Stinët e zemrësShembull
Bujaria e hirshme e Krishtit
Çdo gjë që t'i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t'jua japë. - Gjoni 16:23
Çfarë më bën kaq të guximshme dhe të qëndrueshme t'ia lejoj vetes që të vij tek Perëndia me një guxim dhe burrëri të tillë, duke qenë një mëkatare aq e madhe? Asgjë tjetër, përveç Fjalës së Tij. Sepse Ai thotë: “Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t'ju çlodh” (Mat.11:28). Sa fjalë të buta, të mëshirshme dhe ngushëlluese janë këto për të gjithë mëkatarët! A nuk do të ishte i marrë, kokëkrisur, shtazarak dhe budalla një person që do të vraponte për ndihmë, mbrojtje ose strehim tek një krijesë tjetër? Çfarë deklarate e hirshme, ngushëlluese dhe fisnike, me fjalë kaq të këndshme dhe të ëmbla, për t'i tërhequr armiqtë e Tij të vijnë tek Ai! A ka ndonjë princ apo gjyqtar të kësaj bote që do të tregonte kaq butësi dhe mëshirë ndaj nënshtetasve të vet të pabindur dhe rebelë, pasi do ishte ofenduar nga ata? Unë mendoj se sundimtarët e kësaj bote nuk do t'i afronin me fjalë të tilla armiqtë e tyre, përveçse do të thërrisnin t’i largonin prej andej ata që nuk mund t'i kapnin dhe t'i dënonin. Por, ashtu siç Krishti është Princ i princërve dhe Zot i zotave, po ashtu edhe bamirësia dhe mëshira e Tij tejkalojnë dhe mposhtin të gjithë të tjerët.
Nuk është një dhuratë e vogël apo e papërfillshme që po e kërkoj tani, dhe as nuk mendoj se jam e denjë për të marrë një dhuratë kaq fisnike, duke qenë një bijë kaq mosmirënjohëse, jo e mirë dhe e ligë. Por kur shoh mirëdashjen, bujarinë, mëshirën dhe mirësinë e Zotit, inkurajohem, forcohem dhe gjallërohem të kërkoj një dhuratë të tillë fisnike. Zoti është aq i pashtershëm dhe bujar, saqë Ai nuk do të na kënaqë dhe gëzojë vetëm me një dhuratë, dhe as të kërkojmë dhurata të thjeshta dhe të vogla. Prandaj Ai premton dhe zotohet përmes Fjalës së Tij për të dhënë dhurata të mira dhe të dobishme për të gjithë ata që e kërkojnë me besim të vërtetë (Gjo. 16:23–24), pa të cilat asgjë nuk mund të bëhet e pranueshme ose e pëlqyeshme për Perëndinë (Rom. 8:8). Sepse besimi është themeli dhe baza e të gjitha dhuratave, virtyteve dhe hireve të tjera dhe prandaj unë do të them: “Zot, ma shto besimin”.
Katherine Parr
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Një vit devocionesh nga një brez grash në tjetrin
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al