Një Fillim me Qëllim!Shembull

Fokusohu!
Gjërat e vogla, ato që nuk i shikon njeri, ato sjellin gjërat e mëdha që i dëshiron çdo njeri.
Një nga gjërat e vogla që sjell ndryshim të madh është kur gjen një fjalë që të mban të fokusuar gjatë gjithë kohës: "Forcohuni".
1 Pjetrit 5:10 Perëndia… do t`ju bëjë të përsosur Ai vetë, do t`ju bëjë të patundur, do t`ju forcojë dhe do t`ju vërë themel.
Do të shikojmë dhe do të fokusohemi në mënyrën se si ta aplikojmë këtë fjalë në zona të ndryshme të jetës tonë. Sepse gjërat e vogla sjellin ndryshim të madh.
Sot do të flasim për mendimet tona, një gjë që duket e vogël, por ka shumë rëndësi, sepse mendimet ndikojnë veprimet, veprimet e përsëritura krijojnë zakonet e jetës së përditshme dhe zakonet përcaktojnë të ardhmen tonë.
Në lidhje me mendimet, ky është një varg shumë i fuqishëm:
Fjalët e urta 23:7a 'sepse, ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai...'
Nëse ti mendon se nuk mundesh, ka shumë mundësi që vërtet nuk do mundesh. Por nëse mendon se mundesh, ka shumë mundësi që do ia dalësh. Nëse mendon se rreth teje ekzistojnë mundësi të reja, ka shumë mundësi që do i shikosh ato mundësi. Nëse beson se Perëndia është me ty dhe në anën tënde, do e ndjesh fuqinë dhe praninë e Perëndisë.
Pse? Sepse mendimet kanë shumë rëndësi.
Jeta gjithmonë do të marrë drejtimin e mendimeve më të forta që ke.
Gjatë ditës, mendimet e tua janë më shumë të lidhura me gjërat e kësaj bote apo me gjëra të perëndishme?
Mendimet përcaktojnë se kush do të bëhesh. Jeta gjithmonë do të marrë drejtimin e mendimeve më të forta që ke. Ashtu siç mendon në zemrën e tij, ashtu është ai.
Prandaj Perëndia e frymëzoi Palin të shkruante:
Romakëve 12:2 'Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.'
Po, si bëhet kjo në mënyrë praktike?
1. Nënshtroi mendimet e tua
Ja se çfarë i shkroi apostulli Pal kishës në Korinth, sepse ata po besonin shumë gënjeshtra.
2 e Korintasve 10:3-5 'Sepse, edhe pse ecim në mish, nuk luftojmë sipas mishit, sepse armët e luftës sonë nuk janë prej mishi, por të fuqishme në Perëndinë për të shkatërruar fortesat, që të hedhim poshtë mendimet dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë dhe t'ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit,'
Edhe pse jetojmë në këtë botë, lufta jonë nuk është si luftërat që bën kjo botë. Pra, nëse je i krishterë dhe i beson Krishtit, armët me të cilat lufton nuk janë si armët që përdor kjo botë. Ne kemi armë supernatyrore që Perëndia na ka dhënë, të cilat shkatërrojnë çdo fortifikim.
Cila është arma më e madhe e armikut tonë? Si është quajtur ndryshe Satani? Ai është quajtur "ati i gënjeshtrave." Ai përpiqet të na bindë të besojmë gjëra që nuk janë të vërteta. Por nëse ne besojmë këto gënjeshtra dhe ia përsërisim vetes, i fiksojmë ato në mendjet tona derisa ato kthehen në fortesa të ngulitura dhe të forta, duke na bërë të mos besojmë më në të vërtetën.
I ligu e di se nëse ne besojmë të vërtetën, e vërteta do të na bëjë të lirë.
2. Fokusohu në gjërat shpirtërore, të perëndishme.
Një nga vargjet shumë të veçanta të Biblës vjen nga Pali kur ai ishte në burg:
Filipianëve 4:8-9 'Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni. Ato gjëra që keni mësuar, marrë dhe dëgjuar nga mua dhe patë në mua, i bëni, dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju.'
Pra, i nënshtrojmë gënjeshtrat dhe fokusohemi te ajo që është e vërtetë. Këto mendojmë, fokusohemi te gjërat e perëndishme që i pëlqejnë Perëndisë.
"Unë mund ta bëj, nëse vazhdoj të jem i lidhur dhe i varur te Perëndia. Unë mundem, me Të do ia dal."
A e kupton ndryshimin e të menduarit?
Ndryshimi i të menduarit, mund të të ndryshojë të ardhmen.
Lutje: Zot, lutem që Ti do ma përtërish mendjen time me të vërtetën Tënde. Dua Perëndi që mendja ime të jetë e fokusuar në Ty dhe që të më ndryshosh çdo ditë për t'u bërë i ngjashëm me Jezusin. Perëndi, më jep frymë dalluese që të kuptoj gënjeshtrat e djallit, t'ia nënshtroj ato gënjeshtra bindjes së Krishtit, të fokusohem të e vërteta, ta lejoj të vërtetën të më transformojë për t'u bërë siç do Ti. Amen.
Rreth këtij plani

E di që shumë herë ke ndjerë që vitet kalojnë pa ndonjë ndryshim të madh. Një vit i ri vjen, dhe ne nisim me ëndrra të mëdha, por diku rrugës, e lëmë veten të ndikohemi nga rutina e përditshme. Por mendo për një çast: Po nëse ky vit do të ishte ndryshe? Të ftojmë të bashkohesh me ne për leximin e këtij plani që do të ndihmojë për të pasur Një Fillim Me Qëllim!
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al