Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 69 NGA 366


Perëndia kujdeset për ty

“Përuluni, pra, nën dorën e pushtetshme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur, duke hedhur gjithë merakun tuaj mbi të, sepse ai kujdeset për ju.” (1 e Pjetrit 5:6-7)

Pse ankthi për të ardhmen është një formë krenarie?

Nëse vargun nga Isaia 51:12 e themi me fjalët tona, përgjigjja e Perëndisë do të tingëllonte kështu:

Unë, Zoti, Krijuesi yt, jam ai që të ngushëllon, që premtoj të kujdesem për ty; dhe ata që të kërcënojnë janë thjesht njerëz që vdesin. Prandaj, frika jote nënkupton se nuk po më beson mua—edhe pse nuk je i sigurt që burimet e tua do të jenë të mjaftueshme për t’u kujdesur për veten, ti përsëri zgjedh të mbështetesh te vetja, në vend që kesh besim në hirin Tim të ardhshëm. Prandaj, e gjithë drithërima jote—pavarësisht se është e dobët — tregon krenari.

Cila është kura? Mos u mbështet te vetja, por në Perëndinë. Vendose besimin tënd në fuqinë e gjithëmjaftueshme të premtimit të hirit të Tij të ardhshëm.

Te 1 e Pjetrit 5:6-7, mund ta dallosh që ankthi është një formë krenarie. Vër re lidhjen gramatikore mes vargjeve: “Përuluni, pra, nën dorën e pushtetshme të Perëndisë... [tani, vargu 7] duke hedhur gjithë merakun tuaj mbi të.” Vargu 7 nuk është e re si fjali, por është një pjesë e nënrenditur. Mendimi fillon me një pjesore: “Përuluni... [duke] hedhur gjithë merakun.”

Kjo do të thotë se të hedhësh merakun tënd mbi Perëndinë, është një mënyrë për ta përulur veten nën dorën e Tij të pushtetshme. Është sikur të thuash: “Ha me edukatë... përtyp me gojën mbyllur.” Ose: “Ngit makinën me kujdes... mbaji sytë te rruga.” Apo: “Ji bujar... fto dikë për darkë.” Ose: “Përule veten... hidhi frikërat e tua mbi Perëndinë.”

Një mënyrë për ta përulur veten është ta hedhim të gjithë merakun tonë mbi Perëndinë. Pra, pengesa për ta hedhur gjithë merakun mbi Perëndinë është krenaria jonë. Kjo do të thotë se shqetësimi i pavend është një formë krenarie. Pak rëndësi ka sa e dobët duket krenaria apo si na bën të ndihemi.

Tani, pse hedhja e merakut tonë mbi Zotin është e kundërta e krenarisë? Sepse krenarisë nuk i pëlqen ta pranojë se ka ankthe. Apo që s’mund të kujdesemi dot për veten. Nëse krenarisë i duhet të pranojë që frikërat e saj nuk vihen nën kontroll, prapëseprapë nuk do t’i pëlqejë të pranojë se kura mund të jetë t’i besojë dikujt tjetër që është më i mençur dhe më i fortë.

Me fjalë të tjera, krenaria është një formë mosbesimi dhe nuk i pëlqen të besojë në Perëndinë për hirin e Tij të ardhshëm. Besimi, nga ana tjetër, e pranon nevojën për ndihmë, ndërsa krenaria jo. Besimi mbështetet në ndihmën e Perëndisë, krenaria nuk e bën. Besimi e hedh gjithë merakun mbi Perëndinë, krenaria jo.

Prandaj, mënyra për të luftuar me mosbesimin e krenarisë, është ta pranojmë hapur që kemi ankthe dhe ta çmojmë premtimin e hirit të ardhshëm në fjalët: “Ai kujdeset për ty.” Dhe pastaj, të hedhim barrën e frikërave tona mbi supet e Tij të fuqishëm.

Shkrimet e Shenjta

Dita 68Dita 70

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​