ndriçojë.” Si t’i bindesh një urdhri për t’u zgjuar nga gjumi? Nëse shtëpia jote është e mbushur me monoksid karboni helmues dhe dikush të thërret: “Zgjohu! Shpëto veten! Dil jashtë!”, ti nuk bindesh duke e zgjuar veten tënde nga gjumi. Vetë thirrja e fortë dhe e fuqishme të zgjon. Ti bindesh duke bërë atë që bëjnë njerëzit, që janë zgjuar kur gjenden përballë rrezikut. Çohesh dhe del nga shtëpia. Thirrja e krijon zgjimin. Ti reagon në fuqinë e asaj që krijoi thirrja—të qenët zgjuar.

Unë besoj se ky është shpjegimi pse Bibla thotë gjëra paradoksale në lidhje me lindjen e re; domethënë, që duhet t’i bëjmë vetes një zemër të re, por, në fakt, është Perëndia që krijon zemrën e re. Për shembull:

Ligji i Përtërirë 10:16: “Rrethpritni lafshën e zemrës suaj!”
Ligji i Përtërirë 30:6: “ZOTI, Perëndia yt, do ta rrethpresë zemrën tënde.”

Ezekieli 18:31: “Bëjini vetes një zemër të re dhe një frymë të re!”
Ezekieli 36:26: “Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një frymë të re.”

Gjoni 3:7: “Duhet të lindni përsëri.”
1 e Pjetrit 1:3: “I cili sipas mëshirës së tij të shumtë na rilindi.”

Që t’i bindesh urdhrit për të rilindur, duhet që më së pari të përjetosh dhuratën hyjnore të jetës dhe frymës, dhe pastaj të bësh atë që bëjnë njerëzit e gjallë dhe që marrin frymë: t’i thërrasësh Perëndisë me besim, mirënjohje dhe dashuri. Urdhri i Perëndisë jep jetë kur vjen me fuqinë krijuese dhe konvertuese të Frymës së Shenjtë. Kështu ne besojmë, ngazëllojmë dhe bindemi.

Shkrimet e Shenjta

Dita 12Dita 14

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​