Fushëbeteja e Mendjes - DevocioneShembull
Ndërsa Fokusohemi
Sepse, si mendon në zemrën e vet, ashtu është ai. - Fjalët e Urta 23:7
Vite më parë, mësova një mësim të paçmueshëm: Çfarëdo që ne të fokusohemi, do të bëhemi. Kjo thënie e thjeshtë më mësoi shumë. Kudo që ne t’i vendosim energjitë tona apo vëmendjen tonë, ato gjëra do të zhvillohen. Një mënyrë tjetër të thëni që më pëlqen është, “Atje ku mendja shkon, njeriu ndjek!”
Nëse filloj të mendoj për akullore, së shpejti do ta gjej veten në makinën time duke kërkuar akullore. Mendimi im do të zgjojë dëshirat dhe emocionet e mia, dhe unë do të marr vendimin t’i ndjek ato.
Nëse ne fokusohemi vetëm tek gjërat negative në jetën tonë, ne do të bëhemi njerëz negativë. Gjithçka, duke përfshirë edhe bisedën tonë, bëhet negative. Shumë shpejt humbasim gëzimin dhe jetojmë një jetë të mjerueshme — dhe gjithçka filloi me mendimin tonë.
Ju mund të jeni duke përjetuar disa probleme në jetë—duke mos e kuptuar që ju po i krijoni vetë ato nga çfarë po zgjidhni të mendoni. Unë ju sfidoj të mendoni rreth asaj që po mendoni!
Ju mund të jeni të dekurajuar dhe madje të dëshpëruar se çfarë e shkaktoi atë. Nëse ju do të analizoni jetën tuaj të mendimeve, do të gjeni që ju po i ushqeni ato emocione negative që ndjeni. Mendimet negative janë karburanti i dekurajimit, depresionit dhe shumë emocioneve të tjera të pakëndshme.
Ne duhet t’i zgjedhim me kujdes mendimet tona. Ne mund të mendojmë se çfarë është e gabuar në jetën tonë ose çfarë është e drejtë. Ne mund të mendojmë se çfarë është gabim në të gjithë njerëzit me të cilët jemi në marrëdhënie ose mund të shohim të mirën dhe të meditojmë mbi të. Bibla na mëson të besojmë gjithmonë më të mirën. Kur ne e bëjmë këtë, kjo e bën jetën tonë më të lumtur dhe më të paqtë.
Unë kam një jetë të mrekullueshme — dhe një bashkëshort dhe fëmijë dashur. Dhe jam e privilegjuar të përdorem nga Perëndia për të bekuar miliona njerëz rreth botës përmes shërbesës së mrekullueshme që Ai më ka dhënë. Por jeta nuk është e përsosur, dhe nëse do ta kisha lejuar djallin të mbushte mendjen time me mendime negative —ashtu siç bëri një herë shumë kohë më parë — unë do të isha mposhtur. Unë dëshiroj të fokusohem tek hiri i Perëndisë dhe të jap falenderime për të gjitha gjërat e mira që kam në jetën time. Unë nuk dëshiroj të fokusohem tek çfarë nuk kam.
Një mik i vjetër thoshte këtë thënie: “Ndërsa endesh nëpër jetë, o vëlla, çfarëdo të jetë qëllimi yt, mbaji sytë te petulla dhe jo te vrima e saj.” Shumë njerëz fokusohen në ato që nuk janë aty dhe në ato që nuk janë siç duhet.
E gjithë kjo për të treguar që mendimet tona përcaktojnë në masë të madhe ardhmen tonë. Mendimet tona gjithashtu përcaktojnë lumturinë tonë. Fjalët e Urta 23:7 është një nga vargjet e mi të preferuar. Mendimet janë të fuqishme. Ato nuk janë thjesht fjalë që rrjedhin përmes mendjeve tona. Prandaj është shumë e rëndësishme që ne të vendosim se çfarë do të lejojmë të pushojë brenda mendjeve tona. Ne nuk duhet të harrojmë që mendja është një fushëbetejë. Gjithmonë duhet të kujtojmë se kundërshtari ynë do ta përdorë atë në çfarëdo mënyre që ai të mundet për të na bllokuar.
Më kujtohet një burrë që erdhi në një nga takimet tona. Ai dëshironte të çlirohej nga shikimi i pornografisë. Ai tha që një herë kishte parë diçka në internet pasi aksidentalisht hyri në një faqe që ishte e mbushur me foto seksuale në mënyrë të qartë. Të nesërmen ai qeshi për këtë me një nga bashkëpunëtorët e tij. “Kush dëshiron t’i shikojë ato gjëra?” pyeti ai.
Natën tjetër ai ishte kthyer sërisht në atë faqe Dhe shumë netë më pas. Ai bleu materiale seksuale dhe i dërgoi në zyrën e tij. Ai e mbajti të fshehtë nga familja e tij pornografinë e tij. “Çfarë do të më bëjë një gjë kaq e vogël?” arsyetonte ai.
Ai rrëfeu se sa më shumë i shikonte imazhet, aq më shumë i mendonte femrat si objekte — objekte për kënaqësinë e tij. Një ditë bashkëshortja i tha, “Unë nuk e di se çfarë të ka ndodhur ty por ose merru me qëndrimin tënd ose unë do të largohem.”
Jeta e tij po shkonte me shpejtësi drejt greminës përpara se të kërkonte lutje. “Unë nuk e mendova kurrë që thjesht shikimi i disa gjërave porno do të krijonte kaq varësi,” tha ai.
E thënë ndryshe, ne nuk mund të kemi një jetë pozitive dhe mendje negative. Mendimet tona — fokusi ynë — është ajo që përcakton se ku përfundojmë .
Jezusi, miku dhe Shpëtimtari ynë, dëshiron që mendjet tona të mbushen me mendime pozitive, të bukura dhe të shëndetshme. Sa më shumë që fokusohemi në ato gjëra, aq më lehtë i mposhtim sulmet e Satanit.
I dashur Perëndi i duruar dhe plot dashuri, unë të kërkoj falje që i kam fokusuar mendimet e mia mbi gjërat që nuk të kënaqin Ty. Unë lutem që Ti të më ndihmosh që unë të mbush mendjen time me mendime që janë të dëlira, të pastra dhe lartësuese. Në emrin e Jezusit Amen.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Këto devocione do t'ju pajisin me frymëzime shprese për të mposhtur inatin, konfuzionin, dënimin, frikën, dyshimin…quajeni si të dëshironi. Këto njohuri do t'ju ndihmojnë të zbuloni komplotet e armikut për t'ju konfuzuar dhe gënjyer, të përballeni me modelet shkatërruese të mendimit, të gjeni fitoren në transformimin e të menduarit tuaj, për të fituar forcë, inkurajim dhe, më e rëndësishmja, fitore mbi çdo betejë në mendjen tuaj.
More
Ne dëshirojmë të falënderojmë Ministritë Joyce Meyer për sigurimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://tv.joycemeyer.org/shqip/