Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Një Fillim me Qëllim!Shembull

Një Fillim me Qëllim!

DITA 5 NGA 5

Fillimi i Një Jete Të Re!

E di që shumë herë ke ndjerë që vitet kalojnë pa ndonjë ndryshim të madh. Një vit i ri vjen, dhe ne nisim me ëndrra të mëdha, por diku rrugës, e lëmë veten të ndikohemi nga rutina e përditshme. Por mendo për një çast: Po nëse ky vit do të ishte ndryshe?

Sot është koha të vendosësh në praktikë atë që ke mësuar gjatë ditëve të kaluara dhe të vendosësh synimet e këtij viti. Ja disa pika kyçe ku duhet të fokusohesh për të vendosur synimet e tua:

1. Besimi – themeli i gjithçkaje
Çdo gjë fillon me Perëndinë. Kur ia dorëzon Atij planet dhe ëndrrat e tua, Ai i shndërron ato në qëllime me vlerë të përjetshme. Këtë vit, gjej kohë për të dëgjuar zërin e Tij. Fillo me një lutje të thjeshtë çdo ditë. Hap Biblën dhe lejo Fjalën e Tij të ndriçojë udhët e tua. Kujto se fuqia për të ecur përpara nuk vjen nga përpjekjet e tua, por nga Ai që të mban në duart e Tij.

Tek ‭‭Mateu‬ ‭6‬:‭33‬ lexojmë 'Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t'ju shtohen.'

Merr pak kohë, për t'u lutur për hapa praktikë që do të ndërmarrësh këtë vit për të rritur besimin tënd, dhe për të forcuar marrëdhënien me Perëndinë; ja disa sugjerime:

  • Lutja dhe leximi i Biblës: Vendos një kohë/orar të përditshëm për të lexuar Fjalën e Perëndisë dhe për t’u lutur.
  • Zbatoje Fjalën në jetën e përditshme: Bëje zakon dhe ndaj një mësim biblik, një përjetim nga koha e qetë me të tjerët çdo javë.
  • Shërbe në kishë: Përfshihu në një shërbesë që përputhet me dhuntitë e tua.
  • Kalo kohë në adhurim: Dediko një moment për të falënderuar Perëndinë për bekimet e tua (çdo javë apo muaj).

2. Marrëdhëniet – lidhjet që e pasurojnë jetën
Asnjë arritje nuk ka kuptim pa njerëzit që duam. Këtë vit, vendos të forcosh marrëdhëniet. Jep falje aty ku duhet, kushto kohë për të ndarë gëzimin, dhe gjej mënyra për t’i bërë të tjerët të ndihen të dashur. Një telefonatë, një darkë e thjeshtë, apo një falënderim i sinqertë mund të jenë hapat që ndërtojnë ura kuptimplotë.

Tek ‭‭Hebrenjve‬ ‭10‬:‭24‬ thuhet 'Dhe le të kujdesemi për njëri-tjetrin, për t'u nxitur për dashuri dhe vepra të mira,'

Merr pak kohë, për t'u lutur për hapa praktik që do të ndërmarrësh këtë vit për të përmirësuar marrëdhëniet e tua, qoftë me familjarë, miq, kolegë apo burrin/gruan, fëmijët; ja disa sugjerime:

  • Dediko kohë për familjen: Vendos takime të rregullta me anëtarët e familjes për aktivitete të ndryshme që do t'ju ndihmojnë të krijoni lidhje më të afërt me ta. P.sh. “Do të planifikoj një mbrëmje pa teknologji çdo javë për familjen.”
  • Investo në miqësi: Kontakto rregullisht një shok/shoqe për ta inkurajuar ose për të kaluar kohë bashkë.
  • Ndreq marrëdhëniet e prishura: Identifiko një marrëdhënie që ka nevojë për pajtim dhe puno për ta riparuar.
  • Lutu për të tjerët: Krijo një listë lutjesh për miqtë dhe të dashurit, duke u lutur specifikisht për ta.

3. Shëndeti – kujdesi për tempullin.
Shëndeti yt është një dhuratë nga Perëndia. ‭‭Tek 1 e Korintasve‬ ‭6‬:‭19‬ lexojmë 'A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes?'

Nuk bëhet fjalë për përsosmëri, por për përkushtim. Ky mund të jetë viti kur fillon t’i japësh trupit tënd kujdesin që meriton – një dietë më e shëndetshme, disa minuta ushtrime çdo ditë, dhe pushim i mjaftueshëm. Çdo hap, sado i vogël, të çon drejt një trupi dhe mendjeje më të fortë.

