Solid Joys ShqipShembull

Çfarë do të thotë të lutesh për armiqtë e tu
"Duajini armiqtë tuaj, bekojini ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin.” (Mateu 5:44)
Lutja për armiqtë e tu është një nga format më të thella të dashurisë, sepse do të thotë se ti dëshiron vërtet që atyre t’u ndodhë diçka e mirë.
Ti mund t’u bësh të mira armiqve të tu, pa pasur një dëshirë të vërtetë që gjërat t’u shkojnë mirë, por lutja për ta, ofrohet në praninë e Perëndisë, i cili e njeh zemrën tënde. Lutja është ndërmjetësim te Perëndia për ta.
Lutja mund të jetë për kthimin e tyre në besim. Mund të jetë lutje për pendimin e tyre. Mund të jetë lutje që ata të zgjohen dhe të bëhen të vetëdijshëm për armiqësinë në zemrat e tyre. Mund të jetë lutje që ata të frenohen në spiralen kokëposhtë të mëkatit të tyre, edhe nëse kjo kërkon një sëmundje apo fatkeqësi. Megjithatë, lutja që Jezusi ka në mendje është gjithmonë për të mirën e tyre.
Këtë bëri Jezusi, teksa qëndronte i varur në kryq:
Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë. (Luka 23:34)
Edhe Stefani bëri të njëjtën gjë kur po e vrisnin me gurë:
Edhe si ra në gjunjë, thirri me zë të lartë: “O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!” (Veprat 7:60)
Jezusi po na bën thirrje jo vetëm që t’u bëjmë të mira armiqve tanë, duke i përshëndetur apo duke i ndihmuar në nevojat e tyre (Mateu 5:47), por edhe që të dëshirojmë më të mirën për ta dhe t’i shprehim ato dëshira në lutje, edhe kur nuk i kemi pranë armiqtë.
Zemrat tona duhet të dëshirojnë shpëtimin e tyre, praninë e tyre në qiell me ne dhe lumturinë e tyre të përjetshme. Perëndia na dhëntë hir që të lutemi si apostulli Pal për judenjtë, edhe pse shumë prej tyre ia vështirësuan jetën:
Dëshira e zemrës sime dhe lutja që i drejtoj Perëndisë për Izraelin është për shpëtim të tij. (Romakëve 10:1)
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione