Solid Joys ShqipShembull

Le ta adhurojmë Qengjin
Edhe unë qaja shumë, sepse nuk u gjet asnjë i denjë të hapë dhe të lexojë librin, dhe as ta shihte atë. (Zbulesa 5:4)
A i ke menduar ndonjëherë lutjet e tua si aroma e qiellit? Kjo është tabloja që shohim kur lexojmë nga Zbulesa 5. Aty jepet një copëz e jetës në qiell.
Te Zbulesa 5 shohim Perëndinë e plotfuqishëm mbi fron duke mbajtur një rrotull libri në dorë. Libri mban shtatë vula. Para se rrotulla e librit të shpaloset, vulat duhet të hapen të gjitha.
Mendoj se shpalosja e rrotullës së librit përfaqëson ditët e fundit të historisë dhe hapja e shtatë vulave përfaqëson atë pjesë historie, përmes së cilës do të kalojmë, teksa iu afrohemi atyre ditëve.
Në fillim, Gjoni qan për shkak se nuk u gjet asnjë i denjë që ta hapte librin dhe të shikonte në të (Zbulesa 5:4), por pastaj një nga pleqtë në qiell thotë: “Mos qaj; ja, Luani, i cili është prej fisit të Judës, Rrënja e Davidit, fitoi të hapë librin dhe të zgjidhë të shtatë vulat e tij” (Zbulesa 5:5).
Duke vdekur në kryq, Jezusi fitoi të drejtën për ta shpalosur pjesën e mbetur të historisë së shpengimit dhe për t’i udhëhequr njerëzit e tij fitimtarë përmes saj.
Në vargun tjetër, Luani paraqitet si një Qengj: “qëndronte një Qengj si i therur” (Zbulesa 5:6). A nuk është ky një imazh i bukur për fitoren e Jezusit në kryq? Edhe pse i therur, Qengji qëndronte në këmbë dhe jo shtrirë!
Fitorja është plotësisht e sigurt, ashtu si një luan gllabëron armikun—por mënyra se si Ai e korri këtë fitore ishte duke e lejuar armikun e Tij ta therte si një qengj!
Prandaj, tani Qengji është i denjë ta marrë rrotullën e historisë së shpengimit nga dora e Perëndisë dhe ta hapë atë. Ky është një veprim aq mbretëror, saqë njëzet e katër pleqtë e qiellit (këshilli i adhurimit të Perëndisë, nëse mund ta themi kështu) bien përmbys para Qengjit me adhurim.
A e di se çfarë janë kupat e arta me temjan? Zbulesa 5:8 thotë se ato janë “lutjet e shenjtorëve”. A nuk do të thotë kjo se lutjet tona janë aroma e qiellit, aroma e ëmbël para fronit të Perëndisë dhe para Qengjit?
Unë forcohem dhe inkurajohem për t’u lutur edhe më shpesh, dhe me një zell edhe më të madh, kur mendoj se lutjet e mia po mblidhen dhe po ruhen në qiell, dhe se po i ofrohen vazhdimisht Krishtit në vepra qiellore adhurimi.
Le ta bekojmë, ta nderojmë dhe ta adhurojmë Krishtin këtu poshtë me lutjet tona, dhe pastaj të ngazëllojmë që këshilli i adhurimit të qiellit i ofron këto lutje sërish para Krishtit si temjan erëmirë para Qengjit që u ther.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione