Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeta e BeqaritShembull

Jeta e Beqarit

DITA 4 NGA 5

Seksi dhe beqaria!

Kur vjen puna për seksin, ka shumë mendime dhe opinione për këtë, por opinionet tona janë të ndikuara në një masë shumë të madhe nga ajo që shikojmë dhe dëgjojmë për këtë çështje.

Pavarësisht se ku je ti nga ana frymërore me Zotin, apo ku je ti nga ana seksuale, lëre për një moment opinionin tënd për këtë temë dhe ji i hapur në mendjen dhe zemrën tënde që Perëndia, me anë të letrës së Tij të dashurisë, Biblës, të të flasë sot.

Le të shikojmë modelin që ka Perëndia për këtë çështje.

Ne jetojmë në një kulturë të dominuar nga seksi. Duket se kultura jonë, dhe jo vetëm e jona, kudo në botë, është më shumë e ndikuar nga seksi sesa nga Perëndia. Por, pyetja ime është kjo: A janë njerëzit më të lumtur nga ky ndikim, dominim? A kanë njerëzit më shumë gëzim për shkak të kësaj? A janë lidhjet më të forta?

Përgjigja për të gjitha pyetjet është JO. Njerëzit janë të stresuar. Njerëzit po provojnë të gjitha mënyrat, po bashkëjetojnë, po kryejnë marrëdhënie jashtë martese, po shkojnë me shumë persona të ndryshëm dhe me asnjërin s'janë të martuar ose lidhur. Por pyetja është: A kanë ndonjë plotësim në jetët e tyre?

Nëse do t’i hedhësh një vështrim të shpejtë Biblës lidhur me planin e Perëndisë për seksin dhe martesën, përfundimi është se Ai e sheh martesën mes një burri dhe një gruaje. Ky është plani i Perëndisë.

Tek 1 Thesalonikasve, Pali, autori i letrës, i shkruan kishës në Selanik që të kuptonin se çfarë donte Perëndia nga ata. Konteksti ishte i tillë; ata po jetonin një jetë imorale nga ana seksuale.

1 Thesalonikasve 4:3-5'Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj; të hiqni dorë nga kurvëria; që secili prej jush të dijë ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe me nder, jo me pasione epshi, si johebre që nuk e njohin Perëndinë,'

1 Thesalonikasve 4:7'Sepse Perëndia nuk na thirri në ndyrësi, por në shenjtërim.'

Në këtë pasazh ka parime bashkëkohore nga të cilat mund të mësojmë edhe sot.

1. Pranoje atë që kërkon Perëndia nga ti.

Po, çfarë do Perëndia nga unë? Bibla thotë që Ai do që ti të jesh i shenjtë. SHENJTËRIA ËSHTË PROCESI QË FILLON KUR PERËNDIA FILLON TË VËRË RREGULL NË JETËN TËNDE.

Asnjë mëkat nuk e ndikon kaq shumë trupin sa ky mëkat. A na fal Perëndia? As që vihet në dyshim. Ai na fal, Ai mezi pret të na falë dhe të na pastrojë. Por ajo që dua t’ju them është se pasojat e këtij mëkati janë të mëdha.

2. Përkushtoju planit të Perëndisë për jetën seksuale.

Tek 1 Thesalonikasve 4:3b lexojmë“të hiqni dorë nga kurvëria,” (të hiqni dorë nga çdo lloj mëkati seksual).

A është e lehtë kjo gjë? Jo! A është plani i Perëndisë? Po. Por pse qenka plani i Perëndisë? Sepse Ai e krijoi seksin, Ai e shpiku, ishte ideja e Tij. Dhe Ai ka një plan për të. Modeli i Perëndisë për seksin është që të jetë jo vetëm veprim fizik, por edhe emocional, mendor dhe thellë shpirtëror gjithashtu. Trupi dhe shpirti yt nuk janë të ndarë. Ti nuk mund t’i japësh trupin dikujt dhe të mos i japësh shpirtin. Kur ti kryen marrëdhënie seksuale me dikë, ai/ajo dhe ti prekni pjesët më të thella të shpirtit, të qenies.

3. Përgatit një plan që ta kesh kur tundohesh.

1 Thesalonikasve 4:4a“…secili prej jush të dijë ta mbajë enën e vet … (çdo njeri le të kontrollojë trupin e tij).”

Po si kontrollohet trupi? Duhet të përgatitesh kur vjen tundimi. Sepse tundime të tilla ka kudo. Është e vështirë të thuash “jo” në një botë që të thotë “po” me zë të lartë. Nëse ti je beqar, tundimi më i madh që ti ke në jetë është seksi.

1 e Korintasve 10:13' Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveçse tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t'ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t'ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni.'

Perëndia do të japë një RRUGË DALJE, kjo është garanci nga Perëndia. Ai nuk do ta lejojë situatën të nxehet; do të sigurojë një rrugëdalje për ty.

Plani se si të dal nga situata tunduese:

  1. Unë duhet të di që jam mëkatar. Zemra jote mëkatare mund të bëjë atë që s’të pret mendja.
  2. Kam ndjenja seksuale. Nuk është gjë e keqe, sepse kështu je krijuar. Perëndia, që e krijoi seksin, e di që është gjë e mirë, por mos harro që Perëndia ka vendosur kufizime në lidhje me të.
  3. Duhet të di se cilat janë gënjeshtrat e kësaj bote.Nëse do të rezistosh tundimit, duhet të dish se cilat janë gënjeshtrat, sepse do t'i hasësh shumë shpesh.
  4. Unë mund ta kontrolloj veten. Besoje, sepse Perëndia e ka vënë brenda teje këtë gjë.
  5. Në planin tim për t’iu shmangur tundimit, duhet të di dhe kufizimet e mia. Nëse je në një lidhje apo shumë afër saj, vendos disa kufij para se të përfshihesh shumë.
  6. Shoqëria e mirë të ndihmon të shmangesh tundimeve. Kështu që zgjidhe shoqërinë me kujdes.

4.Ndero Perëndinë duke nderuar të tjerët.

Pali tha,“Jetoni në shenjtëri dhe me nder.” Kur nderojmë njëri-tjetrin në marrëdhëniet tona, kemi nderuar Perëndinë. Ti tregon respekt ndaj Perëndisë duke respektuar të tjerët. Sot, lejoje Perëndinë të vijë në jetën tënde dhe të rindërtojë pastërtinë tënde të brendshme, anën seksuale të jetës tënde, dhe shenjtërinë tënde.

Perëndia po të fton ty për të pasur intimitet me Të. Ai të njeh me emër, Ai ka gati përgjigjet për lutjet tua, dhe është gati për të të ndryshuar ty!

Dita 3Dita 5

Rreth këtij plani

Jeta e Beqarit

Shoqëria, beqaria dhe seksualiteti janë tema që shpesh përfshijnë debate të thella dhe ndjenja të ndërlikuara. Në një botë ku mendimet dhe opinionet për këto çështje formohen nga gjithçka që na rrethon, është e lehtë të humbasim drejtimin e duhur. Pavarësisht nëse je beqar apo i martuar, një gjë mbetet e qartë: ne të gjithë kemi nevojë për shoqëri të shëndetshme dhe zgjedhje të mençura për jetën tonë shpirtërore dhe fizike. Si mund të bëjmë zgjedhjet e duhura dhe të ndërtojmë një jetë që pasqyron vlerat e përjetshme?

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://icf.al