Një Fillim me Qëllim!Shembull

Zakonet e mia!
Gjërat e vogla, ato që nuk i shikon njeri, sjellin ndryshimet e mëdha që i dëshiron çdo njeri.
Në ditën e parë kërkuam një fjalë kyçe: Forcohu.
Në ditën e dytë kërkuam një mendim: Do të forcoj atë që kam...
Në ditën e tretë kërkuam një thënie: Unë jam i fortë në Ty, Zot.
Kemi parë mendimet dhe fjalët, sot do të fokusohemi te zakonet e jetës së përditshme, ose disiplinat e jetës së përditshme. Cila është ajo gjë që duhet ta ushtrojmë derisa të bëhet zakon i përditshëm?
Çfarë mund të quajmë disiplinë? Është të zgjedhësh mes: "Çfarë do tani dhe çfarë do më shumë?
Te Romakëve 7, Pali flet shumë hapur. Ai ndihej kështu:
Romakëve 7:15 'Sepse unë nuk kuptoj atë që bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej.'
"Dua të bëj gjënë e duhur, por nuk mundem. S’dua të bëj gjënë e gabuar, por atë shkoj e bëj." Kështu është, apo jo?
"Unë dua të ha një mollë, por ajo qesja e patatinave po më bën me sy. Dua të bëj gjënë e duhur, por përfundoj duke bërë gjënë e gabuar."
Romakëve 7:20 'Edhe, në qoftë se bëj atë që nuk dua, s'jam më vetë ai që e bëj, por është mëkati që banon në mua.'
"Nuk jam unë ai." Kjo është e bukur; natyrshëm, ne nuk jemi të vetë-disiplinuar. Natyrshëm, mëkati na tërheq, na shtyn larg Perëndisë, larg asaj që do Perëndia.
A je ndjerë ndonjëherë kështu:
Romakëve 7:24 'Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?'(Kush do të më çlirojë nga mëkati dhe vdekja?)
Kush mund të më ndihmojë ta mund tundimin? Kush mund të më ndihmojë të rri larg mëkatit? Kush mund të më ndihmojë që të jem i disiplinuar?
Romakëve 7:25 'I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë. Unë vetë, pra, me mendjen, i shërbej ligjit të Perëndisë, por, me mishin ligjit të mëkatit.'
E veçanta është, përgjigja nuk gjendet në një parim, por te një Person. Kush do të më çlirojë? Përgjigja është: Jezus Krishti, Zoti ynë.
Me ndihmën e Tij, unë mund të jem ndryshe. Me ndihmën e Tij, unë mund të ndryshoj. Me fuqinë e Tij, mund të transformohem.
Dje të nxita për të pasur një thënie që do e përsërisësh shpesh. Cila ishte? "Unë Jam i Fortë në Zotin!"
Jo me forcën, as me fuqinë, por me Frymën e Zotit. Jo, unë s’jam i fortë vetë, por jam i fortë kur Zoti Jezus banon në mua me Frymën e Tij.
Nuk jam i fortë në veten time, nuk jam i fortë me forcën e vullnetit tim, sepse mëkati që është në mua do atë që është e keqe. POR Krishti në mua është forca ime, më i fortë se mëkati, më i fortë se dëshirat e mia, më i fortë se zakonet e mia koti, më i fortë se forca e mëkatit.
Ti mund të jesh përpjekur shumë për të ndryshuar, por sot është dita për t'u çliruar. Me fuqinë tënde, ti s’ke për të qenë i vetë-disiplinuar, sepse vetja jote të shtyn drejt mëkatit.
Por kur Fryma e Perëndisë merr kontrollin e jetës tënde, e njëjta Frymë që ringjalli Krishtin nga vdekja, atëherë mund të kesh një frymë të disiplinuar për të bërë atë që do Perëndia.
Duke patur këtë në mendje, Pali tha 'A nuk e dini se ata që vrapojnë në pistë, vërtetë vrapojnë të gjithë, por vetëm një e fiton çmimin? Vraponi në mënyrë që ta merrni. Dhe kushdo që merr pjesë në garë kontrollon veten në të gjitha; dhe ata e bëjnë këtë për të marrë një kurorë që prishet, kurse ne për një kurorë që nuk prishet.' (1 e Korintasve 9:24-25)
Kurse ti dhe unë, ne ndjekësit e Krishtit, jetojmë për lavdinë e përjetshme, për kurora që nuk fishken. Ne jetojmë, ne vrapojmë që të dalim para Perëndisë së lavdishëm një ditë. Ne jetojmë për t’i dhënë Atij lavdi dhe të përdorim çdo gjë që kemi për ta bërë të njohur emrin e Tij.
Pra, ne nuk jemi thjesht të vet-disiplinuar; ne jemi të disiplinuar nga Fryma. Fryma e Perëndisë na ndihmon që ta mposhtim fuqinë e mëkatit.
Kush mund të më ndihmojë që ta mposht tundimin dhe fuqinë e mëkatit në jetën time, që unë të ec përpara dhe të bëj atë që dua dhe jo atë që nuk dua? Fryma e Perëndisë. Lavdi Zotit! Kjo gjendet në Jezu Krishtin, Zotin tonë. Ai e ka këtë fuqi dhe e vë në dispozicionin tonë.
1 e Korintasve 9:27a 'madje e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj...'
E bëj trupin tim të bëjë atë që duhet, jo me fuqinë time, por me fuqinë e Perëndisë. Që të mos bëj atë që dua unë, por të bëj atë që lavdëron Perëndinë.
· Çdo hap që hedh do e hedh me qëllim të qartë.
· Unë do të bëj që në fillim atë që dua më shumë dhe jo atë që dua tani.
· Kur Perëndia më ndihmon që të zgjedh atë që dua më shumë dhe jo atë që dua tani, krijon momentum në ditën dhe jetën time, më jep vrull.
Çfarë është një gjë që do të fillosh të besosh sot që më vonë të kesh atë që po synon të kesh? Ajo që do më shumë. Vetëm një disiplinë…
Fjala ishte: Forcohu.
Mendimi: Do të forcoj atë që kam…
Thënia: Unë jam i/e fortë në Zotin.
Disiplina: …
Mëkati do mundohet të të largojë nga shinat, nga vullneti i Perëndisë, por Fryma e Perëndisë do të të mbajë afër Tij.
Kur je besnik me të vogla, Perëndia do të të besojë shumë më të mëdha.
Lutje: Atë, më ndihmo të jem besnik në gjëra të vogla duke e ditur që Ti do më besosh gjëra akoma më të mëdha. Më fuqizo o Zot, që të arrij atë që dua më shumë në jetë duke filluar me këtë gjë të vogël sot. Amen.
Rreth këtij plani

E di që shumë herë ke ndjerë që vitet kalojnë pa ndonjë ndryshim të madh. Një vit i ri vjen, dhe ne nisim me ëndrra të mëdha, por diku rrugës, e lëmë veten të ndikohemi nga rutina e përditshme. Por mendo për një çast: Po nëse ky vit do të ishte ndryshe? Të ftojmë të bashkohesh me ne për leximin e këtij plani që do të ndihmojë për të pasur Një Fillim Me Qëllim!
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al