Merr pak kohë, për t'u lutur për hapa praktik që do të ndërmarrësh këtë vit për t'u kujdesur për shëndetin; ja disa sugjerime:

  • Ushqimi: Vendos synime për të ngrënë ushqime më të shëndetshme dhe të balancuara. P.sh: “Do të ha të paktën 2 porcione fruta dhe perime çdo ditë.” apo "Do të kufizoj ushqimet fast food apo të pashëndetshme."
  • Aktiviteti fizik: Planifiko një rutinë të përballueshme ushtrimesh. P.sh. “Do të bëj 30 minuta ecje çdo ditë.”
  • Pushimi: Krijo një rutinë gjumi të rregullt dhe sigurohu të kesh ditë pushimi pa stres.
  • Shëndeti mendor: Dediko kohë për qetësi dhe reflektim, si meditim biblik ose ditar personal.

4. Burimet dhe financat – menaxhimi i bekimeve
Ato që ke në dorë janë bekime nga Zoti. A po i përdor për lavdinë e Tij? Planifiko, kurse, dhe ndihmo të tjerët. Këtë vit, bëj një qëllim të dhurosh më shumë (përveç dhënies së përmuajshme), qoftë në kishë, për një familje në nevojë, apo për një kauzë të mirë. Në dhënien ka një gëzim që nuk krahasohet.

Merr pak kohë, për t'u lutur për hapa praktik që do të ndërmarrësh këtë vit për të menaxhuar më mirë financat e tua. Ja disa sugjerime:

  • Buxhetimi: Krijo dhe ndiq një plan mujor për të menaxhuar të ardhurat dhe shpenzimet.
  • Kursimi: Vendos një synim për të kursyer për nevoja emergjente. Psh. “Do të kursej 10% të të ardhurave të mia çdo muaj.”
  • E dhjeta dhe Oferta: Llogarit 10% e financave dhe planifiko një shumë që do të japësh mbi këtë 10% që do të jetë oferta jote për Perëndinë.
  • Investimi: Shiko për mundësi dhe për mënyra të mençura për të investuar dhe për të rritur burimet e tua.

5. Puna – thirrja jote për të bërë një ndryshim
Puna jote nuk është vetëm një burim të ardhurash; është një shans për të reflektuar karakterin e Perëndisë. Këtë vit, përpiqu të zhvillohesh profesionalisht, duke mësuar diçka të re dhe duke dhënë maksimumin në çdo detyrë. Kur punon me pasion dhe përkushtim, je një shembull për të tjerët dhe nderon Atë që të ka dhënë dhuntitë e tua.

Për ty që nuk je në punë por je akoma në shkollë; e njejta gjë. Jep më të mirën, shiko për mundësi ku mund të rritesh dhe zvillohesh profesionalisht dhe gjithmonë ji gati për të qenë drita e Perëndisë në atë ambjent. Ai mund të të përdori për të ndikuar jetën e dikujt.

Merr pak kohë, për t'u lutur për hapa praktik që do të ndërmarrësh këtë vit për të përmirësuar veten në këtë fushë.Ja disa sugjerime;

  • Vendos synime profesionale: Identifiko një aftësi ose projekt që dëshiron të zhvillosh këtë vit. P.sh.: “Do të ndjek një kurs online për përmirësimin e aftësive të mia profesionale.”
  • Planifikimi i përparësive: Bëj një listë javore për detyrat kryesore dhe fokuso energjinë në to.
  • Lutja në punë/shkollë: Dediko momente të shkurtra për të kërkuar drejtim nga Perëndia në vendimet që do duhet të marrësh.
  • Balancimi: Vendos kufij për të mbajtur ekuilibrin midis punës dhe jetës personale.

Ky është viti yt për të bërë hapa të vegjël, por me ndikim të madh. Kujto: Gjërat e vogla, ato që nuk i shikon njeri, ato sjellin gjërat e mëdha që i dëshiron çdo njeri. Mos e nënvlerëso fuqinë e qëllimeve të thjeshta të përditshme. Kur ndërton çdo fushë të jetës mbi themelin e fortë të besimit dhe përkushtimit, çdo gjë merr kuptim.

Kalo kohë me Perëndinë dhe bashkë me Të shkruaj qëllimet e këtij viti.

Lutemi për ty me këto vargje nga Jobi: "Sepse atëherë do të gjesh kënaqësinë tënde tek i Plotfuqishmi dhe do të ngresh fytyrën në drejtim të Perëndisë. Do t'i lutesh dhe ai do të të plotësojë dëshirën dhe ti do të realizosh kushtet që ke lidhur. Do të vendosësh një gjë dhe ajo do të dalë mbarë, dhe mbi udhën tënde do të shkëlqejë drita." Amen.

Dita 4

Rreth këtij plani

Një Fillim me Qëllim!

E di që shumë herë ke ndjerë që vitet kalojnë pa ndonjë ndryshim të madh. Një vit i ri vjen, dhe ne nisim me ëndrra të mëdha, por diku rrugës, e lëmë veten të ndikohemi nga rutina e përditshme. Por mendo për një çast: Po nëse ky vit do të ishte ndryshe? Të ftojmë të bashkohesh me ne për leximin e këtij plani që do të ndihmojë për të pasur Një Fillim Me Qëllim!

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al