Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

A Më Do Perëndia?Shembull

A Më Do Perëndia?

DITA 1 NGA 5

Perëndia të do fort, po ti a e do Atë?

Në këtë botë të mbingarkuar, me dyshime dhe sfida, ti ecën me hapat e tu në kërkim të një përgjigjeje të padukshme: "A më do Perëndia mua?" Ndoshta ndihesh i pafuqishëm përpara pyetjeve të pazgjidhshme. Emocionet bien në një rreze të errët, ndërsa përpiqesh të kapërcesh pritjet e pafundme dhe pasiguritë që të ngacmojnë çdo ditë.

Ndoshta je i mërzitur dhe acaruar me të gjithë; e besoj që shumë gjëra kanë ndodhur në jetën tënde në kohët e fundit, gjëra që të kanë mërzitur, dekurajuar e trishtuar; dhe ti nuk po kupton asgjë. Je aty, i ulur me 1000 pyetje dhe dyshime:A po më sheh Perëndia? A më do Ai? Ku është Ai ndërkohë që unë po vuaj kaq shumë? Pse po më ndodhin gjithë këto gjëra?

Lutem që ndërkohë që lexon këtë plan, do të marrësh përgjigje, zbulesa dhe do të kuptosh të vërtetën.

Ashtu si çdo gjë e ka një bazë, një fillesë edhemiqësia Njeri—Perëndi e ka bazën dashurinë e Tij. Kjo duket si diçka shumë e thjeshtë dhe në fakt është, por ama ka sakrificën e vet. Nëse dikush të thotë vazhdimisht: "të dua, të dua, të dua…" vetëm me fjalë, do të vijë një moment që, nëse me të vërtetë janë vetëm fjalë do të bezdisesh sepse ai person nuk po e tregon me vepra dashurinë e Tij.

E njëjta gjë me Perëndinë, nëse Ai na thotë që na do dhe janë thjeshtë fjalë, a do kishin ndonjë vlerë? Por, Ai e deshi aq shumë botën sa dha Birin e Tij të vetëm që kushdo që beson në Të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. (Gjoni 3:16)

E deshi botën—ty; që kushdo—të gjithë. Jo thjesht dashuri, por dashuri e pakushtëzuar, pa limite, pa kërkesa dhe është personale. Me këtë lloj dashurie na do Perëndia, të do ty Perëndia. A e beson këtë gjë?

A njeh ndonjë prind që e do fëmijën e tij me gjithçka që ka?! Një prind e do fëmijën kur sillet mirë, kur gabon, dashuria e prindit nuk ndryshon. Kjo është vetëm një grimcë e vogël e krahasuar me dashurinë e pafundme që Perëndia ka për ne.

Dëgjova historinë e një djali nga Azia sesi kishte besuar më parë në shumë lloje idhujsh dhe e se çfarë tha kur besoi te Jezusi, dashurinë pa kushte të Perëndisë? “Është i vetmi Zot që kam njohur që nuk më kërkon diçka, që së pari duhet të bëj diçka për të, pastaj të marr diçka prej Tij. Ne ishim mësuar të sillnim gjëra, të ofronim gjëra në vende të mira dhe në vende ku ishin statujat dhe vendet e kultit. Kur njoha dashurinë e Perëndisë, u mahnita sepse Ai më do kështu siç jam, më pranon kështu siç jam, pa më kërkuar të bëjdiçka,të ndryshoj diçka para se të vij tek Ai.”

A do të mendosh për pak minuta, si e ka treguar Perëndia dashurinë e Tij ndaj teje? Çfarë është diçka e mirë, që e pranon ose jo; thellë—thellë ti e di që është përtej aftësive të tua, përtej lidhjeve, njohjeve që ke …

Lër për një moment të gjitha ato pyetje që të mundojnë, thjesht mendo… ndoshta po të kujtohen disa momente apo gjëra që shkuan më mirë seç ti prisje apo imagjinoje.

A ia ke shprehur ndonjëherë dashurinë tënde Perëndisë? A do t’i thuash edhe ti Atij sot, ndoshta edhe për herë të parë: “Perëndi faleminderit që më do pa kushte, edhe unë të dua…”

Ndoshta ndonjëri po mendon: “Po mirë, nëse është kështu, përse shumica e njerëzve nuk po e përjetojnë këtë lloj dashurie? Pse unë nuk po e përjetoj këtë? Pse ka lëndime, sëmundje, lakmi, skema, ligësi?”

Sepse … Vazhdon tek dita 2!

Shkrimet e Shenjta

Dita 2

Rreth këtij plani

A Më Do Perëndia?

Ky plan leximi është një udhëzues i qartë për ta njohur Perëndinë, të kuptosh masën e dashurisë së Tij, të pajtohesh me Të dhe ta bësh atë Mikun, Shokun tënd më të ngushtë. Eja ta zbulojmë bashkë hap pas hapi!

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://icf.al