Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeta e BeqaritShembull

Jeta e Beqarit

DITA 2 NGA 5

Zgjedhjet Për Shëndet Të Mirë Shpirtëror!

Sot do të shohim diçka që është e përbashkët si për beqarin, ashtu edhe për të martuarin; shëndeti i jetës sonë shpirtërore. Ne jemi vetë përgjegjës për gjendjen e njeriut tonë të brendshëm, për jetën tonë. Sepse vetëm një gjë do të marrim me vete kur të jemi me Zotin: "shpirtin tonë". Sfida për të pasur një jetë shpirtërore të shëndetshme është për të gjithë, por ne duhet të bëjmë zgjedhjet tona që na sigurojnë këtë shëndet.

Cilat janë zgjedhjet që ne duhet të bëjmë çdo ditë për të na ndihmuar të kemi një jetë shpirtërore të shëndetshme?

Për të pasur një jetë shpirtërore të shëndetshme, është e rëndësishme të bëjmë disa zgjedhje çdo ditë që ndihmojnë në forcimin e lidhjes tonë me Perëndinë. Këto zgjedhje janë të shfaqura te Eksodi, kapitulli 4, ku Moisiu përballet me dilema dhe frikë përpara se të dërgohet nga Perëndia për të çliruar popullin e Izraelit nga Egjipti. Perëndia e ndihmon Moisiun të kuptojë që për të qenë i suksesshëm në misionin e tij, duhet të bëjë disa zgjedhje thelbësore:

  1. Përdore me kujdes fuqinë tënde!

Moisiu ishte bari, dhe shkopi ishte një element jetësor për bariun. Për Moisiun, ai shkop nuk ishte thjesht një objekt; ai përfaqësonte suksesin e jetës së tij. Kur Perëndia i kërkoi Moisiut të hidhte shkopin, ai po i kërkonte të linte mjetin më të rëndësishëm që kishte, armën e tij, mburojën e tij. Me atë shkop, ai ruante jetën e vet dhe të deleve. Pa të, ai ndjehej i pambrojtur.

Pse është kjo gjë e rëndësishme? Sepse nëse Perëndia do të përdorë diçka, duhet ta zotërojë Ai fillimisht. Ajo që Perëndia i kishte dhënë Moisiut nuk ishte e tij; ishte e Perëndisë. Çdo gjë që ke—familja jote, puna jote, paratë e tua, shoqëria që ke—Perëndia e përdor çdo gjë që ke për qëllimin e Tij. E gjithë jeta jote plotëson qëllimin e Perëndisë për të cilin Ai të ka vendosur në tokë. Asgjë nuk është rastësore.

Eksodi 4:6'Zoti i tha akoma: "Tani vër dorën në gjirin tënd". Dhe ai vuri dorën e tij në gji dhe pastaj e tërhoqi, dhe ja, dora ishte lebrosur, e bardhë si bora.'

Eksodi 4:7'Zoti i tha akoma: "Vëre përsëri dorën në gjirin tënd". Ai e vuri përsëri dorën e tij në gji dhe pastaj e tërhoqi nga gjiri, dhe ja, ajo ishte bërë njëlloj si mishi i tij.'

Po kjo çfarë lidhje ka me ne?

Lebra është diçka e pistë që përhapet, dhe mëkati është njësoj si lebra. Nëse nuk shërohet, ai përhapet derisa e kalb shpirtin tonë, duke na lënë pa forcë shpirtërore.

Për shembull, nëse nuk e falim një person, dhe nuk merremi me këtë, fillojmë të mos falim as të tjerët. Kjo bëhet zakon, dhe përfundimisht nuk flasim më me shumë njerëz, duke filluar vetëm me një mosfalje. Kjo është natyra e lebrës shpirtërore; ajo përhapet në shpirtin tonë dhe na dëmton.

2. Urreje pisllëkun në zemrën tënde!

Nëse ka ndonjë gjë të keqe brenda teje, ajo do të përhapet si lebra dhe do të shikohet në sjelljen tënde. Çfarë ka zemra, nxjerr goja! Nëse ruajmë gjëra të këqija brenda vetes, këto do të dëmtojnë shoqërinë tonë dhe do të ndikojnë në punën, paratë, çdo gjë. Kjo është natyra e pisllëkut shpirtëror.

Tek Jakobi 4:8b'… pastroni duart tuaja, o mëkatarë; dhe pastroni zemrat o njerëz me dy mendje!', Perëndia vendos një çmim për pastërtinë shpirtërore, nuk e neglizhon. Pra, duhet ta urresh diçka aq shumë sa të bësh diçka për ta ndryshuar.

3. Pranoje këshillën e Perëndisë!

Çfarë do të thotë të pranosh këshillën e Perëndisë? Do të thotë të jesh i mësueshëm. Të jesh i gatshëm për të pranuar atë që di dhe atë që nuk di. Të pranosh këshillën e Perëndisë do të thotë të bësh atë që Ai të thotë. Të mos jesh kokëfortë.

Problemi në jetën e krishterë nuk është as që Jezusi është Biri i Perëndisë, as nëse vdiq apo jo në kryq, apo u ringjall apo jo. Kjo nuk diskutohet. Ajo që është problem, pavarësisht nga mosha apo gjendja martesore, është kokëfortësia. Na pëlqejnë rrugët tona, idetë tona; ne dimë më mirë se çfarë duhet bërë.

Sigurisht që kemi arsyet tona pse jemi kokëfortë. “Unë nuk jam i zemëruar, as nuk urrej dikë, por jam pak kokëfortë.”

Marku 10:15 'Në të vërtetë po ju them se kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të''.'

A jemi të gatshëm të lëshojmë kokëfortësinë tonë dhe të pranojmë udhëzimet e Tij si fëmijë? A jemi të hapur për të ndryshuar dhe për t’u përmirësuar, duke i besuar Atij? Nëse duam të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë, duhet të heqim dorë nga mendësitë e ngurta dhe të jemi të gatshëm të pranojmë dhe të zbatojmë këshillat e Tij

Dita 1Dita 3

Rreth këtij plani

Jeta e Beqarit

Shoqëria, beqaria dhe seksualiteti janë tema që shpesh përfshijnë debate të thella dhe ndjenja të ndërlikuara. Në një botë ku mendimet dhe opinionet për këto çështje formohen nga gjithçka që na rrethon, është e lehtë të humbasim drejtimin e duhur. Pavarësisht nëse je beqar apo i martuar, një gjë mbetet e qartë: ne të gjithë kemi nevojë për shoqëri të shëndetshme dhe zgjedhje të mençura për jetën tonë shpirtërore dhe fizike. Si mund të bëjmë zgjedhjet e duhura dhe të ndërtojmë një jetë që pasqyron vlerat e përjetshme?

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://icf.al