Një Fillim me Qëllim!Shembull

Synimet e mia!
Nëse ke qenë duke menduar, “Unë dua të ndryshoj, por gjërat e mëdha s’di a i bëj dot,” lajmi i mirë është ky:
Shpesh ndodh kështu: Gjërat e vogla, ato që s’i sheh askush, ato sjellin gjërat e mëdha që i dëshiron çdo njeri.
A e di se nëse lexon 3 kapituj të Biblës çdo ditë, do ta mbarosh atë brenda një viti? Dhe kjo mund të sjellë ndryshim madhor në jetën tënde.
E njëjta gjë ndodh edhe me shëndetin fizik. Nëse kujdesesh çdo ditë, do të jesh më i shëndetshëm.
Një shembull tjetër i gjërave të vogla që sjellin ndryshim të madh është martesa. Në martesë, lutjet e përbashkëta të përditshme, edhe për pak minuta, forcojnë marrëdhënien dhe ndihmojnë çiftet të mbajnë një marrëdhënie të shëndetshme.
Do të lexojmë nga Zakaria kapitulli 4. Ja një përmbledhje e shpejtë e kontekstit të këtij libri: Në kohën kur u shkrua ky libër, tempulli ku izraelitët adhuronin Perëndinë ishte shkatërruar dhe i gjithë populli i Perëndisë kishte qenë në mërgim në Babiloni. Ishin ditët më të errëta për Izraelin. Njerëzit nuk kishin një vend ku të adhuronin Perëndinë dhe nuk ishin në shtëpitë e tyre. Ata ishin shumë të trishtuar. Në vitin 535 para Krishtit, Zorobabeli drejtoi një pjesë të izraelitëve nga mërgimi për në tokën e tyre, dhe në atë kohë filloi një fije shprese për popullin sepse po ktheheshin në tokën e tyre, në vendin e tyre, po ktheheshin në shtëpi.
Pastaj Perëndia i foli Zorobabelit:
Zakaria 4:6 'Atëherë ai (Perëndia), duke u përgjigjur, më tha: "Kjo është fjala e Zotit drejtuar Zorobabelit: Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time", thotë Zoti i ushtrive.'
Kur Perëndia thërret dikë për të bërë diçka, siç ishte rasti i Zorobalelit, nuk ka forcë në botë që mund të ndalë vullnetin e Perëndisë të realizohet përmes atij personi.
Kjo do të thotë se, përpara se ti të provosh të bësh diçka që Perëndia të ka vënë në zemër, Ai e di rezultatin që do të dalë nëse ti mbështetesh në fuqinë e Frymës së Tij.
Zakaria 4:8-9 'Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë: "Duart e Zorobabelit kanë hedhur themelet e këtij tempulli dhe duart e tij do ta përfundojnë...'
Shpesh ndihemi të paaftë. Mundohemi të mbajmë dietë dhe ndihemi të uritur për bukë, mundohemi të lemë cigaren dhe na ndizet hunda për një cigare, mundohemi të kursejmë, por sapo kemi prishur të gjitha paratë që kishim në portofol.
Pastaj i themi vetes: "Jo, more, nuk e bëj dot këtë gjë, nuk është punë për mua."
Ideja e hapave të fillimit është e sikletshme, ka shumë tension dhe ndihemi të turpëruar dhe të shqetësuar që nuk ecën fare, sepse ndryshimi gati nuk dallohet.
Zakaria 4:10 'Kush ka mundur të përçmojë ditën e gjërave të vogla? Por ata të shtatë gëzohen kur shohin plumbçen në duart e Zorobabelit. Ata të shtatë janë sytë e Zotit që e përshkojnë gjithë dheun".' (mos i përçmoni gjërat e vogla sepse Zoti gëzohet kur fillon puna.)
Duhet të vendosësh gurin e parë, pastaj të vijë guri i dytë, pastaj të mbyllet radha e gurëve që të fillojë të ndërtohet muri.
Çdo gjë fillon me diçka, dhe Perëndia gëzohet kur ti je besnik me gjërat e vogla.
Ja se çfarë do të bëjmë në 4 ditët në vazhdim. Do të fokusohemi në tre zona të rëndësishme të jetës: mendimet, fjalët dhe zakonet e jetës së përditshme. Do të shqyrtojmë se cilat ndryshime të vogla mund të bëjmë.
Ja se çfarë do doja që të bëje këtë vit për të qenë sa më i fokusuar. Mos u hallakat duke vendosur 10 synime ose 15 gjëra për të bërë. Dëshiroj të të nxis të mendosh vetëm për një fjalë, një fjalë të veçantë që do të të mbajë të fokusuar gjithë vitin dhe një varg që e shoqëron atë fjalë. Që të duket qartë se do ta arrish atë, jo me fuqinë apo forcën tënde, por me Frymën e Perëndisë. Dhe do të habitesh edhe ti vetë sa ndryshe do të jetë ky vit për ty.
Le të jetë synimi i këtij viti: Forcimi.
Lutje: Perëndi, të kërkoj ta forcosh jetën time këtë vit. Forcoje miqësinë time me Ty, forcoje shkollën, punën, miqësitë, shoqëritë, familjen. Zot, më drejto, më ndihmo të jem i fokusuar ndaj gjërave që kanë më shumë rëndësi. Perëndi, të falenderoj që Ti shikon fundin e këtij viti që tani. Amen.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

E di që shumë herë ke ndjerë që vitet kalojnë pa ndonjë ndryshim të madh. Një vit i ri vjen, dhe ne nisim me ëndrra të mëdha, por diku rrugës, e lëmë veten të ndikohemi nga rutina e përditshme. Por mendo për një çast: Po nëse ky vit do të ishte ndryshe? Të ftojmë të bashkohesh me ne për leximin e këtij plani që do të ndihmojë për të pasur Një Fillim Me Qëllim!
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al