Jeta e BeqaritShembull
Potencialet e Beqarit!
Si të kesh një jetë që bie në sy, që lë gjurmë? Si të sjellësh ndryshim në jetën tënde?
1. Unë duhet të pranoj thirrjen që ka Perëndia për mua.
Romakëve 8:28'Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij.'
Perëndia ka një qëllim unik për të cilin të krijoi. Çdo njeri në botë është i thirrur nga Perëndia. Por jo të gjithë e ngrenë telefonin për t’u përgjigjur thirrjes së Tij. Ti je thirrur nga Zoti për të përmbushur qëllimin për të cilin Ai të ka krijuar. Sepse ti je krijuar në mënyrë unike. Nuk mund t’i fusësh të gjithë beqarët në një kategori. Në lidhje me beqarët, Perëndia ka thirrje të ndryshme; le të shikojmë:
3 Llojet e Beqarëve:
- Beqarë që janë të tillë nga lindja. Ka disa njerëz që janë formuar nga Perëndia për ta jetuar jetën beqar. Janë të formuar në atë formë dhe nuk e kanë atë dëshirë që u djeg përbrenda, “Ah, sikur të isha martuar.” Por, pyetja e madhe është: nëse ti je beqar, si mund ta dish nëse e ke këtë dhunti apo jo? Ka një tregues shumë praktik për ta marrë vesh nëse e ke këtë dhunti. Nëse ti e ke këtë dhunti, do të thotë se mund të jetosh gjithë jetën tënde pa seks, dhe kjo nuk të acaron dhe nuk të bezdis. Shumë pak njerëz e kanë këtë dhunti, por e vërteta është se Perëndia ua jep disa njerëzve këtë dhunti të tillë.
- Beqarët që janë të tillë me zgjedhjen e tyre të lirë. Ky grup mund të martohej, nëse do, por ata kanë vendosur se diçka tjetër është më e rëndësishme se martesa. A është kjo një gjë e mirë apo një gjë e keqe? Kjo varet. Varet nga arsyet pse ata vendosën se ka diçka tjetër që është më e rëndësishme se martesa. Për shembull, a është e mundur të martohesh për arsye të gabuar? Sigurisht që po. Është gjithashtu e mundur të rrish beqar për arsye të gabuara. Ka disa arsye të mira për të qëndruar beqar me zgjedhje të lirë, por ka edhe disa arsye të këqija për të qëndruar beqar me zgjedhje të lirë. Arsyeja numër 1 pse njerëzit qëndrojnë beqarë është frika - frika e përkushtimit. Apo frika që mund të lëndohen përsëri. Apo frika e dështimit. Ne të gjithë përballemi me frikën në jetën tonë, në forma të ndryshme. Por ka edhe arsye të mira për të ndenjur beqar. P.sh, dikush thotë: "Dua të përfundoj shkollën, se po u martova, do ngelem pa shkollë." Arsyeja më e madhe për të qëndruar beqar me zgjedhje të lirë ose motivi më i lartë është për qëllime të Perëndisë. “Unë do të martohem një ditë, por përsa kohë që jam beqar/re, do t’i përkushtohem Perëndisë dhe do të bëj çdo gjë që më kërkon Ai.” Kjo është thirrja më e lartë që mund të ketë një beqar.
- Beqarët që janë të tillë për shkak të rrethanave. Nuk janë të tillë nga krijimi ose zgjedhja, por vetëm për shkak të rrethanave. Shumë njerëz do të donin të martoheshin, por vetëm për shkak të rrethanave në këtë fazë të veçantë të jetës nuk janë martuar. Ata janë beqarë, dhe shumica e të rriturve beqarë bien në këtë kategori. Ata ndihen sikur janë gati për t'u martuar, por për një arsye apo një tjetër nuk po martohen dot. Ka rrethana shumë legjitime që e shkaktojnë që ti të jesh beqar në këtë fazë të jetës tënde. Ndoshta të kanë kërkuar dorën për martesë, por s’te ka pëlqyer ai person. Dhe ndoshta nuk ke gjetur ende asnjë person që të thuash: “Ia vlen që unë t’ia përkushtoj jetën time atij djali/vajze.” Kjo është arsye e duhur për të pritur edhe ca.
Perëndia e njeh dhimbjen e këtyre njerëzve.
Për ju që dëshironi të martoheni, por për çdo lloj arsyeje ndodheni në këtë fazë të jetës, ajo që dua t’ju them është: Mos u hidhëroni, mos e dënoni veten. Mos u zemëroni as mos mbani inat, sepse këto emocione janë shumë më të këqija se beqaria. Sepse, nuk e detyron dot dikë të bjerë në dashuri me ty, dhe nuk e detyron dot dikë të rrijë i dashuruar me ty. Është zgjedhja e tyre. Nuk ndodh me imponim.
Çfarë do të thotë të jesh i kënaqur? Sepse ka persona që janë beqarë që s’janë të kënaqur me gjendjen që janë, ka persona që janë të martuar dhe prapë s’janë të kënaqur me gjendjen që janë. Të jesh i kënaqur do të thotë që nuk pret që të ndryshojnë rrethanat e tua për të qenë i lumtur. Pse? Sepse lumturia është zgjedhja jote.
2. Unë duhet ta përdor lirinë që kam për Perëndinë.
Perëndia na ka dhënë liri të plotë. Prandaj, duhet të japim maksimumin nga jeta jonë, qofshim beqarë apo të martuar. Pasazhi më i mirë për këtë është...
1 e Korintasve 7:32-34 'Dhe unë dëshiroj që ju të jeni pa merak. I pamartuari merakoset për gjërat e Zotit, si mund t'i pëlqejë Zotit; por i martuari merakoset për gjërat e botës, si mund t'i pëlqejë gruas së tij. Ka dallim gruaja nga virgjëresha; e pamartuara kujdeset për gjërat e Zotit që të jetë e shenjtë në trup e në frymë, kurse e martuara kujdeset për gjërat e botës, si mund t'i pëlqejë burrit.'
Pali thotë që ka të mira në të dyja situatat, si kur je i martuar, ashtu edhe kur je beqar. Në të dyja rastet, ka përgjegjësi që duhen përmbushur. Ti thjesht duhet të vendosësh se në cilën anë të gardhit dëshiron të qëndrosh—beqar apo i martuar—sepse të dyja kanë të mirat dhe përgjegjësitë e tyre.
Rreth këtij plani
Shoqëria, beqaria dhe seksualiteti janë tema që shpesh përfshijnë debate të thella dhe ndjenja të ndërlikuara. Në një botë ku mendimet dhe opinionet për këto çështje formohen nga gjithçka që na rrethon, është e lehtë të humbasim drejtimin e duhur. Pavarësisht nëse je beqar apo i martuar, një gjë mbetet e qartë: ne të gjithë kemi nevojë për shoqëri të shëndetshme dhe zgjedhje të mençura për jetën tonë shpirtërore dhe fizike. Si mund të bëjmë zgjedhjet e duhura dhe të ndërtojmë një jetë që pasqyron vlerat e përjetshme?
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://icf.al